Zgjedhjet e shpeshta frikësojnë kapitalin

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 3 Nëntor, 2021 21:12

Zgjedhjet e shpeshta frikësojnë kapitalin

Sipas raportit të Institutit ekonomik “Fajnens Think”, në periudhën para pandemisë, Maqedonia e Veriut së bashku me Shqipërinë dhe Malin e Zi, ishin shtete të rëndësishme në aspektin e tërheqjes së investimeve të huaja. Megjithatë, në periudhën e pas pandemisë, Mali i Zi dhe Serbia kanë rol dominues në investimet e huaja grinfild në rajon për kokë banori.

Maqedonia e Veriut shënon rënie të madhe të investimeve përgjatë pandemisë tregojnë analizat e ndryshme. Sipas raportit të institutit ekonomik “Fajnens Think”, në periudhën para pandemisë, Maqedonia e Veriut së bashku me Shqipërinë dhe Malin e zi, ishin shtete të rëndësishme në aspektin e tërheqjes së investimeve të huaja. Megjithatë në periudhën e pas pandemisë, Mali i Zi dhe Serbia kanë rol dominues në investimet e huaja grinfild në rajon për kokë banori. Njëherësh analizat tregojnë se Maqedonia e Veriut shënon rënie më të madhe të investimeve të huaja grinfild që në fakt paraqesin investime nga e para që nuk kanë ekzistuar më parë. Këto investime janë të rëndësishme për shkak angazhojnë kompani lokale si kryerës së punëve të ndryshme, nxisin punësime të reja, ndikojnë në kërkesën për shërbime dhe lëndë të para si dhe ndihmojnë dhe mbështesin edhe zhvillimin e ekonomisë. Analiza e “Fajnens Think” tregon se në vitin 2020 në Maqedoninë e Veriut kanë hyrë vetëm 62 dollarë investime të huaja direkte. Për dallim prej kësaj vendi ka pasur në periudhën para krizës apo nga viti 2003 deri në vitin 2007, investime të huaja prej 450 dollarë për kokë banori, ndërsa në periudhën prej 2010 deri në vitin 2019 kemi pasur investime me vlerë prej mbi 260 dollarë për banor.

Nga Instituti për analiza ekonomike, thonë se shteti nevojitet që në periudhën e ardhshme të orientohet ndaj investimeve të huaja që do të kenë vlerë më të madhe të shtuar. Gjithashtu vlerësohet se pengesat për një bashkëpunim më të madh midis ndërmarrjeve vendore dhe investitorëve të huaj janë zhvillimi teknologjik, standardizimi dhe certifikimi, çmimet dhe hendeqet prodhuese, kapitali njerëzor dhe shkathtësitë e buta si shkathtësitë e komunikimit, produktiviteti personal etj. Në ndërkohë, analisti ekonomik Arben Halili thotë se në kohë krize po shënohen ulje e investimeve në gjithë botën mirëpo shton se është brengosëse një rënie kaq e madhe e Maqedonisë së Veriut në raport me investimet. Halili shton se rënie e madhe e interesimit të investitorëve të huaj për të investuar në vitin e kaluar vjen si rrjedhojë e dy faktorëve dhe atë , gjendjes së pandemisë ku të gjithë të interesuarit nuk dinin sa do të zgjasë ajo dhe e dyta janë politikat investuese të shtetit që kanë nevojë të modifikohen dhe të orientohen ndër të tjerash edhe në investimet e teknologjisë informatike. “Maqedonia më nuk mund të shitet më si vend me fuqi të lirë dhe të kualifikuar punëtore dhe të tërheqë investitorë të huaj me këtë premtim. Pra, në vend kemi se vjen e më pak fuqi të aftë dhe të lirë punëtore, nga njëra anë dhe nga ana tjetër të papunët në një pjesë të madhe janë ose raste sociale ose ato që nuk janë të aftë për punë.”, thekson më tej Halili. Sipas tij nuk duhet anashkaluar as rrethanat dhe ambientin politik ndaj investimeve të huaja.

Duhet pasur parasysh se vendi duhet të krijojë një stabilitet politik të qëndrueshëm për shkak se nëse në çdo dy vite kemi zgjedhje, ato paraqesin goditjen më të madhe për ekonominë vendore si dhe për interesimin e investitorëve të huaj për investime të reja. Njëherësh shton se Serbia paraqet një treg shumë më të madh se Maqedonia e Veriut, ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi kanë edhe avantazhin e daljes në det dhe investimeve potenciale në sektorin e turizmit. Nga ana tjetër, analiza tregon se Shqipëria ka pasur investime 117 dollarë për kokë banori në vitin 2020, periudhën 2003 deri në vitit 2007 ka pasur 530 dollarë për banorë, ndërsa në periudhën 2010 deri 2019 në mesatare mbi 50.6 dollarë. Serbia ka pasur në vitin e kaluar investime prej 268 dollarë për kokë banori, në periudhën 2003 deri në vitit 2007 ka pasur 343 dollarë për banorë, ndërsa në periudhën 2010 deri 2019 në mesatare mbi 550.8 dollarë. Mali i Zi ka pasur në vitin e kaluar investime prej 1403 dollarë për kokë banori, në periudhën 2003 deri në vitit 2007 ka pasur 767 dollarë për banorë, ndërsa në periudhën 2010 deri 2019 në mesatare mbi 1046 dollarë. Bosnje dhe Hercegovina ka pasur në vitin kaluar investime prej 108 dollarë për kokë banori, në periudhën 2003 deri në vitit 2007 ka pasur 306 dollarë për banorë, ndërsa në periudhën 2010 deri 2019 afër 302 dollarë. (koha.mk)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 3 Nëntor, 2021 21:12
  • Ndiqeni faqen tonë në Facebook për lajmet më të fundit dhe për prodhimet tona më të reja multimediale.
  • Ndiqeni llogarinë tonë në Instagram me përmbajtje të veçantë dhe informuese – fotogaleri, video dhe infografika.
  • Abonohuni në kanalin tonë në Youtube për videove ekskluzive nga të katër anët e globit.
  • Ndiqeni llogarinë tonë në Twwiter për t’u informuar vazhdimisht për zhvillimet më të fundit në Maqedoninë e Veriut, në rajon dhe në botë.