Votëbesim i Qeverisë të shtunën?

Redaksia
By Redaksia 9 Nëntor, 2021 22:03

Votëbesim i Qeverisë të shtunën?

Njoftimi i deputetit Skender Rexhepi se pranon ofertën e VMRO-DPMNE-së për të dorëzuar një iniciativë të re për votim mosbesimi në Qeveri, e cila do të nënshkruhet nga ai dhe 19 deputetë të tjerë të VMRO-DPMNE-së (dhe jo të Majtës), sjell momente të reja politike në vend, përcjell FLAKA.

Nëse kjo ndodh dhe opozita paraqet një nismë të re, atëherë dita e mosbesimit do të ndryshojë. Nëse opozita e dorëzon nesër nismën e re, atëherë seanca e votimit do të duhet të jetë për tre ditë, pra të shtunën.

Sa i përket nismës së parë të dorëzuar, sipas Rregullores, parashtruesi mund ta tërheqë atë, me çka do të anulohet seanca e votimit të mosbesimit që kryeparlamentari Talat Xhaferi e kishte caktuar për të enjten.

Sipas Rregullores së Kuvendit, pyetje për besimin e Qeverisë mund ta paraqesin së paku 20 deputetë, me shkrim dhe me shpjegim. Më pas kryeparlamentari Talat Xhaferi ka dorëzuar menjëherë çështjen e besimit tek deputetët, qeveria dhe presidenti i vendit.

Afatet e procedurës janë shumë të sakta. Neni 215 i Rregullores përcakton se për çështjen e besimit të Qeverisë, Kryetari i Kuvendit thërret menjëherë seancën, e cila mbahet në ditën e tretë nga dita e shtrimit të nismës. FLAKA

Redaksia
By Redaksia 9 Nëntor, 2021 22:03