VV dhe LDK pajtohen për bashkëqeverisje

VV dhe LDK pajtohen për bashkëqeverisje

Ka përfunduar takimi i kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa dhe kandidaten për kryeministre të LDK-së, Vjosa Osmani. Kryetari i LVV-së, njëherësh kandidat për kryeministër nga kjo parti, Albin Kurti, tha se është diskutuar për një marrëveshje në mes dy palëve për qeverisjen e ardhshme.

Kurti ka deklaruar se më LDK-në janë marrë vesh që ta minimizojnë numrin e ministrive dhe zëvendësministrave në Qeverinë e Re. Ai, po ashtu, deklaroi se me Osmanin u pajtuan që të kenë një Qeveri e cila do të përbëhet edhe nga femrat, ku kuota pritet të jetë 30 për qind.

Ndërkohë për ndarjen e posteve Kurti tha se nuk kanë biseduar në takimin e sotëm me Osmanin. Tutje, Albin Kurti deklaroi se Qeveria e tij do të ketë transparencë. Ai thotë se nuk do të bëjnë pazare politike. Sipas Kurtit, ato janë bërë në Qeverinë PAN.

“Pazare politike keni parë me PAN-in. Transparencë do të ketë qeveria e re”, sqaron Kurti.

Kurti tha se qeveria e tij do të ketë maksimalisht 12 ministri. Tutje ai tha se nuk do të vrapojnë pas Listës Serbe për t’i kërkuar koalicion.

“Natyrisht që Kosova ka humbur shumë kohë, dhe pritjet e qytetarëve janë shumë të larta. Dhe pa humbur kohë në filluam bisedimet duke u nisur me idenë e përbashkët për qeveri sa më efikase dhe shtet sa më të fuqishëm. Ne duam që ti dalim zot nevojave të qytetarëve dhe ta orientojmë shtetin nga zhvillimi e demokracia”, ka deklaruar Kurti.

“U dakorduam që të kemi një qeveri prej 30 për qind të përfaqësimit gjinor minimalisht do të jenë 30 për qind gra edhe në mesin e ministrave dhe zv ministrave. Do të kemi shumë më pak ministri e shumë më pak zëvendësministra”, thotë Kurti.

“Ekipet tona do të takohen për të harmonizuar programet e projektet tona. Ne kemi diskutuar se si do t’i zvogëlojmë bashkojmë përgjegjësitë në kabinetin qeveritar. Porsa ta kemi rezultatin konkret ne do t’ju njoftojmë për emrat e përveçëm në qeverinë e ardhshme.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Tetor 10, 2019 15:09

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR
Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA