VV: Elita maqedonase ka aleatët shqiptarë…

VV: Elita maqedonase ka aleatët shqiptarë…

Lëvizja VETËVENDOSJE! po përcjell me vëmendje ngjarjet e fundit që po ndodhin në Maqedoni, protestat e demonstratat kundër presidentit Ivanov dhe kundër Ministrisë së Drejtësisë, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Këto protesta nisën pasi që presidenti maqedonas Gjorge Ivanov shpalli me dekret presidencial faljen e të gjithëve atyre që ishin nën hetime lidhur me aferat e publikuara në përgjimet skandaloze të cilat vetëm pjesërisht janë botuar në vitin e shkuar.

Përgjimet vërtetuan botërisht se Maqedonia qeveriset prej një elite tepër të korruptuar, mafioze, e cila mbështetet fort mbi ideologjinë e diskriminimit etnik, viktimë e të cilit diskriminim janë gjerësisht shqiptarët e Maqedonisë.

Kjo elitë maqedonase ka edhe aleatët e saj shqiptarë, me të cilët i lidhin aferat korruptive e mafioze. Edhe pse këta pushtetarë shqiptarë pretendojnë se përfaqësojnë shqiptarët e Maqedonisë, ky popull vazhdon të mbetet në kushte varfërie ekstreme dhe prapambetjeje në të gjitha aspektet. Diskriminimi i shqiptarëve në Maqedoni shihet me sy të lirë, prej Kumanovës në Likovë, prej Haraçinës në Çair e në Shkup, prej Tetovës në Gostivar e Kërçovë, e kudo që shqiptarët banojnë të getoizuar. Si zakonisht në historinë tonë, çdo pushtet antishqiptar, i ka gjetur aleatët e vet shqiptarë për ta lehtësuar sundimin e vet.

Protestat dhe demonstratat kundër veprimit të poshtër të Gjorge Ivanovit, që i amnistoi ata që janë fajtorë për apartheidin e mjerimin, janë të drejta.

Është e pakuptimtë dhe njëkohësisht e papranueshme që qeveritë, e sidomos Ministritë e Jashtme të Shqipërisë e të Kosovës kanë heshtur deri më tani. Është në interesin e thellë të çdo politike shqiptare që ata që janë përfshirë në skandalet e publikuara prej përgjimeve në Maqedoni, të mbajnë përgjegjësi ligjore. Po ashtu është në interesin tonë që ato përgjime të publikohen në tërësi.

Heshtja e neutraliteti i Kosovës dhe i Shqipërisë zyrtare e ndihmon elitën antishqiptare e kriminale të Maqedonisë që ta zgjasë jetën e vet. Kjo nuk është thjesht amatorizëm në politikën e jashtme, por tregon mungesën e një doktrine diplomatike shqiptare sa i përket Maqedonisë, edhe pse aty jeton një pjesë domethënëse e bashkëkombasve tanë.

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Prill 14, 2016 13:30

REKLAMA