Zaev: Pres që procesi i zgjerimit të vazhdojë. Pezullimi i vendimit ka efekte negative

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka October 16, 2019 19:22

Zaev: Pres që procesi i zgjerimit të vazhdojë. Pezullimi i vendimit ka efekte negative

Reformat në Bashkimin Evropian, të nxitura nga Franca, nuk duhet të bllokojnë procesin e zgjerimit, përkundrazi ato mund të zhvillohen paralelisht, konsideron kryeministri, Zoran Zaev.

Sipas tij, vendi ka plotësuar të gjitha reformat e nevojshme, ndërsa fillimi i negociatave do ta ndihmojë atë që të vazhdojë t’u afrohet standardeve të vendeve të BE-së. Në të kundërtën, nuk përjashtoi mundësinë për rënien e kësaj qeverie dhe kthim pas në procesin eurointegrues.

“Unë pres që reformat në BE të vazhdojnë, ndërsa procesi i zgjerimit të vazhdojë me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe me Republikën e Shqipërisë. Është shumë me rëndësi që të vazhdohet me atë impuls të motivimit ndaj Ballkanit Perëndimor, që të vazhdojmë të ndryshojmë, të përmirësohemi, t’u afrohemi standardeve evropiane. Alternativë tjetër për ne s’ka. Nëse nuk merret vendim ne sërish nuk mund të heqim dorë nga BE, ajo është e ardhmja jonë. Sipas të gjitha gjasave, mund të rrëzohet qeveria dhe do të vijnë të tjerë dhe do të vazhdojë rënia”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Mungesa e një vendimi për hapjen e negociatave do të ketë efekte negative jo vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por për gjithë rajonin, tha Zaev në një intervistë për Agjencinë serbe “Tanjug”.

“Të gjithë thonë se Marrëveshja e Prespës është një nga shembujt më të mirë në Ballkanin Perëndimor. Nëse BE e dënon këtë marrëveshje dhe Maqedoninë e Veriut si do të prisni që presidenti Tadiç dhe presidenti Thaçi të gjejnë ndonjë zgjidhje për çështjen e Kosovës, ose këtë problem?! Si do të nxiten liderët ne Bosnjë që të gjejnë zgjidhje, e cila për një vit ka mbetur pa qeveri”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.

Në debatin për perspektivat evropiane të Maqedonisë së Veriut, që u mbajt në Vjenë të Austrisë, Zaev tha se vendi është i përgatitur edhe politikisht edhe institucionalisht për fillimin e negociatave, prandaj pret që në Samitin e shefave të qeverisë së vendeve anëtare të merret vendim për fillimin e negociatave.

Kështu, BE do të dëshmojë interesin për të vazhduar procesin e zgjerimit dhe do të eliminojë interesin e palëve të treta.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka October 16, 2019 19:22