Vonesat e pagesave, në rritje

Vonesat e pagesave, në rritje

Pritet që dhe me krizën aktuale shëndetësore e që do të ulë rrjedhat ekonomike në shtet dhe të zvogëlojë likuiditetin, ky problem të zgjerohet edhe më tej

Edhe pas gjashtë vitesh të hyrjes në fuqi të Ligjit për disiplinë financiare, biznesi dhe ekonomia në vend kanë problem me pagesën e rregullt të borxheve të ndërsjella. Edhe pse pritej që Ligji të rregullojë pagesën ndërmjet kompanive, por edhe të disiplinojë institucionet shtetërore që vonohet me pagesën e obligimeve ndaj sektorit privat, afaristët ankohen se nuk respektohet si duhet pagesa e obligimeve në afat prej 60 ditësh, shkruan gazeta KOHA.

Vite me radhë në Maqedoni, përkundër dispozitave ligjore që përcaktojnë pagesën në afat prej 60 ditësh, borxhet ndërmjet bizneseve paguhen edhe deri katër muaj apo edhe më gjatë. Për këtë shpesh kompanitë marrin edhe borxhe nga banka apo mbajnë likuiditetin me kredi të reja bankare , të cilat në mënyrë të konsiderueshme shfrytëzohen edhe për pagesën e borxheve. Afaristët vlerësojnë se pagesat ndryshojnë nga sektori në sektor ku disa janë më të rregullt në pagesa , ndërsa të tjerët vonohen , apo paguajnë me kompensime si ndërtimtarët në banesa në vend me të holla të gatshme.Pritet që edhe me krizën aktuale shëndetësore që do të ulë rrjedhat ekonomike në shtet që do rrisë edhe tej likuiditetin, që ky problem të zgjerohet edhe më tej. Nga ana tjetër, në fillim të javës edhe sektori i hotelerisë kërkoi që të mos zbatohet Ligji për disiplinë financiare në tre deri pesë muajt e ardhshëm. Gjithashtu edhe analizat e Shoqatës së kontabilistëve tregojnë se në muajin janar dhe shkurt është shënuar ulje e qarkullimit për 15-20 për qind, ndërsa deri më 11 mars ekzistojnë edhe më shumë kompani që kanë filluar të largojnë punëtorët nga puna dhe që shënojnë rënie prej 40 për qind të qarkullimit. Sipas ekspertit Goran Rafajllovski, paqartësitë në zbatimin e këtij ligji, por edhe ruajtja e marrëdhënieve të mira me tendencë që të mos prishet bashkëpunimi ndërmjet bizneseve , janë disa nga faktorët që ndikojnë që ky ligj të mos gjejë zbatimin e plotë në praktikë.

“Edhe më parë kishim vonesa në pagesa, ndërsa në kushtet të tilla është mjaft vështirë ta zbatosh këtë ligj, për shkak se aktualisht bëhet fjalë për mbijetesën e biznesit. Me fjalët të tjera, si mund ti kërkosh dikujt të paguajë kur e dinë se nuk ka mundësi të tillë “, thekson ai. Kohë më parë eksperti i kësaj fushe Sasho Radenkoviq, theksoi se edhe para miratimit të këtij ligji , është evidentuar problem me pagesën ndërmjet debitorëve, andaj edhe është miratuar një instrument i tillë për të siguruar pagesën e sigurt të borxheve .Megjithatë shton ai , edhe në vitet e kaluara është vërejtur një pozitë jo e barabartë e subjekteve në treg.

“Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ai vlente nga fillimi vetëm për sektorin privat, ndërsa sektori publik ishte dhe mbetet akoma i privilegjuar në aspektin e afateve”, thekson Radenkoviq. Sipas tij , ligji do të duhej të ofrojë siguri për kompanitë se do të garantojë pagesat me tendencë që të përmirësohet dhe mos vonohet pagesa, si dhe shkurtohen afatet e pagesës. Të dhënat e disponueshme të Bankës Popullore tregojnë se në muajin shtator të vitit të kaluar kanë qenë të bllokuara llogaritë e 41.142 kompanive. Nga janari i vitit 2019 deri në shtator të vitit 2019, ka pasur një trend të ngjashëm të llogarive të bllokuara të bizneseve prej afër 40 mijë në muaj.

Ndryshe , Lidhja Social Demokrate në fillim të muajit mars të këtij viti ka paralajmëruar se në rast se sërish formon qeveri do të mundësojë lidhjen horizontale të llogarive tatimore si mundësi e anulimit të llojeve të ndryshme të tatimeve për personat juridik. Është premtuar edhe inkuadrimi i institucioneve shtetërore dhe qeveritare në Ligjin për disiplinë financiare, si dhe barazimi i obligimeve të tyre të pagesës me obligimet e pagesës së sektorit privat. (koha.mk)

Linda Limani
nga Linda Limani 28 Mars, 2020 10:27

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.