Xhepat bosh, çmimet në qiell!

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 14 Janar, 2022 20:15

Xhepat bosh, çmimet në qiell!

Sipas sektorit të biznesit, qytetarët e vendit më shumë se 40 për qind e të ardhurave të tyre i harxhojnë për ushqim dhe energji elektrike, ndërsa gjysma e popullatës nuk mund të konsumojnë mish ose peshk në çdo të dytën ditë. Ekspertët thonë se rritja e çmimeve të ushqimeve bazë do të thellojë edhe më tej varfërinë.

Në tregje dhe në markete çmimet e produkteve po rriten vazhdimisht dhe paralelisht edhe me çmimin e produkteve po rritet edhe çmimi i energjisë elektrike, ngrohjes dhe derivateve të naftës. Rritja e çmimeve që po vazhdon edhe gjatë vitit të ri është një goditje e rëndë për standardin e jetesës së qytetareve. Rritja e faturave gjithnjë e më shumë po e tkurr më shumë buxhetin familjar dhe kjo po reflekton në përllogaritjen përfundimtare të harxhimeve mujore të një familje. Sipas përllogaritjeve të fundit që ka bërë Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, shporta mujore për një familje katër anëtarësh para se të rritej çmimi i energjisë elektrike arrinte në 34.500 denarë. Ndërsa gjatë muajit janar, fatura mujore për shpenzimet e përgjithshme dhe ushqimin do të jetë shumë më e lartë. Sipas sektorit të biznesit, qytetarët e vendit më shumë se 40 për qind e të ardhurave të tyre i harxhojnë për ushqim dhe energji elektrike, ndërsa gjysma e popullatës nuk mund të konsumojnë mish ose peshk në çdo të dytën ditë. Sipas eksperteve, rritja e çmimeve të ushqimeve bazë do të thellojë edhe më tej varfërinë.

Sipas raportit të fundit të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), çmimet në nivel botërore të ushqimeve bazë u rritën për 28 për qind në vitin 2021 – ku ishte dhe niveli më i lartë në 10 vitet e fundit ndërsa shpresa për një rikthim në kushte më të qëndrueshme të tregut gjatë këtij viti janë të vogla. “Kërkesa e vonuar, kostot e larta të transportit dhe çmimet e larta të magazinimit, të kombinuara me motin e keq, mund të ndikojnë në rritjen e çmimeve të ushqimeve”, tha FAO. Ata paralajmëron se çmimet më të larta i rrezikojnë njerëzit më të varfër në vendet e varura nga importi.

Sipas Bllagica Petreski, drejtore e Institutit për Politika Ekonomike dhe Hulumtime “Finance Think”, presionet e çmimeve për ushqimin dhe veçanërisht energjinë do të jenë prezentë edhe për një kohë, pra të paktën në një pjesë të vitit 2022. “Çmimet varen në mënyrë kritike nga bilanci i ofertës dhe kërkesës, pjesërisht e përcaktuar nga vonesat në zinxhirët e furnizimit si dhe nga gjendja e prodhimit të energjisë elektrike në kontinentin evropian. Për momentin nuk mund të bëhen vlerësime veçanërisht të sakta se kur këto presione do të shënonin një stabilizim të konsiderueshëm. Por megjithatë, mbizotëron teza se një pjesë e konsiderueshme e goditjes inflacioniste është kalimtare”, thotë Petreski. Në këtë kuptim, siç thekson ajo, autoritetet duhet të jenë vigjilente, të monitorojnë nga afër zhvillimin e situatës dhe të marrin masat e duhura. “Sa i përket presioneve të çmimeve në vend, efektin më të madh të transmisionit të rritjes së çmimit të energjisë elektrike e kemi parë në muajt tetor -dhjetor, sepse në atë periudhë kompanitë tashmë e blinin energjinë elektrike në tregun e hapur, kështu që një pjesë e rritjes ndoshta ka qenë tashmë të inkorporuara në çmimet e produkteve finale, të cilat qytetarët i panë në tregje dhe që nxitën ngrirjen e çmimeve në nivelin e 1 dhjetorit 2021”, sqaron Petreski.

Sipas saj, momentalisht kryesorja është të mbrohemi nga ndikimet e shtrirjes së mungesës së energjisë elektrike. Ajo gjithashtu theksoi se duhet të harmonizohet ligjërisht ndihma sociale dhe paga minimale bashkë me rritjen e çmimeve me qëllim që të mbahet në nivel standardi i jetës.

Kryetari i Lidhjes së Organizatave të Punëdhënësve të Maqedonisë, Angel Dimitrov, thotë se gjendja aktuale me inflacionin është rezultat i disa faktorëve. “Fillimisht pandemia ndikoi negativisht në prodhimin dhe ndërpreu zinxhirët normalë të furnizimit, më pas në përballja e problemeve të krizës me virusin korona, ku të gjitha qeveritë shpenzuan fonde të mëdha për të ruajtur ekonominë dhe mbajtjen e konsumit, po për fat të keq, nuk u mbulua nga prodhimi dhe shërbimet”, tha Dimitrov. Sipas tij, pikërisht për shkak të faktorëve të kombinuar që ndikojnë në rritjen e çmimeve, nuk mund të jemi të sigurt se kjo do të përfundoj dhe do të mbetet në të kaluarën. “Në këtë situatë Qeveria duhet të mbroj shtresat më të rrezikuara sociale të qytetareve dhe të subvencionojë çmimin e rrymës apo ngrohjes qendrore nga buxheti”, përfundoi ai. Ndryshe, më 31 dhjetor, Qeveria mori vendim që ta rrisë çmimin e energjisë për afër 10 për qind. Ndërsa në anën tjetër, për ta zbutur këtë rritje të energjisë elektrike, Ministria e Ekonomisë deklaroi se për familjet të cilat kanë të ardhura të vogla do të subvencionoj faturat e energjisë elektrike nga 600 deri 800 denarë. (koha.mk)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 14 Janar, 2022 20:15