Virusi Korona, 120 raste të reja dhe 123 të shëruar, 4 viktima

Virusi Korona, 120 raste të reja dhe 123 të shëruar, 4 viktima

120 raste të reja me virusin Korona janë regjistruar në 24 orët e fundit në Maqedoninë e Veriut. Ministria e Shëndetësisë njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 954 teste dhe janë regjistruar 120 të infektuar që rezulton të jetë shifër më e vogël se ajo e pacientëve të shëruar, që është 123. Rastet e reja janë regjistruar në: Shkup-64, Kumanovë-4, Dibër-4, Shtip-2, Prilep-2, Tetovë-14, Strugë-5, Manastir-3, Ohër-7, Gostivar-2, Makedonski Brod-1, Sveti Nikollë-2, Kërçovë-5 dhe Resnjë-5. Ndërkohë kanë ndërruar jetë 4 pacientë nga Shkupi të moshës 51, 56, 58 dhe 67 vjeçe.

Me hapjen e kufijve dhe aeroporteve tashmë ka filluar edhe një fluks të madh në hyrjet dhe daljet me Kosovën dhe Serbinë. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, theksoi se këto ditë do të diskutojnë me autoritetet shëndetësore të Kosovës dhe Serbisë për gjendjen me virusin Korona dhe rreziqet e mundshme për shtetin tone, duke pasur parasysh se dy vendet në javën e fundit kanë regjistruar rritje të rasteve të reja.

“Për momentin jo, sepse të dhënat zyrtare deri më tani nuk tregojnë numër të madh, megjithëse kishim informacione se diçka jozyrtare po ndodh. Ne do të flasim këto ditë me përfaqësuesit e autoriteteve të tyre shëndetësore për të parë se cila është gjendja, cilat janë rreziqet e mundshme për vendin tonë. Po, absolutisht po, nëse në çdo kohë vendosim që është e nevojshme ndonjë masë kufizuese, pavarësisht nëse është duke kaluar kufirin apo lëvizje kufizuese në ndonjë pjesë të vendit, do ta rekomandojmë.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Sa i përket kapaciteteve të spitaleve që trajtojnë të sëmurët me covid19, Filipçe bëri të ditur se edhe përkundër rritjes së numrit të të infektuarve megjithatë ka shtretër të lirë madje edhe në klinikën infektive. Sa i përket fushatës zgjedhore të partive, Filipçe theksoi se parimet janë të qarta dhe vlejnë për të gjithë, për çdo tubim. Distanca fizike dhe mbajtja e maskave.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 1 Korrik, 2020 18:54

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.