Reformat për rrugën evropiane dhe hapat për sigurimin e një të ardhme evropiane të vendit si dhe zgjerimi i mundshëm i shumicës parlamentare dhe koalicionit qeverisës janë shtruar për diskutim në tryezën që kryeministri Dimitar Kovaçevski shtroi të hënën në Klubin e deputetëve me kryetarët dhe përfaqësues të lartë të partnerëve më të vegjël të koalicionit qeverisës.
“Në një atmosferë të këndshme u diskutua për aktivitetet në vitin e ardhshëm 2023, për masat dhe politikat e qeverisë për përballjen me krizën globale energjetike, zhvillimin ekonomik dhe tranzicionin energjetik, për zbatimin e programit të qeverisë, reformat për rrugën evropiane dhe hapat për të siguruar të ardhmen evropiane të shtetit.”, ka shkruar Kovaçevski në Fejsbuk.
Zajkova: Përkrahja varet nga programi
Një pjesë e partive më të vogla kanë shprehur kërkesat e veta për të përkrahur hyrjen e ASh-së në qeveri. Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit kërkon që përbërja e Qeverisë të reflektojë proporcionet etnike. Përkrahja e PLD-së do të varret nga përmbajtja programore që do të ofrojë ASh-ja.
“Për PLD-në, gjithmonë do të jetë e rëndësishme se çfarë ideale do të ndajë ai koalicion dhe çfarë programi do të prezantojë. Nga kjo do të varet nëse PLD do të jep përkrahje ose jo.”, – deklaroi kryetarja e PLD-së, Monika Zajkova.
Milloshovski: Zgjerimi s’është zgjidhja, por zgjedhjet
Opozita maqedonase konsideron se zgjerimi i mundshëm i Qeverisë nuk do të ndihmojë pushtetin për të arritur qëllimet. Vlerësojnë se zgjidhja është te zgjedhjet e parakohshme.
“Sot, posaçërisht LSDM dhe BDI, janë në një garë politike për përfitimin e një numri shtesë të deputetëve por, për fat të keq, puna e keqe e Qeverisë, edhe me një zgjerim të tillë, nuk do të rris përkrahjen dhe besimin e qytetarëve.”, – theksoi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
Kryesia qendrore e ASh-së me vendim të Kuvendit Qendror të partisë, brenda javës, pritet të formojë komisionin, i cili do të zhvillojë negociatat për përfshirje në ekzekutiv.