Von der Leyen: BE-ja do t`i zgjerojë sanksionet kundër Bjellorusisë
Shefja e Komisionit Evropian kritikoi Bjellorusinë për krizën e fundit në kufirin me Poloninë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se Bashkimi Evropian do të zgjerojë sanksionet kundër Bjellorusisë për shkak të krizës së emigrantëve me Poloninë.
Komentet e shefes së Komisionit erdhën në një prononcim për gazetarët në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë pas një takimi me presidentin amerikan Joe Biden.
Duke u shprehur se kishin një takim pozitiv me Biden-in, von der Leyen deklaroi se ranë dakord të punojnë për rritjen e shkallës së vaksinimit kundër COVID-19.
Von der Leyen tha se çështja e Ukrainës dhe kriza e emigrantëve midis Polonisë dhe Bjellorusisë ishin gjithashtu temë diskutimi dhe vuri në dukje se BE-ja do të zgjerojë sanksionet kundër Bjellorusisë dhe se këto sanksione do të synohen si ndaj individëve, ashtu edhe ndaj organizatave.
Ajo kritikoi Bjellorusinë për krizën.
“Kjo nuk është krizë emigrantësh midis Bjellorusisë dhe Polonisë, por është një përpjekje e regjimit autokratik në Minsk për të destabilizuar fqinjët e tij”, deklaroi von der Leyen.
Ndryshe, tensionet në kufirin lindor të BE-së u rritën pas shumë persona që kanë hyrë në Bjellorusi përmes rrugëve legale por që duan të migrojnë në Evropë, tentuan të hyjnë në Poloni.
Bjellorusia akuzon Poloninë se nuk trajton në mënyrë humane njerëzit që duan të emigrojnë në Evropë, ndërsa qeveria polake akuzon Bjellorusinë se i përdor këta njerëz si mjet politik.