Zhelazkov: RMV duhet të bëhet anëtare e BE-së sa më shpejt të jetë e mundur

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 25 Maj, 2023 19:23

Zhelazkov: RMV duhet të bëhet anëtare e BE-së sa më shpejt të jetë e mundur

Qëndrimi bullgar mbetet i pandryshuar se Republika e Maqedonisë së Veriut duhet sa më shpejtë ta fillojë dhe përfundojë procesin negociues dhe të bëhet anëtare me të drejtë të plotë e BE-së si rezultat i kontributit të saj dhe me përmbushjen e kritereve për anëtarësim, ndërsa jo në bazë të vendimit politik, mendon kryeparlamentari bullgar, Rosen Zhelazkov.

Ai në një intervistë për BGNES thekson se për Bullgarinë është i rëndësishëm kushti “i vendosur nga Komisioni Evropian” për ndryshimet kushtetuese për përfshirje të bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. “Ky është një parakusht absolut për fillimin e negociatave. Kjo nuk është çështja jonë dypalëshe, është një kusht që është vendosur dhe regjistruar në kushtet për fillimin e negociatave dhe që ndiqet nga Komisioni Evropian”, deklaroi Zhelazkov.

Ai shtoi se në takimet me përfaqësuesit e Italisë dhe Vatikanit, e ka përsëritur qëndrimin e Sofjes se vendi do të bëhet anëtare me të drejtë të plotë në Bashkimin Evropian në bazë të kontributit të saj. Ai theksoi se në takime me nikoqirët e tij i është thënë se Ballkani Perëndimor është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Italinë dhe Selinë e Shenjtë, sepse “është një rajon me potencial për konflikte historike” dhe se mënyra më e mirë për zgjidhjen e tensioneve është integrimi i plotë i vendeve ballkanike në BE.

Zhelazkov shtoi se ai u ka përcjellë bashkëbiseduesve se Bullgaria nuk vendos kushte dhe nuk e pengon procesin e anëtarësimit të vendit në Union. “Kushtet i ka vendosur Komisioni Evropian dhe për ne është e rëndësishme që ato të përmbushen, sepse kanë të bëjnë me të drejtat e bullgarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, shtoi Zhelazkov.

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 25 Maj, 2023 19:23

Marketing Politik - Çmimore

Presidenciale | Parlamentare