Vuçiq: Askush nuk na ka ofruar “sovranitet të dyfishtë” në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pret që në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, në Berlin, t’i kërkohet qartësisht që Serbia ta pranojë shtetin e Kosovës. Ai ka theksuar se edhe në këtë samit do të shprrehë qëndrimet e tij “të qarta e të vendosur”.
Vuçiq ka theksuar se presionet që nuk e përfshijnë kompromisin nuk ndihmojnë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
“Në qoftë se dikush mendon se kompromisi duhet të përfshijë themelimin e gjykatave për serbët (gjykatën për krimet e luftës që i ka kryer Serbia në Kosovë), pagesën e reparacioneve të luftës nga Serbia, njohjen e Kosovës së pavarur… Serbia nuk do të marrë pjesë në atë film, derisa në zgjedhje, ndoshta dikur, nuk fiton dikush tjetër”, citohet Vuçiq nga gazeta beogradase “Danas”.
Vuçiq i ka komentuar edhe shkrimet se Gjermania dhe Franca do të propozojnë sovranitet të dyfishtë në pjesën veriore të Kosovës dhe në zonat e objekteve ortodokse të kultit. Ai ka thënë se askush nuk ka bërë një “ofretë” të tillë, por, megjithatë, e ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike.
“Nuk di çka është sovraniteti i dyfishtë. Askush nuk na e ka thënë, nuk ka e ka ofruar, por kjo nuk do të ndodhë asnjëherë, pra as në Berlin”.
Presidenti i Serbisë i ka bërë këto komente pas takimit me një grup prej 27 serbësh nga Kosova, të cilët thuhet se kanë udhëtuar këmbë deri në Beograd , për t’i shprehur atij mbështetje.
Vuçiqi ka paralajmëruar se Serbia do të ndërmarrë “masa reciprociteti” ndaj Kosovës dhe se për këtë do t’i njoftojë edhe kancelaren gjermane dhe presidentin francez, në takimin e Berlinit.
“Kemi pritur gjashtë muaj dhe nuk kemi ndërmarrë masa reciprociteti ndaj Prishtinës, por Serbia nuk mund të durojë pafundësisht dhe të mos u kundërpërgjigjet veprimeve të kundërligjshme . Këtë do t’ua them edhe Makronit edhe Angela Merkelit”, është shprehur ai.