Zgjedhjet 2019/Antikorrupsioni: Do të marrim masa për shkelësit e ligjit

Redaksia
By Redaksia 3 Prill, 2019 19:25

Zgjedhjet 2019/Antikorrupsioni: Do të marrim masa për shkelësit e ligjit

Rruga e mjeteve financiare gjatë gjithë fushatës për zgjedhjet presidenciale dhe atyre të pjesshme lokale do të jetë nën thjerrëzën e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Për të gjithë shkelësit e ligjit dhe të keqpërdorimeve të vërtetuara, do të ndërmerren dhe masa konkrete në përputhje me ligjin, paralajmëroi kreu i Anti-korrupsionit, Biljana Ivanovska.

“Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit do ta ndjekë gjithë procesin zgjedhor të të gjithë kandidatëve dhe në rastet e dyshimeve të bazuara se shkelet ligji, do të marrë masa për vërtetimin e dyshimeve të tilla, do t’i njoftojë organet kompetente dhe do të kërkojë ndërmarrjen e aktiviteteve në kuadër të veprimeve të tyre kompetente. Ne kemi bashkëpunim me shoqata civile të cilat kanë mbikëqyrës të akredituar të zgjedhjeve dhe do të marrim informacionet nëpërmjet tyre”,- tha kryetarja e Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska.

Nga Antikorrupsioni njoftojnë se sipas ligjit gjatë fushatës organet shtetërore nuk mund të ndërtojnë objekte të reja me mjete nga buxheti ose nga fondet publike nuk mund të bëhen pagesa të rrogave, pensioneve, ndihmës sociale, ose pagesa të tjera dhe kompensime materiale nga mjetet buxhetore që nuk janë pagesa të rregullta mujore.

Për nevojat e fushatës zgjedhore është e ndaluar të përdoren hapësirat e zyrave dhe veturat zyrtare të organeve shtetërore. Gjithashtu është i ndaluar presioni dhe frikësimi i votuesve. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit inkurajon të gjithë publikun që në kohë t’i denoncojë rastet konkrete të shkeljes së ndalesave të përcaktuara me ligj.

Redaksia
By Redaksia 3 Prill, 2019 19:25