Vulin thotë se një grup kriminal ka planifikuar vrasjen e Vuçiqit

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 21 Janar, 2022 22:40

Vulin thotë se një grup kriminal ka planifikuar vrasjen e Vuçiqit

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin tha se një organizatë kriminale e kryesuar nga shtetasi malazez, Radoje Zvicer, një nga liderët e “Klanit Kavac”, kishte planifikuar vrasjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Anëtarët e MPB-së dhe BIA-s, së bashku me përfaqësuesit e Europolit dhe shërbimet partnere nga të cilët kemi marrë informacion, kanë nisur një aksion gjithëpërfshirës për përcaktimin e identitetit të të gjithë anëtarëve të kësaj organizate kriminale, e cila synon të vrasë presidentin serb Aleksandër Vuçiq”, tha Vulin, raporton n1.

Ai shpjegoi se më 14 janar, informacioni me shënimin “urgjent” ka ardhur nga “pjesëtarë të policisë së një shteti anëtar të Bashkimit Europian”, të cilët kanë informuar Ministrinë e Brendshme për ekzistencën e një grupi të përbërë nga shtetas të vendeve të ndryshme, qëllimi i të cilit ishte vrasja e Vuçiqit.

Në krye të kësaj organizate është shtetasi malazez, Radoje Zvicer, për të cilin Serbia tashmë “ka lëshuar fletarrest”, tha Vulin.

Ai tha se hetimi do të përcaktojë nëse Zvicer “e mblodhi këtë organizatë kriminale për të vrarë presidentin sipas gjykimit të tij apo sepse ai mori urdhra nga lideri i tij politik”.

Deri atëherë, anëtarët e MPB-së dhe BIA-s do të informojnë Prokurorinë për Krimin e Organizuar për çdo informacion që do të kenë, dhe në bashkëpunim me strukturat e inteligjencës ushtarake do të ruajnë paqen, stabilitetin dhe rendin kushtetues, si dhe sigurinë dhe jetën e Presidentit, tha ministri.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 21 Janar, 2022 22:40