VMRO-ja se ka definuar pyetjen e referendumit

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 3 Gusht, 2022 19:38

VMRO-ja se ka definuar pyetjen e referendumit

VMRO-DPMNE-ja nuk e ka definuar akoma pyetjen me të cilën propozojnë që vendi të shkojë në referendum, shkruan Alsat.

Ata thonë se referendumi do të jetë shuplakë për pushtetin për politikat të cilat nuk janë në interes të qytetarëve.

“Është e qartë se duhet të ketë referendum. Por edhe më e qartë është se pushteti frikësohet dhe e din se nuk ka të drejtë prandaj i ik kësaj teme. Ne sapo të përfundojmë me konsultimet brendapartiake do të dalim dhe do ta prezantojmë publikisht se cila do të jetë pyetja dhe si do të realizohet”, tha Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE.

Për LSDM-në, referendumi i paralajmëruar i VMRO-DPMNE-së, do të jetë vetëm me peshë brendapartiake.

“VMRO-DPMNE-ja akoma nuk e ka definuar pyetjen për referendumin të cilin e propozojnë. Kjo është dëshmi se VMRO-DPMNE-ja, gjegjësisht Hristijan Mickoski, referendumin e shfrytëzon vetëm për përdorim të brendshëm, gjegjësisht për ruajtjen e kolltukut të tij në parti”, u shpreh Bogdanka Kuzeska, LSDM.

Ideja për referendum e VMRO-DPMNE-së erdhi pasi pushteti miratoi kornizën negociuese me BE-në. Opozita synon të pyes qytetarët nëse pajtohen me negociatat me BE-në, me kushtet të cilat i përmban korniza.

Në nivel të shtetit, sipas Kushtetutës dhe Rregullores, Kuvendi shpall referendum me iniciativë të tij ose me propozimin e të paktën 150 mijë qytetarëve. Për të duhet të shprehen shumica e votuesve nëse në referendum marrin pjesë të paktën një e treta e qytetarëve të regjistruar në listën zgjedhore.

Për miratimin e rezultateve të referendumit duhen të paktën 61 vota në Kuvend./ Alsat.mk

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 3 Gusht, 2022 19:38