Vjeshta, paralajmërimi për një dimër të keq

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 24 Shtator, 2022 19:40

Vjeshta, paralajmërimi për një dimër të keq

Cilat produkte do të shtrenjtohen më shumë dhe mund të ketë mungesa në treg? Një gjë e tillë është vështirë të parashikohet. Nga Banka Popullore konstatojnë se në një situatë me oscilacione të theksuara, sa i takon çmimeve ndërkombëtare të produkteve primare (shkaktuar kryesisht nga lufta në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë), lëvizjet e çmimeve janë të ndryshueshme dhe të vështira për t’u parashikuar

Ritmi i rritjes së çmimeve vazhdon pa ndërprerje. Vjeshta hyri së bashku me shpenzime shtesë të papërballueshme për një familje mesatare. Produktet bazike si qumështi dhe nënproduktet, mishi, zarzavatet tregtohen me çmime që vijojnë rritjen, ndërsa produktet e paketuara nëse nuk kanë pësuar ndryshim në çmim, tregtohen me gramazhë të reduktuar, tipike për bukën, sheqerin…. Në kërkim të çmimeve më të lira, konsumatori endet sa nga një market në tjetrin, ose në tregjet e hapura ku vlerat e produkteve janë disa denarë më të lira. Në markete dhe tregje çmimi i djathit të lopës nuk tregtohet më lirë sesa 300 denarë – 350 denarë, i deles nuk shitet për më pak se 450 denarë kilogrami. Gjiza po ashtu është shtrenjtuar ndjeshëm, më e lira 150 denarë e deri në 200 denarë, ajo më cilësorja. Vetë qumështi, një litër, tregtohet nga 51 deri në 80 denarë.

Në markete çmimi i vajit shkon nga 130 denarë (më i liri), mielli prej 36 denarë për kilogram,ndërsa s ai takon fruta – perimeve domatet tregtohen mbi 65 denarë, patatet shiten 40-50 denarë për kilogram, mollët janë nga 40 deri në 80 denarë për kilogram. Mishi i grirë shitet nga 250 deri në 340 denarë kilogrami, i lopës nga 600 denarë e lart. Buka, nga ana tjetër, sasia e së cilës në pakon që prodhuesit dinë ta zvogëlojnë që të mos e ndërrojnë çmimi shitet nga 33 denarë e lart.

Ekspertët paralajmërojnë për një vjeshtë të vështirë dhe një dimër edhe më të keq. Cilat produkte do të shtrenjtohen më shumë dhe mund të ketë mungesa në treg ? Një gjë e tillë është vështirë të parashikohet. Në raportin mujor të Bankës Popullore vërehet se në një situatë me oscilacione të theksuara sa i takon çmimeve ndërkombëtare të produkteve primare (shkaktuar kryesisht nga lufta në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë), lëvizjet e tyre janë të ndryshueshme dhe të vështira për t’u parashikuar. Për shembull, projeksionet e BP nuk korrespondojnë me situatën.

“Norma vjetore e inflacionit 16 për qind (e arritur në korrik) është mbi normën e parashikuar nga cikli i projeksionit të prillit, ku devijimi është më i theksuar në sektorin e energjisë dhe komponentit ushqimor. Në korrik 2022, çmimet e konsumit të brendshëm u rritën me 1.9% në bazë mujore (2.8% në muajin paraardhës), si rezultat i rritjes së çmimeve në të tre komponentët kryesorë. Në të njëjtën kohë, kontributin më të madh në rritje e kanë rritja e çmimeve të energjisë, kryesisht për shkak të çmimit më të lartë të energjisë elektrike për amvisëritë”, raporton BP. Shporta minimale në muajin gusht për një familje prej katër anëtarësh ishte 48.234 denarë, sipas Lidhjes së Sindikatave (LSM). Sipas të dhënave të fundit, një familje që jeton në një shtëpi prej 50 metrash katrorë dhe nuk posedon veturë, i nevojiteshin 41.295 denarë vetëm për të siguruar produktet bazë për jetë, por me rritjen e inflacionit prej 16.8 për qind, ajo u rrit për 6.937 denarë.

“Sipas të dhënave, vetëm për ushqimet dhe pijet, ku përfshihen 63 produkte që nuk shprehin nevojat e plota ushqyese, por mundësitë, zakonet dhe traditën në dietë dhe vlera e të njëjtave nuk merret si mesatare, por si vlerë minimale nevojiteshin 18.324 denarë, ose 324 denarë më shumë se paga minimale”, thonë nga LSM. Në këtë përllogaritje nuk janë përfshirë shpenzimet e materialeve të nevojshme për fillimin e vitit shkollor për një nxënës, për të cilat duhet të ndahen 6000 denarë shtesë. SSM thotë se vetëm ushqimi kërkon pak më shumë se një pagë minimale. (koha.mk)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 24 Shtator, 2022 19:40

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare