VMRO DPMNE: Dorëheqja e Zaevit është blof. LSDM mbledh nënshkrime që Zaev të mbetet lider

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 2 Nëntor, 2021 22:42

VMRO DPMNE: Dorëheqja e Zaevit është blof. LSDM mbledh nënshkrime që Zaev të mbetet lider

Paralajmërimi i kryeministrit, Zoran Zaev, për dorëheqje është mirëpritur nga opozita por jo nga bashkëpartiakët dhe partnerët e koalicionit.

VMRO DPMNE kërkon nga kryeministri, Zoran Zaev, që të mbaj fjalën dhe të dorëhiqet ashtu siç premtoi. Konsiderojnë se Zeav nuk i mban premtimet ndërsa deklarimi se do të dorëhiqet është vetëm një blof politik.

“Shohim se si klientelistët dhe vartësit e tij përgatisin ambient për të mos u tërheq dhe për mosmbajtje të përgjegjësisë. Zoran Zaev sërish bëri blof dhe mbeti në dorëheqjen në fejsbuk por nuk e dorëzoi me shkresë në Kuvend. Duket se dorëheqja e Zaevit është njësoj si dorëheqja e Filipçes, e dorëzoi që të mos pranohet, dhe më pas t’i ik përgjegjësisë.”,- theksoi Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE.

Mirëpo anëtarësia e LSDM-së është animuar për të demonstruar përkrahjen e tyre për kryetarin e partisë dhe kreun e Qeverisë.

“Duam ta njoftojmë kryetarin Zaev se maksimalisht qëndrojmë pas tij. Me të vërtetë, në pesë vitet e fundit u bë shumë, si për partinë ashtu edhe për shtetin. Jemi dëshmitarë të gjithë. U bëmë shteti i 30 i NATO-s, u rritën pagat dhe standardi jetësor.”,- theksoi Martin Kostoski nga LSDM.

Edhe partnerët e koalicionit përfshi BDI-në dhe Lëvizjen BESA u deklaruan kundër dorëheqjes së kryeministrit Zaev, me arsyetimin se Qeveria ka marr mandat katërvjeçar në zgjedhjet parlamentare të 2020-ës dhe se rezultati i zgjedhjeve lokale ka të bëjë me pushtetin lokal dhe jo atë qendror.

Mirëpo kreu i Partisë Liberal Demokrate dhe ministër e Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski thotë se dorëheqja e Zaevit është e hapur në tryezën e koalicionit. Në emisionin “Utrinski Brifing”, Milevski thotë se, deri të premten, Zaev do të kërkojë mendimin e partnerëve të koalicionit për emrin e ri, i cili do të udhëheq qeverinë.

“Për ne nuk është aq i rëndësishëm emri i kryeministrit të ri, por si do të vazhdojë politika e re”, tha Milevski./ Tvm2

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 2 Nëntor, 2021 22:42