Zgjedhjet 2019, KShZ: Nuk do të votohet në 82 vendvotime

Redaksia
By Redaksia 8 Prill, 2019 19:11

Zgjedhjet 2019, KShZ: Nuk do të votohet në 82 vendvotime

Votuesit e 82 vendvotimeve brenda vendit nuk do të mund të votojnë për të zgjedhur presidentin e ardhshëm, pasi në këto vendvotime ka më pak se 10 votues të paraqitur.

Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftuan se këta zgjedhës të drejtën e tyre demokratike për votim do të mund ta ushtrojnë në vendvotimin i cili nuk është më larg se 3 kilometra nga vendbanimi i tyre.

“Bazuar në zhvillimet në shtet, migrimi, nataliteti dhe mortaliteti në vazhdimësi ndryshojnë numrin e votuesve, derisa në disa vendvotime ka rënë ndër 10 votues të paraqitur, që është minimumi bazë për organizim të zgjedhjeve dhe në këtë situatë kemi 82 vendvotime në 28 komisione komunale”,- tha kryetari i KShZ-së, Oliver Derkoski.

“Për fat të keq numri i këtyre vendvotimeve që numërojnë nga më pak se 10 votues nga zgjedhje në zgjedhje është duke u rritur. Tani janë 82 vendvotime, por edhe pse janë ndër 10, këta qytetarë do të mund të votojnë në vendvotimin e tyre më të afër”,- theksoi anëtari i KShZ-së, Janajqe Vitanovski.

KShZ tashmë ka përzgjedhur edhe shtypshkronjën ku do të shtypet materiali zgjedhor. Edhe për këto zgjedhje, shtypshkronja “Kiro Dandaro” paraqiti ofertën më të mirë.

Nga KShZ sqarojnë edhe dukjen e fletëvotimeve për president. Sipas tyre, edhe përkundër faktit që të tre kandidatët janë deklaruar si mbipartiakë, në fletëvotime përpos simboleve që kanë paraqitur kandidatët, do të jenë edhe logot e partive të cilat i mbështesin.

Dy ditë para mbylljes së afatit për paraqitjen e vëzhguesve të zgjedhjeve presidenciale dhe lokale të 21 prillit, KShZ informon se deri tani kërkesa kanë dërguar OJQ “Civil” dhe “Most” dhe Instituti Demokratik i Kosovës.

Redaksia
By Redaksia 8 Prill, 2019 19:11