Zgjedhjet të parakohshme, pushteti dhe opozita me qëndrime të ndara

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 10, 2019 20:07

Zgjedhjet të parakohshme, pushteti dhe opozita me qëndrime të ndara

Pushteti dhe opozita, me mendime të ndara rreth zërave për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Opozita thotë se pas skandalit të bisedës së kryeministrit Zaev me komedianët rusë dhe skandaleve tjera, vendit i duhen zgjedhje të parakohshme.

“VMRO-DPMNE insiston për zgjedhje të parakohshme, edhe me skandalin e fundit të cilin e përjetuam u potencua sërish. Nëse kanë vetëm pak ndjenjë turpi dhe përgjegjësie, duhet që shumica qeverisëse të pajtohet dhe që sot të votojmë përfundimin e punës së kësaj përbërje parlamentare, formimin e qeverisë eksperte dhe shpalljen e zgjedhjeve parlamentare”,- tha Ana Llashkova nga VMRO-DPMNE.

“Kjo përbërje parlamentare dhe kjo qeveri definitivisht nuk kanë kapacitete për t’i shtyrë reformat përpara. Skenës politike këtu në vend i nevojitet një rikonfigurim i saj dhe definitivisht të pastrohet nga të gjitha figurat për të cilat ka çfarëdo lloj dyshimi se janë të përfshira në krim dhe korrupsion, sepse mendojmë se kjo është pengesa dhe arsyeja kryesore e ngecjes së reformave”,- u shpreh Syrija Rashiti nga ASh.

“Duke pasur parasysh ndodhitë, ngjarjet e fundit që ndodhën rreth kryeministrit, aferën të cilën e kishim me sekretarin e qeverisë dhe në kontekst të asaj se edhe pse u premtua, vendi nuk fitoi datë për bisedime, duke marrë parasysh se kemi një sistem drejtësie tërësisht jashtë funksioni, i cili është selektiv, i cili ka pasur shumë raste dhe mundësi të ngrejë dhe inicion procedura ndaj funksionarëve të lartë të BDI-së, por edhe ata nga qeverisja e kaluar. Kemi një heshtje totale nga këto institucione dhe në këtë kontekst vlerësojmë se zgjedhje më e mirë do të ishte që të shkohet në zgjedhje të parakohshme”,- tha Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.

Por, partitë në pushtet nuk janë të mendimit se në vitin 2019 është mirë të mbahen zgjedhe për shkak të rrumbullakimit të anëtarësimit në NATO dhe hapjen e negociatave me BE-në.

“Konsiderojmë se në periudhë të tillë kur shteti ndodhet para fillimit të negociatave me BE-në, kur RMV duhet të jetë anëtari i 30 i NATO-s, duhet që t’i kemi të gjitha aspektet parasysh para se të marrim vendim. Në këshillin e fundit qendror, LSDM miratoi vendim se do t’u përkushtohet reformave”,- u shpreh Kostadin Kostadinovski nga LSDM.

“Zgjedhjet parlamentare në këtë vit nuk janë të pëlqyeshme as për qytetarët, as për vendin, as për prospektet tona euroatlantike, për arsye se këtë vit presim rrumbullakimin e procesit të anëtarësimit në NATO dhe marrjen e datës për fillimin e negociatave me BE-në”,- tha Artan Grubi nga BDI.

Sipas Grubit, as pranvera e hershme nuk është opsion i mirë nëse miratohet Ligji për regjistrimin e popullsisë, pasi që duhet të zbatohet gjatë muajit prill. Nëse partitë bien dakord, mundësi do të jetë pranvera më e vonë ose vjeshta para përfundimit të afatit ligjor për mbajtjen e zgjedhjeve, thotë Grubi.

Redaksia Flaka
By Redaksia Flaka July 10, 2019 20:07