Zaev: Masat e Qeverisë po japin rezultate, papunësia po ulet

Redaksia
By Redaksia 8 Prill, 2019 18:13

Zaev: Masat e Qeverisë po japin rezultate, papunësia po ulet

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, bashkë me ministren e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, morën pjesë në debatin “Përvojat dhe përfitimet nga garancia për të rinjtë”, ku u diskutua rreth pilot-projektit që u zbatua vitin e kaluar, raporton Anadolu Agency (AA).

Zaev tha se zvogëlimi i papunësisë tek të rinjtë është prioritet i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Ai sqaroi se vitin e kaluar, numri i përgjithshëm i të papunëve është ulur nën 20 për qind dhe tani është 19,4 për qind, duke shtuar se kjo është shtytje që “të trefishohen mjetet për Planin Operativ për Punësim”.

Ai gjithashtu tha se në bazë të masave nga ky plan janë punësuar 3.934 persona në tri qytete, duke theksuar se projekti është akoma në fazën testuese.

“Është me rëndësi që dëgjuam të gjitha argumentet dhe përvojat nga zbatimi i kësaj mase nga Plani Operativ për Punësim. Kjo mund të na ndihmojë shumë që t’i përmirësojmë mekanizmat dhe gjithëpërfshirjen e Garancisë për të rinjtë”, tha Zaev.

Ai theksoi se këtë vit projekti do të realizohet në tërë vendin ndërsa apeloi që të gjithë të papunët të aplikojnë për të përfituar nga masat që ofron ky projekt.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, tha se Maqedonia e Veriut është vendi i vetëm që nuk është anëtare e BE-së, e që ka realizuar pilot-projektin Garanci për të rinjtë. Ajo theksoi se masat e këtij projekti po japin rezultate.

“Kjo është një masë që i ndërlidh të rinjtë me institucionet shëndetësore në ndërmjetësimin gjatë punësimit, që në fund të arrijnë të punësohen në sektorin real. Kompanitë kanë njohur interesin e Qeverisë që me të vërtetë të përgatis njerëz të rinj që do të jenë konkurrues në treg dhe që do të punësohen nga bizneset”, tha Carovska.

Ajo sqaroi se këtë vit pritet që nga masat e këtij projekti të përfitojnë 9.500 të rinj, ndërsa nga viti 2020 do të ketë edhe ligj me të cilin çdo personi të ri do t’i garantohet se pas përfundimit të arsimit, do të ketë mundësi për t’u kualifikuar dhe për të fituar shkathtësi të cilat nuk ka patur mundësi t’i fitojë gjatë procesit arsimor.

Redaksia
By Redaksia 8 Prill, 2019 18:13