Vlerësimet e partive për masat ekonomike

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 13, 2020 19:16

Vlerësimet e partive për masat ekonomike

Aleanca për Shqiptarët konsideron se masa 1, e paketës së dytë ekonomike të Qeverisë, për mbështetje të sektorit privat, në vend që të motivojë punëdhënësit të mbajnë punëtorët në punë, ka nxitur të kundërtën. Prandaj, ASh kërkon që të ndërhyhet dhe kjo masë e qeverisë të përshtatet me nevojat e biznesit.

“ Bizneseve të goditura nga kriza, në vend 50%, t’u mundësohet 100% subvencionimi i kontributeve të pagave të punëtorëve në nivel të pagës minimale. Bazuar në numrin e të punësuarve në veprimtaritë e goditura nga kriza para së gjithash hoteleri, turizëm dhe transport.”- thuhet në kumtësen e ASh-së.

Ndërkaq, LSDM konsideron se masat ekonomike që ka marrë Qeveria, janë në favor të punëtorëve dhe bizneseve, përkatësisht ruajnë rreth 250 mijë vende pune dhe janë vlerësuar pozitivisht nga FMN-ja.

“Politikat ekonomike që po zbaton Qeveria e kryesuar nga LSDM ruajtën besimin e institucioneve ndërkombëtare financiare në ekonominë tonë. Masat që po zbatohen janë vlerësuar mirë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar prandaj përkrahja prej 176 milionë euro është dyfish më e madhe se parashikimi fillestar. Këto mjete do të ndihmojnë për tejkalimin më të shpejtë dhe më të lehtë të pasojave ekonomike nga virusi korona.” – tha zëdhënësja e LSDM, Bogdanka Kuzeska.

VMRO DPMNE nga ana tjetër ka kundërshtuar paralajmërimin e Qeverisë për rritjen e akcizës për naftën. E cilëson përfitim në kohë epidemie.

“Ajo që në kohë lufte quhet përfitim lufte, tani në kushte pandemie me koronë quhet kronizëm. Kronizëm është kur Qeveria në kuriz të qytetarëve do të kumtojë vendim për rritje të akcizës për naftën. Kjo do të thotë se Zoran Zaev dhe Qeveria, drejt për drejtë do të marrin para nga xhepi i qytetarëve për të plotësuar zbrazëtirën buxhetore, lëvizje nga e cila do të pasurohen një numër i vogël “tajkunësh”.” – deklaroi Igor Janushev nga VMRO DPMNE.

VMRO konsideron se rritja e akcizave do të shtrenjtojë jetesën e qytetarëve dhe do të rrit varfërinë, prandaj kërkojnë nga Qeveria që të heq dorë nga ky qëllim. (TVM2)

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka April 13, 2020 19:16