“Zgjedhjet s’janë pengesë për datën e negociatave”

“Zgjedhjet s’janë pengesë për datën e negociatave”

Në Shkup është e papranueshme teza se vendimi i BE-së për të filluar negociatat për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut duhet ta presë përfundimin e zgjedhjeve të prillit, në mënyrë që të mos ndikojë në fushatën parazgjedhore dhe rezultatin e zgjedhjeve.

Nga sekretariati për çështje evropiane presin që Brukseli të fillojë negociatat për anëtarësim me Shkupin sapo ta hartojë metodologjinë e re duke theksuar do të ishte skajshmërish jokredibile nëse pas metodologjisë së re, BE do të gjejë arsye tjetër për ta shtyrë fillimin e negociatave, në rastin konkret, epilogun e zgjedhjeve të prillit.

Nëse kështu merr vendime Bashkimi Evropian atëherë kemi problem në Bashkimin Evropian. E vetmja arsye, sipas asaj që u komunikua, për mos-marrjen e një vendimi në tetor ishte për shkak se ka nevojë për një reformim të metodologjisë. Nëse metodologjia do të miratohet në fund të janarit ose në shkurt, atëherë nuk shohim arsye pse do të kishte ndonjë argument tjetër”-pohoi Bujar Osmani, zv/kryeministër për Çështje Evropiane.

LSDM-ja vlerëson se teza është hipotetike dhe se nuk beson se një gjë e tillë do të ndodhë. Ajo që mund të ndikojë në marrjen e datës për fillim të negociatave, thotë Kostadinov, është mbarëvajtja e procesit zgjedhor.

Nuk dua të besoj, të paktën deri tani nuk ka sinjale se zgjedhjet si proces zgjedhor do të mund ta shtynin në një farë mënyre vendimin e Bashkimit Evropian. Aspekt shumë më i rëndësishëm do të ishte ajo se si do të zhvillohen zgjedhjet dhe si do të jenë të njëjtat. Për ne, si parti e përgjegjshme politike dhe besoj edhe për të gjithë aktorët politik në Maqedoninë e Veriut dhe për BE-në është jashtëzakonisht e rëndësishme që zgjedhjet të jenë fer dhe demokratike. Këtu duhet të fokusohemi dhe jo thjeshtë në zgjedhjet si proces”-tha Kostadin Kostadinov, LSDM.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i VMRO DPMNE-së, Naum Stoilkovski është i bindur se pavarësisht se kur do të miratohet metodologjia e re e zgjerimit, vendi nuk mund të fillojë negociatat për anëtarësim derisa VMRO DPMNE-ja të vijë në pushtet.

Absolutisht procesi zgjedhor nuk do ta shtyjë vendimin e BE-së, sepse zgjedhjet fer dhe demokratike janë kusht për të marrë datë për fillim të negociatave me BE-në. Në drejtim të ndikimit të zgjedhjeve për integrimin evropian të vendit, VMRO DPMNE, si parti e përgjegjshme, po punon që të krijohen kushtet për marrjen e datës, sepse kjo është në të mirë të qytetarëve dhe Republikës së Maqedonisë. Ajo që shohim është se Zoran Zaev, LSDM dhe qeveria në largim nuk po punojnë për fillim të negociatave. Siç e dini ka shumë kushte për fillim të negociatave, mes tjerash: zbardhja e krimit dhe korrupsionit, zbardhja e rastit Reket”-pohoi Kostadin Kostadinov, LSDM.

Pas vetos së Francës vitin e kaluar me arsyetimin se duhet reformuar metodologjia e zgjerimit të BE-së, ekziston droja se shtetet anëtare, ku në pushtet janë partitë e djathta, simotra me VMRO DPMNE-në, mund të vendosin veton e radhës me arsyetimin se çdo sinjal pozitiv përpara se të përfundojnë zgjedhjet mund të ndikojnë në këto të fundit.

Anesa Salihu – ALSAT

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 29 Janar, 2020 15:26

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.