Wandelt: Është e vështirë të parashikohet se sa do të ndikojë recesioni në Gjermani në Maqedoni
Gjermania regjistroi rënie për dy tremujorë radhazi dhe nga dita e djeshme hyri zyrtarisht në recesion. Sa një situatë e tillë në Gjermani mund të ndikojë në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Maqedoninë, kërkuam përgjigje nga drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermane (AHK) në Maqedoni, Antje Wandelt, e cila theksoi se çështja është komplekse dhe se është e vështirë të parashikohet se sa do të ndikojë recesioni në Gjermani në Maqedoni, përcjell FLAKA.
Ajo nënvizoi se kompanitë gjermane janë të interesuara të investojnë në Maqedoni. Wandelt tha ndër të tjera se çmimet e ngrohjes ishin shumë të larta në periudhën e kaluar dhe kjo do të thotë se do të shpenzohej më pak për gjëra të tjera. Në periudhën e ardhshme faturat e energjisë elektrike dhe gazit nuk do të jenë të larta dhe konsumi do të lëvizë sërish.
“Kjo është një pyetje shumë e vështirë, është gjithashtu komplekse të japësh një parashikim për situatën ekonomike. Por ajo që mund të vërej dhe të konkludoj është se ne si Odë Gjermane në Maqedoninë e Veriut në javët e fundit kemi marrë një numër të madh pyetjesh nga kompanitë gjermane që janë të interesuara për tregun në Maqedoni, si treg ku mund të investoni”, thotë drejtorja e Odës Ekonomike Gjermane në Maqedoni.
Pavarësisht pandemisë së COVID-19 dhe problemeve të tjera që dalin nga aspekti ekonomik, shkëmbimi tregtar ndërmjet Gjermanisë dhe Maqedonisë në vitin 2022 shënoi një nivel të lartë rekord prej 4.8 miliardë euro.
“Ajo që mund t’ju them është se kemi një rritje të konsiderueshme të tregtisë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë kur krahasojmë vetëm vitin 2020 kur tregtia ishte 3.9 miliardë euro, tashmë në vitin 2022 kemi një shkëmbim tregtar prej 5 miliardë euro, më saktë 4.8 miliardë euro dhe këtu shohim një rritje të konsiderueshme”, tha drejtorja e Odës Ekonomike Gjermane në Maqedoni.
E pyetur për mungesën e punëtorëve, Wandelt tha se punëtorët nga RMV nuk duhet të shkojnë jashtë vendit, por të investojnë në ngritjen profesionale. Nënvizoi se kudo ka mungesë të kuadrit profesional. Si shembull, ajo tregoi se ka një emigrim të punëtorëve nga Amerika Latine në Shtetet e Bashkuara.
Sipas Wandelt, nuk ka të bëjë me sa punëtorë mund të mbështetemi, por sa të aftë janë ata. Tha se faktor kyç është nevoja për të investuar në arsim dhe në profesione që i duhen tregut të punës. U bëri thirrje kompanive se duhet të jetë e qartë se punëtorët e kualifikuar duhet të paguhen mirë. FLAKA