Zgjidhja kërkohet përmes semaforit me sensor

Desk
By Desk March 5, 2020 19:39

Zgjidhja kërkohet përmes semaforit me sensor

Në këtë pjesë të Tetovës gjithnjë ka kaos në trafik, duke patur parasysh se në këtë zonë janë edhe rrugët lidhëse për në Reçicë të Vogël dhe të Madhe, si dhe është rrugë lidhëse e rrugës Tetovë-Pirok, prandaj edhe është kërkuar që të ketë një zgjidhje afatgjate.

Këtyre ditëve ka filluar rregullimi i semaforit në kthesën për në Bërvenicë tek Universiteti i Tetovës, respektivisht në bulevardin e Ilindenit. Sipas informacioneve në Komunën e Tetovës, tashmë do të vendoset semafor i ri për të evituar aksidentet dhe kaosin në komunikacion. “Tashmë jemi në fazën e testimit të semaforit të ri me sensor dhe pritet që të vihet në funksion shumë shpejtë”, njoftojnë nga Komuna e Tetovës.

Vozitësit shprehen se duhet që në afat sa më të shkurtër kohor të rregullohet sinjalizimi i këtij udhëkryqi pasi edhe ata ndjehen të rrezikuar nga vozitësit e pandërgjegjshëm, të cilët nuk respektojnë shpejtësinë e lejuar dhe rregullën kush ka përparësi, ndërsa disa prej tyre shprehen se udhëkryqi duhet të mbyllet. Ekspertët, vlerësojnë se zgjidhja më e mirë do të ishte rrethrrotullim i ri në këtë udhëkryq, por duke bërë intervenime edhe në unazën paraprake në kryqëzimin e rrugës industriale me atë të Ilindenit, i cili në mesditë dhe pasdite është shumë i ngarkuar, prandaj edhe krijohet kaos edhe në arterien vazhduese për në Gostivar. Nga Komuna vitin e kaluar vendosën që t’i japin fund këtij problemi, duke analizuar mbylljen e këtij udhëkryqi ose vendosjen e një rrethrotullimi që do të lehtësonte komunikacionin, por për shkak të rëndësisë së këtij udhëkryqi, këto dy opsione ranë në ujë dhe si zgjidhje më e mirë parashihet rregullimi i sinjalizimit rrugor, siç janë semaforët, si dhe vendosja e pengesave rrugore. Ky udhëkryq është ndër të rrallit në Tetovë në këtë zonë ku ende ka semafor pasi që në shumë udhëkryqe tjera janë vendosur rrethrrotullime. Në këtë udhëkryq një kohë të gjatë është kërkuar që të vendoset rrethrrotullim por Komuna vendosi që të mos e ndërtojë për shkak të mos pasjes së hapësirës së mjaftueshme. Ky udhëkryq për në fshatrat e Komunës së Bërvenicës afër Universitetit të Tetovës kohëve të fundit është rikthyer në arenë të aksidenteve të trafikut. Krahas tyre, janë dëmtuar edhe shenjat e komunikacionit, ndërsa trafiku në këtë pjesë të Tetovës është i stërngarkuar pasi që kjo rrugë lidhë Tetovën me Komunën e Bërvenicës, si dhe Tetovën me rrugën rajonale për në Pirok, ndërsa është arterie kryesore e rrugës së “Ilndenit” që lidhet me daljen për në Gostivar.

Nuk kanë munguar aksidentet ku kanë pësuar edhe këmbësorët dhe nxënës të shkollave të mesme. Në ndërkohë, semafori që ndodhet në këtë udhëkryq jo çdoherë është në funksion. Nga policia e Tetovës pohojnë se në këtë udhëkryq shpeshherë ndodhin aksidente trafiku për shkak të mos respektimit të rregullave të komunikacionit. “Më së shpeshti për shkak të mos respektimit të përparësisë së kalimit, mospërshtatja e shpejtësisë, dhe shkaqe të tjera, ndodhin aksidente trafiku me pasoja të ndryshme. Kjo është edhe si rezultat i kulturës së ulët në komunikacion të disa individëve. Problem i hapur këtu janë edhe të ashtuquajturit taksistë të “egër”, të cilët parkohen në zonë të udhëkryqit, edhe pse ky udhëkryq është ndër më të frekuentuarit në Tetovë, më së shumti si rezultat i pozicionimit të shumë objekteve shkollore si dhe institucione tjera, ku për çdo ditë tërheqin numër më të madh të veturave dhe këmbësorëve”, shprehen nga Policia e Tetovës.

Në këtë pjesë të Tetovës gjithnjë ka kaos në trafik duke patur parasysh se në këtë zonë janë edhe rrugët lidhëse për në Reçicë të Vogël dhe të Madhe, si dhe është rrugë lidhëse e rrugës Tetovë-Pirok, prandaj edhe është kërkuar që të ketë një zgjidhje afatgjate. (koha.mk)

Desk
By Desk March 5, 2020 19:39