Vuajmë për vetëdije. Institucionet thirrje të mos keqpërdoret uji

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 13, 2019 20:44

Vuajmë për vetëdije. Institucionet thirrje të mos keqpërdoret uji

Në mes të kryeqytetit pa pikë uji. Me këtë situatë banorët e rrugës “Mendeleva” në lagjen Gazi Babë të Shkupit, ballafaqohen po thuajse për çdo verë. Temperaturat e larta nga njëra anë dhe mungesa e ujit të mjaftueshëm, qoftë për pije apo pastrim, dukshëm ua vështirëson jetesën banorëve të kësaj rruge. Një problematikë të tillë e kanë edhe disa rrugica në lagjen Seravë. Kyçjet ilegale në rrjetin e ujësjellësit dhe harxhimet e pakuptimta të ujit për freskimin e mëhallëve paraqesin arsye shtesë se pse banorët e disa rrugëve në Gazi Babë e Serave nuk kanë ujë të bollshëm. Të prekur nga kjo situatë, ata shprehen të revoltuar me mos veprimin e inspektorateve për vërtetimin e parregullsive. Në mungesë të vetëdijes shoqërore për shfrytëzimin e ujit dhe kur institucionet përkatëse heshtin dhe nuk e bëjnë punën e tyre, atëherë me një sfidë të tillë përballen dhjetëra familje në pjesën e vjetër të Shkupit.

Autoritet e Komunës së Çairit në territorin e të cilës bien këto lagje, nuk ishin të kapshëm për të sqaruar se pse nuk merren masa për zgjidhjen e këtyre ankesave.

Ndryshe, rritja e temperaturave edhe në nivel të qytetit të Shkupit ka shënuar rritje të harxhimit të ujit. Apelet e institucioneve relevante, siç është rasti me Ndërmarrjen Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, për kursimin e uji, gjegjësisht shfrytëzimin racional të tij, fare nuk merren parasysh. Shifrat e publikuara nga kjo ndërmarrje tregojnë se banorët e kryeqytetit nuk e përfillin thirrjen e organeve komunale për mos derdhjen e kotë të ujit. Kjo gjendje vazhdon të përsëritet vit pas vitit. Larja e veturave dhe sokakëve, mbushja e pishinave të gomës e harxhimet tjera të kësaj natyre mendohet të jenë arsyeja kryesore pse gjatë verës në Shkup shtohet sasia e konsumimit të ujit.

Sipas të dhënave të NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, deri më tani më tepër ujë është harxhuar gjatë muajit qershor. Pra, brenda një ditë – gjatë muajit të kaluar në Shkup janë harxhuar mbi 310 mijë metër kub ujë. Të dhënat statistikore të kësaj ndërmarrje tregojnë se për dallim nga viti 2018, nuk ndonjë ndryshim të madh. Por, se alarmojnë se kjo është sasi e madhe e ujit që harxhohet. “Ne si ndërmarrje kemi mjaftueshëm ujë për mbulimin e nevojave të qytetit. Varësisht nga gjendja e burimit në Rahçe, nëse është nevoja – në përdorim lëshohen edhe shtatë puset që gjenden në rajonin e Nerezit dhe Lepencit. Nëse në Shkup jetojnë rreth 550 mijë banorë, atëherë secilit i bie që brenda ditës të konsumojë rreth 550 litra ujë. Në këtë numër janë të përfshirë edhe harxhimet industriale, pishinat private dhe shtetërore, parqet private e kështu me radhë. Sidoqoftë, është konstatuar se ka harxhim të papërgjegjshëm të ujit. Ne ju rekomandojmë që uji kryesisht të përdoret për nevojat e shtëpisë dhe mos të keqpërdoret, me të vetmin qëllim që të ketë ujë për të gjithë”, thonë nga NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”.

Krahas këtyre shkeljeve, një sasi e konsiderueshme e ujit të pijshëm harxhohet kotë si rezultat i çezmave publike të dëmtuara, apo gypave të plasur që rrjedhin me vite. (koha.mk)

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 13, 2019 20:44