Zaev: Plotësuam 4 kushtet, presim datën

Desk
By Desk May 1, 2019 19:10

Zaev: Plotësuam 4 kushtet, presim datën

Kryeministri, Zoran Zaev, konsideron se Maqedonia e Veriut i ka plotësuar të gjitha kushtet e vëna nga ana e BE-së për fillimin e negociatave për anëtarësim brenda këtij viti, përveç miratimit të Ligjit për Prokurori Publike, i cili rregullon edhe statusin e Prokurorisë Speciale, e që sipas tij do të miratohet menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale.

“Ne i plotësuam të gjitha kushtet. Katër synimet që na i vendosën, siç është: lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat në drejtësi, reformat në strukturat e sigurisë dhe reformat në administratën publike, si hapa konkretë, janë plotësuar, prandaj i kemi të gjitha parakushtet për të pritur vendim pozitiv për të marrë datën për fillimin e bisedimeve me BE-në”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.

ZAEV: EDHE VENDET QË KISHIN REZERVA, NA INKURAJUAN

Sipas kryeministrit Zaev, edhe Franca dhe Holanda që kishin rezerva rreth procesit të zgjerimit, kanë ndryshuar qëndrim, në favor të Maqedonisë së Veriut.

“Edhe vendet që kishin rezerva na inkurajuan. Do ta thonë qëndrimin e vet kur t’i vijë koha. Unë jam i lumtur për vendin tonë dhe besoj se këtë optimizëm duhet ta përhapim, pasi procesi i Berlinit nuk kishte temë zgjerimin por kontestin Serbi – Kosovë. Franca kumtoi edhe strategjinë e saj se si do të përfshihet drejtpërdrejt në integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe kjo është arsye për optimizëm të shtuar dhe shpresë për të gjithë ne”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

MICKOVSKI: S’KA BE ME GJYQËSI “KACARSKA”

Mirëpo kreu i opozitës, Hristijan Mickovski, në një intervistë për portalin “Republika”, është shprehur pesimist. Sipas tij, Maqedonia e Veriut nuk do të marrë datë për fillimin e negociatave, pasi nuk i ka zbatuar reformat.

“Nuk mund të kemi perspektivë europiane për aq kohë sa partner më i parapëlqyer ekonomik është vëllai i kryeministrit, Zoran Zaev. Perspektivë evropiane me gjyqësi të mëparshme “Svarovski” dhe gjyqësi të tanishme “Kacarska” dhe prokurori “Ruskoska” nuk mund të kemi”,- tha mes tjerash kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski. (TVM2)

Desk
By Desk May 1, 2019 19:10