Visar Bekaj: Tirana është klubi më i madh në shqiptari, nga Prishtina u largova për këtë arsye

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka September 9, 2020 20:02

Visar Bekaj: Tirana është klubi më i madh në shqiptari, nga Prishtina u largova për këtë arsye

I blerë për një shumë të konsiderueshme parash, ish-portieri i Prishtinës ka veshur fanellën bardheblu. Stërvitjen e parë e zhvilloi dje, nën drejtimin e vet Emanuel Egbos.

Gardiani prishtinas në një intervistë për “Panorama Sport” foli për të ardhmen dhe sigurisht aventurën që do të kalojë me Tiranën, skuadrën kampione të Shqipërisë.

Ai thotë që ka ardhur te bardheblutë për t’u shpallur kampion dhe për të arritur një skuadër të madhe në Evropë.

Ishit titullar te Prishtina, po përse zgjodhët të vishnit fanellën e Tiranës?

Besoj se nuk ishte zgjedhje e vështirë. Ishte një zgjedhje e lehtë për të zgjedhur një klub si Tirana që është kampione. Siç e kam thënë, ngjyrat nuk i kam ndërruar, por vetëm jam në një vend tjetër. Kam ndërruar edhe kryeqytet. Të gjithë e dinë cila është Tirana, klubi më i madh në shqiptari. Thjesht kam zgjedhur më të mirën. Jam i bindur që do të bëjmë më të mirën, ka për të na ecur mirë dhe do të bëhemi kampionë.

Do të jeni në konkurrencë me Ilion Likën, një djalë që ka qenë ndoshta portieri më i mirë dy-tri sezoneve të fundit në Shqipëri…

Kam ardhur te Tirana për t’u stërvitur, për të treguar veten. I respektoj të gjithë lojtarët dhe besoj që do të shkojmë shumë mirë. Unë do të jap maksimumin në fushë.

Për ata që ndoshta nuk e dinë, ju keni luajtur edhe me moshat e Shqipërisë?

Po, është e vërtetë. Kam qenë pjesë e 17-vjeçarëve të Shqipërisë. Në Shqipëri kam ardhur për një trampolinë të madhe, për një klub të madh tej shqiptarisë. Shpresoj që ky sezon të ecë mirë dhe të shpallemi kampionë.

Beqaj, që dikur luante në Shqipëri, kapi Kombëtaren e Shqipërisë, ju atë të Kosovës?

Ky është qëllimi. Tirana nuk do të jetë trampolinë vetëm për të ardhmen në klube. Besoj se do të më ndihmojë që të arrij edhe Kombëtaren e Kosovës, ose më saktë formacionin titullar. Sigurisht, kjo vjen me paraqitje të mira. Jam i bindur se do të na ecë mirë si këtu dhe në Kombëtare.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka September 9, 2020 20:02