Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, para pasqyrës së koalicioneve eventuale

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, para pasqyrës së koalicioneve eventuale

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pritet të sjellin formimin e koalicioneve parazgjedhore tek blloku politik shqiptar në RMV. 

Bashkëpunimet ndërpartiake deri diku janë paralajmëruar dhe janë të njohura për publikun e gjerë.

Duke u nisur nga atmosfera që mbizotëron, duket që partitë shqiptare do të garojnë në tre grupacione të ndara.

E besueshme dhe tashmë e theksuar nga palët, duket koalicioni parazgjedhor mes ASH-së së Ziadin Selës dhe Alternativës së Afrim Gashit.

Një koalicion tjetër që shihet në horizont duket bashkëpunimi i Partisë Demokratike Shqiptare – PDSH të Menduh Thaçit dhe Lëvizjes Besa të Bilall Kasamit. Një përafrim mes tyre pati në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 dhe ato lokale të vitit 2017. Pas zgjedhjeve parlamentare, në konferencë për shtyp, Thaçi iu drejtuar publikut që deputetët e PDSH-së i jep Lëvizjes Besa për bisedime me partinë maqedonase për formimin e qeverisë.

Një koalicion tjetër i besueshëm është në mes BDI-së dhe RDK-së, dhe pritet që të ndodhë. Dihet që këto dy parti kanë bashkëqeverisur gati 2 vite e gjysëm dhe kanë qenë pranë njëra tjetrës në momente të rëndësishme.

Koalicione të tjera nuk pritet të ketë

Ndonjë zgjerim më të madh brenda partive shqiptare nuk pritet të ketë. Nuk mund të presim ndonjë front më të gjerë opozitar apo të partive në pushtet.

Bashkëpunimi eventual mes Besës së Bilall Kasamit dhe Alternativës së Afrim Gashit, është thuajse e pamundur, kur dihet që kjo e fundit lindi si fraksion nga partia e Bilall Kasamit dhe ende vazhdojnë të kenë konteste gjyqësore mes veti sa i përket emrit dhe vulës së partisë, edhe pse Alternativa tashmë promovon emrin, logon dhe moton e saj të re.

Po ashtu, bashkëpunimi eventual mes PDSH-së së Thaçit dhe ASH-së së Selës, është thuajse e pamundur, kur dihet që kjo e fundit lindi si fraksion nga partia amë, dhe kur dihen raportet e “armiqësuara”, mes Thaçit dhe Selës.

Koalicion mes BDI-së dhe PDSH-së, po ashtu, nuk mund të pritet përshkak të së kaluarës jo të ndritshme në relacion me njëra tjetrën. Kujtojmë incidentet dhe armiqësitë mes tyre duke nisur nga liderët dhe deri tek aktivisti në terren. Redaksia Flaka

 

 

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka Tetor 22, 2019 15:11

HAPËSIRË E SPONSORIZUAR

Loading...

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

REKLAMA