Zgjedhjet presidenciale shpallen me 14 shkurt, të njëjtën edhe ato parlamentare

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 5 Shkurt, 2024 22:55

Zgjedhjet presidenciale shpallen me 14 shkurt, të njëjtën edhe ato parlamentare

Kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski sonte bëri të ditur se zgjedhjet presidenciale do t’i shpall më 14 shkurt. Tha se planifikon që të njëjtën ditë t’i shpall edhe zgjedhjet parlamentare.

“Sa i takon pyetjes suaj për shpalljen, në Kushtetutë thuhet nga 70 deri në 90 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve që do të thotë se 24 prilli është raundi i parë për zgjedhjet presidenciale duke u kthyer nga 70 në 90 ditë, në fakt kjo i vjen diku nga mesi i shkurtit. Kam bërë konsultime edhe me KSHZ-në në kuptim për të numëruar ditët se çfarë do të thotë kjo. Sot kam një konkluzion përfundimtar se zgjedhjet presidenciale do t’i shpall më 14 shkurt dhe plani është që të njëjtën ditë t’i shpall edhe zgjedhjet parlamentare”, tha sonte Mitreski në intervistën për “360 gradë” në RTVM 1.

Mitreski thekson se Kuvendi do të funksiononte deri në fund të marsit ose në fillim të prillit.

“Pra, këtu bëhet fjalë për respektimin e Kushtetutës dhe afateve kushtetuese të parapara për mbajtjen e zgjedhjeve, sepse bëhet fjalë për zgjedhje të rregullta parlamentare që ndodhin për herë të parë pas 16 vitesh. Ka një konfuzion sa i përket funksionimit të Kuvendit, sepse kur mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, parlamenti shpërndahet me vendim të votuar nga deputetët dhe në këtë rast Kuvendi punon deri në fund të mandatit. Nëse e marrim atë praktikë për punën e Kuvendit deri para fillimit të fushatës, atëherë Kuvendi do të funksiononte diku deri në fund të marsit ose në ditët e para të prillit”, tha Mitreski.

Në pyetjen nëse Kuvendi duhet të kufizojë punën e tij vetëm në intervenime lidhur me zgjedhjet pasi kjo është detyrë parësore – të sigurojë zgjedhje të lira dhe demokratike, Mitreski thekson se shteti duhet të funksionojë edhe në këtë periudhë 100-ditore të qeverisjes teknike.

“Po, detyrë parësore, por shteti duhet të funksionojë në këtë periudhë 100 ditore të qeverisjes teknike. Propozues tjerë janë edhe deputetët, në seancën e së mërkurës kemi shumë propozim- ligje që janë me propozim të deputetëve, sot në mëngjes jam njoftuar për këtë, janë pesë- gjashtë ligje shtesë që janë me propozim të deputetëve dhe propozim të qeverisë. Do t’i shqyrtoj të shohin nëse ka kushte që t’i vendos në seancën e së mërkurës për gjithçka që mund të arrijmë në këtë periudhë në aspektin e miratimit të ligjeve apo refuzimit të ligjeve”, ka thënë Mitreski.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 5 Shkurt, 2024 22:55

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare