ZGJEHDJET 2020: Beteja për mbijetesë në skenën politike

ZGJEHDJET 2020: Beteja për mbijetesë në skenën politike

Si edhe në ciklet tjera zgjedhore edhe në këto zgjedhje partitë politike në Maqedoni, si në kampin politik maqedonas, po edhe në atë shqiptar, fushatën elektorale për zgjedhjet e 15 korrikut e shfrytëzojnë për të treguar se kush është më i “miri”, e më i “forti” nga njëri tjetri. Edhe pse fushatë është menduar si një fushëveprim për të artikuluar para qytetarëve programet dhe idetë për përmirësimin e standardit social e ekonomik të qytetarëve. Java e parë e fushatës zgjedhore flet të kundërtën e kësaj. Në ditët e para të fushatës më shumë kemi parë e dëgjuar të jenë akuzuar politikanët, sesa të merren me këtë postulat elektoral e demokratik.

Analisti politik Dame Çkatroski vlerëson se mos ballafaqimi i programeve elektorale flet për mungesën e ofertave. “Oferta e tyre është e varfër! Zoran Zaev ka lëvizur me premtimin për rrogën mesatare nga 500 në 550 euro, ndërsa VMRO-DPMNE thotë se do ta ripërtëri atë që 11 vite e ka shkatërruar. Deri në ditën e zgjedhjeve fushata do të jetë e “zezë” në qërimin e hesapeve mes tyre, sipas parimit ‘Jetë apo vdekje’. Secili që do ti humbë zgjedhjet dhe nuk bëhet pjesë e Qeverisë si liderë duhet ta lë çelësin e partisë nën tepih dhe të jap dorëheqje”, shprehet për gazetën “KOHA”, Çkatroski. Sipas tij, loja politike në këto zgjedhje është subjektive, kështu që edhe fushata po bëhet në bazë të asaj se kush do të mbijetojë në skenën politike.

Në anën tjetër, profesori Xhemaludin Idrizi thotë se mos qasja serioze ndaj programeve elektorale është si rrjedhojë e luftës për më shumë vota. Ai thotë se partitë politike të gjithë artilerinë e tyre e kanë orientuar ka veprimet populiste dhe strategjia që sjellë më shumë vota. “Partitë politike merren me atë që mendojnë se sjell më shumë vota, të jenë më atraktiv në opinion, se populli atë e hanë etj. E dyta nuk kanë program zhvillimor konkret me afate, me mjete, në rajone etj. Fushata do vazhdojë të jetë e ashpër në aspektin politik dhe do të luftohet kudo për çdo votë. Populli, pjesa më e madhe veç më i ka kuptuar të gjitha dhe dalja në votime do jetë jo e kënaqshme”, deklaroi për “KOHA”, Idrizi.

Ndryshe nga herave tjera, për shkak të krizës shëndetësore në zgjedhjet e 15 korrikut do të votohet tri ditë me rend, 13,14 dhe 15 korrik me qëllim që të parandalohet përhapja e virusit. Zgjedhjet e 15 korrikut janë të dhjetat më radhë në historinë pluraliste të Maqedonisë dhe të parat pas anëtarësimit të vendit në NATO. (koha.mk)

Redaksia Flaka
nga Redaksia Flaka 30 Qershor, 2020 12:16

© FLAKA.COM.MK - Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me kushtet e përdorimit.

Marketing politik