Zaev mori pllakë nga studentët e UEJL-së për mbështetje dhe realizimin e politikave rinore

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 17 Dhjetor, 2021 13:27

Zaev mori pllakë nga studentët e UEJL-së për mbështetje dhe realizimin e politikave rinore

Kryeministri Zoran Zaev mori pllakë në shenjë falënderimi për angazhimet dhe mbështetjen e tërësishme për studentët për realizimin e politikave rinore në takimin e sotëm me anëtarët e parlamentit studentor nga Universiteti i Evropës Juglindore, Tetovë dhe kryetari Agron Demiri.

Në takim u diskutua për bashkëpunimin ndërinstitucional, rëndësinë e studentëve dhe rolin e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe kushtet e krijuara nga Qeveria për qytetarët akademik.
Gjithashtu u diskutuan masat e realizuara si vakti i subvencionuar studentor, bursa nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, shtesa për të rinjtë, si dhe Ligji për pjesëmarrjen e të rinjve dhe politikat rinore.

Kryeministri Zaev përgëzoi Universitetin e Evropës Juglindore i cili vazhdimisht po rrit numrin e studentëve, të cilët më pas përshtaten në tregun e punës dhe nënvizoi se kjo në vetvete flet për përkushtimin e lartë të studentëve dhe të tërë stafit, shërbimeve akademike dhe administrative.

“Besoj se me kompetencat dhe njohuritë tuaja të fituara do të zhvilloni potencialet tuaja në vend, në punë dhe do të kontribuoni në zhvillimin e vendit. Mbështetja për studentët do të rritet dhe ajo që është e rëndësishme është të ofrohet cilësi. Ne jemi një vend i vogël, por arrijmë të përballemi me sfidat, të zhvillojmë ekonominë dhe sistemin në të cilin të rinjtë do të kontribuojnë dhe do të realizohen me sukses në fushën që kanë zgjedhur”, tha Zaev, duke shtuar se studentët përmes Grupit të punës MASH-TË RINJ në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, marrin pjesë në krijimin e politikave të suksesshme rinore dhe konsultohen për nevojat e tyre të cilat më tej zbatohen në masa konkrete.

Kryetari i Parlamentit Studentor Demiri u shpreh i kënaqur për bashkëpunimin e hapur të deritanishëm dhe theksoi se fondet e ndara nga shteti për Universitetin e Evropës Juglindore ndahen për bursa studentore meritore dhe sociale. Ai shprehu mirënjohje për bashkëpunimin dhe mbështetjen e të rinjve për nxitjen e rritjes së bursave studentore, si dhe për vendosjen e vaktit të subvencionuar për të gjithë studentët e universiteteve shtetërore dhe private në vlerë prej 2.400 denarë.

Në takim u diskutua edhe për sfidat dhe drejtimet që duhet të ndërmerren në të ardhmen për të përmirësuar standardin e studentëve

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 17 Dhjetor, 2021 13:27