Zenku: Hyrja e ASH-së në Qeveri e rëndësishme për kursin europian

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 25 Janar, 2023 14:49

Zenku: Hyrja e ASH-së në Qeveri e rëndësishme për kursin europian

Duke folur për idenë e kryetarit të BDI-së për krijimin e “Aleancës Europiane”, gazetari Driton Zenku në një prononcim për indeks.mk ka folur rreth forcës reale politike që ka BDI-ja në terren kundër partive të tjera shqiptare, transmeton portali Indeks

“Në 20 vite veprimtari kjo parti është etabluar në elektorat dhe ka shtrirje në të gjitha vendbanimet e banuara me shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Këtë shtrirje gjeografike dhe këtë nivel, për fat të keq, nuk e ka asnjë parti tjetër shqiptare. Dihen përqëndrimet e subjekteve të tjera,  ASH në Gostivar, Besa në Tetovë dhe Alternativa kryesisht në Shkup. Rezultatet zgjedhore tregojnë që në këto vendbanime BDI del e para apo e dyta, si me rastin e Tetovës dhe Gostivarit. Pra kemi një shtrirje gjithandej. Kjo nuk ndodh me partitë e tjera. Shembull, Lëvizja Besa doli parti e parë në Tetovë por në vendbanimet e tjera pozicionohet e treta apo e katërta. Llogaritni numrin e deputetëve aktualë në njësi zgjedhore dhe kjo pasqyron realitetin në teren sa i përket shtrirjes gjeografike – elektorale”, tha Zenku.

Zenku e komentoi edhe hyrjen e ASH-së në Qeveri, duke thënë se asnjëra parti nuk mund ta “shajë” Aleancën nëse ajo merr vendim që të jetë pjesë e shumicës pasi që, Alternativa e PDSH-ja veçmë janë pjesë e sajë, kurse Besa ishte deri para një viti, raporton indeks.mk

“Hyrjen e Aleancës për Shqiptarët në qeveri nuk duhet të shihet si një “tërmet” që po ndodh në skenën politike. Kush mund të flasë kundër kësaj ideje, kur PDSH dhe Alternativa janë në qeveri, kurse Lëvizja Besa ishte deri para një viti në qeveri në koalicion parazgjedhor me LSDM. Kësaj here rrethanat ndryshojnë pasi flitet për një Aleancë pro-europiane dhe ky realitet fiton në peshë. Fundi i fundit, raste të tilla kemi pasur gjithandej. Kujtoni koalicionin LDK – PDK pas luftës në Kosovë. Ky koalicion çoi në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Kemi edhe koalicionin e Ilir Metës dhe Sali Berishës në Shqipëri. Parti me një të kaluar konfliktuoze dhe pikëpamje diametralisht të kundërta që vendosin të bashkëqeverisin në momente të caktuara. Për qëllime më madhore, ndonjëherë bëhet e domosdoshme paqja politike mes rivalëve. Edhe në një intervistë tjetër që kam dhënë vitin e kaluar në medumin tuaj, e kam promovuar këtë qasje të partive politike. I kuptoj reagimet e disa partive të tjera, pasi kjo është puna e tyre, të poentojnë në momente të caktuara. Kështu bëri edhe ASH kur Alternativa shkoi në qeveri apo edhe kur Lëvizja Besa hyri në koalicion parazgjedhor me LSDM. Është fjalor politik për rrethana të tilla”, deklaroi Zenku.

Duke komentuar takimet që BDI-ja pati në Gostivar dhe tash që po vazhdon në Tetovë nën moton “Bashkë për Evropë”, gazetari dhe njohësi i rrethanave politike, Driton Zenku në një prononcim për indeks.mk ka folur rreth kërkesës së liderit të BDI-së për krijimin e “Aleancës Europiane”. Sipas Zenkut, momentumi që lindi kjo ide është jo vetëm e qëlluar, por dhe vendimtare për të ardhmen europiane të vendit.

“Ndodhemi përpara ndryshimeve kushtetuese që paraqesin “vizën”, për vijimin e rrugës së anëtarësimit. Liderët e varfër në vizione për të ardhmen, nuk do ta kishin ndjekur këtë hap të z. Ahmetit. Kapriçot personale, krenarie dhe vetëbesimi shumë liderë politikë i kanë çuar në “vetëvrasje politike”, deklaroi fillimisht Zenku. Ai shton se Ahmeti ka një rezon dhe u paraprin zhvillimeve.

“Krijimi i aleancave të tilla me orientim pro-europian nuk është se ndodh për herë të parë. Raste të tilla kemi pasur edhe në shtete të tjera. Ajo që mund të thuhet është fakti që Aleancat e tilla kanë jetëgjatësi dhe kjo mund të kultivohet deri në anëtarësimin e plotë të vendit në Bashkimin Europian. Mund ta quajmë rend të ri në skenën politike në Maqedoninë e Veriut, pasi si proces krijon dy blloqe, blloku pro-europian dhe blloku tjetër që si alternativë automatikisht fiton epitetin e kundërt, pra blloku kundër euro-integrimeve”, tha Zenku. Indeks.mk

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 25 Janar, 2023 14:49

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare