Zhvillimet në veri deri te tërheqja e vendimit për vendosjen e reciprocitetit

Driton Zenku
Publikuar nga Driton Zenku 31 Korrik, 2022 23:07 Updated

Zhvillimet në veri deri te tërheqja e vendimit për vendosjen e reciprocitetit

“Tërhiqet” Qeveria e Kosovës: E shtyen për një muaj vendosjen e reciprocitetit

Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti është tërhequr nga vendimi për vendosjen e reciprocitetit, eapoeton Gazeta Blic.

Ky vendim për shtyrjen e vendosjes së reciprocitetit vjen pas kërkesës së ambasadorit amerikan.

“Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon bllokimin e rrugëve dhe të shtënat në veri të Kosovës

Prishtinë, 31 korrik 2022

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër bllokimin e sotëm të rrugëve në veri të Kosovës dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje. Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sontme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar.

Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.

Falenderojmë partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin.

Eurodeputeti Terras: Serbia mund ta sulmojë Kosovën

Deputeti i Parlamentit Evropian, Riho Terras, tha se Serbia mund ta sulmojë Kosovën. Këtë e bëri të ditur përmes një statusi në Twitter të dielën mbrëma, derisa zhvillimet ne veri të Kosovës i quajti shqetësuese.

“Raportimet nga Kosova janë shumë shqetësuese. Serbia po mëson nga vëllai i madh (Vladimir Putin) dhe mund ta sulmojë Kosovën. Ne duhet të qëndrojmë të fortë brenda në NATO”, ka shkruar ai, transmeton Telegrafi.

Kosova ka mbyllur vendkalimet kufitare me Serbinë përkatësisht atë në Bërnjak dhe Jarinë për shkak të bllokimit të rrugëve me barrikada nga qytetarët lokal serbë në veri.

Ata janë shprehur të pakënaqur me masat e paralajmëruara të reciprocitetit. 

Grenell: Kurti është problemi, kthejeni Thaçin

Ish-emisari special amerikan për dialogun, Richard Grenell ka reaguar mbi zhvillimet e sotme të fundit në veri të vendit. Në Twitter ai shkruan se shqiptarët e dinë se problemi është kryeministri Albin Kurti dhe se kjo është një fatkeqësi e sekretarit Anthony Blinken.

“Edhe një katastrofë e Blinkenit. Edhe shqiptarët e dinë se Kurti është problemi. Kthejeni Thaçin”, ka shruar ai.

Rakiq lajmërohet nga barikadat në Veri: Situata mund të eskalojë në çdo moment!

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se situata në Veriun e Kosovës mund të eskalojë në çdo moment.

Siç raporton “Kosovo Sever” Rakiq ka treguar se është në kontakt të vazhdueshëm me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Sipas tij “serbët janë të vendosur të durojnë deri në fund”.

“Populli është i frikësuar, por shumë i vendosur të durojë deri në fund dhe sigurisht nuk do të tërhiqet. “Sapo pata kontakt me komandantin e KFOR-it, duke pritur ardhjen e tij tani. Unë jam në një marrëdhënie të vazhdueshme me presidentin Aleksandar Vuçiç. Ai na kërkoi të ishim këtu paqësisht. Gjithsesi eshte vertet e veshtire te thuash dicka ne kete situate, situata eshte e tensionuar dhe mund te eskaloje ne cdo moment. Ne luftojmë për të ruajtur paqen por do të luftojmë edhe për të ruajtur popullin tonë”, ka thënë ai.

Abdixhiku i LDK: Reciprociteti është e drejtë e çdo shteti sovran

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku përmes një shkrimi në “Facebook” u ka dhënë mbështetje institucioneve të Kosovës për shtritjen e ligjshmërisë në tërë territorin të shtetit.

Abdixhiku ka thënë se reciprociteti është e drejtë e çdo shteti sovran.

POSTIMI I PLOTË:

Mbështesim angazhimin e institucioneve të Kosovës për shtrirjen e ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës. Reciprociteti është e drejtë e çdo shteti sovran.

Dënojmë sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe forcave të sigurisë që ushtrojnë detyrën e tyre kushtetuese në veri të vendit. Mbështetja për ta është domosdoshmëri.

Koordinimi me aleatët tanë ndërkombëtarë në parandalimin e çfardo provokimi nga Serbia brenda territorit të Kosovës është esencial. Në këto momente, Kosovës i duhet stabilitet, ligjshmëri dhe siguri.

Deputetja ukrainase: Serbia në Kosovë po e imiton Rusinë

Deputetja ukrainase, Inna Sovsun ka thënë se Serbia po e imiton Rusinë në Ukrainë me tensionimin e situatës në kufirin me Kosovën.

Sovsun shkroi në Twitter se Serbia dëshiron ta kapë Kosovën sikurse Rusia Ukrainën.

Deputetja ukrainase: Serbia në Kosovë po e imiton Rusinë, presidente, Ukraina ju mbështet.

Deputetja ukrainase, Inna Sovsun ka thënë se Serbia po e imiton Rusinë në Ukrainë me tensionimin e situatës në kufirin me Kosovën.

Sovsun shkroi në Twitter se Serbia dëshiron ta kapë Kosovën sikurse Rusia Ukrainën.

“Të shtënat në kufirin e Serbinë me Kosovën janë një përshkallëzim i konfliktit të vjetër. Dëshira e madhe e Serbisë për ta kapur Kosovën me forcë është një imitim i dëshirës së Rusisë për ta kapur Ukrainën”, shkroi ajo.

“Unë qëndroj me Kosovën. Presidente Vjosa Osmani, Ukraina ju mbështet.”, shtoi Sovsun.

Ambasadori i SHBA-ve, Hovenier: I kemi kërkuar Kurtit e Osmanit që vendimi të shtyhet për 30 ditë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani që masa e reciprocitetit për dokumente të udhëtimit e targa të shtyhet për 30 ditë.

Sipas asaj që tha në konferencë, Hovenier tha se kjo është kërkesë e qeverisë së SHBA-ve dhe nuk do të thotë që kjo të mos zbatohet.

“Për t’iu thënë që duhet të shtyhet vendimi për 30 ditë reciprociteti, kjo është e rëndësishme sepse ka keqkuptime dhe dezinformata sa i përket këtij vendimi. Ne shpresojmë që do të mund të punojmë me qeverinë për të qenë të sigurt që vendimi të kuptohet. Nuk po themi që kjo të mos bëhet.”, tha Hovenier.

Flet më në fund Presidentja Vjosa Osmani

Ka reaguar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani pas situatës së krijuar në veri të vendit, raporton Gazeta Blic.

“Ftoj qytetarët serbë të Republikës së Kosovës që të mos bien pre e propagandës nga Beogradi”, ka shkruar ajo.

Reagimi i plotë:

Masa e reciprocitetit nuk është e drejtuar kundër askujt, por në favor të qytetarëve pa dallim përkatësie. Prandaj, ftoj qytetarët serbë të Republikës së Kosovës që të mos bien pre e propagandës nga Beogradi.

Policia e Kosovës dhe të gjitha institucionet e sigurisë po punojnë shumë për të garantuar respektimin e sundimit të ligjit dhe lirinë e lëvizjes. Jemi duke u koordinuar e punuar pandalur me partnerët tanë ndërkombëtar.

Përpjekjet e Vuqiçit për destabilizim të Kosovës, i cili po shërbehet me metoda të mentorit të tij- Putinit, do të dështojnë.

KFOR: Gjendja në veri e tensionuar, të gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti

Misioni i NATO-së në Kosovë, KFOR, ka vlerësuar se gjendja e përgjithshme e sigurisë në komunat veriore të Kosovës është e tensionuar.

Përmes një deklarate për mediat, KFOR-i ka thënë se janë të përgatitur për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti, transmeton Zeri.info.

“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO po monitoron nga afër dhe është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e OKB-së e vitit 1999. Misioni ynë i KFOR-it i udhëhequr nga NATO është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë popullin e Kosovës. KFOR-i mban një qëndrim të dukshëm dhe të shkathët në terren dhe komandanti i KFOR-it është në kontakt me të gjithë bashkëbiseduesit e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e organizatave të sigurisë së Kosovës dhe shefin serb të Mbrojtjes”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Më tej thuhet se NATO gjithashtu vazhdon të mbështesë plotësisht procesin e normalizimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të vazhdojnë negociatat.

“Është e rëndësishme që kjo të vazhdojë. Kjo është kritike për paqen dhe sigurinë rajonale. Nuk do të ketë perspektiva reale për një të ardhme më të mirë në Ballkan, pa respekt të plotë të të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike, sundimit të ligjit, reformave të brendshme dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore. Dialogu konstruktiv është kyç për stabilitetin rajonal”, thuhet në komunikatë.

Në fund thuhet se KFOR-i do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë gjatë gjithë kohës, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së.

Rusia i del në mbrotje Serbisë, kritikon Kosovën për reciprocitetin

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme Ruse, Maria Zakharova, ka thënë se vendimi i institucioneve të Kosovës për reciprocitetin për targat dhe letërnjoftimet ka për qëllim dëbimin e serbëve nga Kosova.

“Liderët kosovarë e dinë se serbët nuk do të qëndrojnë indiferentë kur bëhet fjalë për sulmin e drejtpërdrejtë ndaj lirive të tyre, dhe ata qëllimisht janë duke e përshkallëzuar situatën, për të nisur një skenar ushtarak. Sigurisht që në ballë të sulmit është edhe Beogradi, të cilin Perëndimi dëshiron ta “neutralizojë” edhe më tej me duart e shqiptarëve të Kosovës”.

“I bëjmë thirrje Prishtinës, SHBA-ve dhe BE-së që të ndalojnë provokimet dhe të respektojnë të drejtat e serbëve në Kosovë”, ka shkruar Zakharova në një njoftim.

Tensionet në veri të Kosovës, reagon Presidenca: Vuçiç përgjegjës

Këshilltari i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Blerim Vela, ka reaguar në lidhje me situatën në veri të Kosovës ku është shprehur se me direktiva të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë kanë vendosur barrikada në disa rrugë në veri.

Vela ka thënë se Vuçiçi mban përgjegjësi të plotë për çdo përshkallëzim eventual të situatës në terren.

“Me direktiva të Vuçiçit, strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë kanë ngritur barrikada në disa rrugë në veri. Është tentim flagrant për ta minuar sundimin e ligjit në Kosovë. Vuçiçi mban përgjegjësi të plotë për çdo përshkallëzim të situatës në terren. Ai do të dështojë”, ka shkruar Blerim Vela në Twitter.

Ai ka shtuar se në veri të Kosovës po shihet përsëritjen e veprimeve të Putinit, ku janë shpërndarë dezinformata për të hapur frikë, duke shpërndarë pretendime të rrejshme se serbët në Kosovë po persekutohen dhe duke e rritur retorikën militariste.

Tensionet në veri të Kosovës, Kurti: Vuçiç dhe Petkoviç janë përgjegjësit kryesorë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurit, ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar pasditen e sotme në veri ët Kosovës, ku ka thënë se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe Petar Petkoviç janë përgjegjësit kryesorë për gjendjen në Veriun e Kosovës.

Ai përmes një video adresimi tha se qeveria e tij është progresite. Po ashtu kërkoi që opinioni kosovar mos të bie pre e mediave të Beogradit.

“Ditet e javët në vazhdim mund të jenë sfiduese dhe problemaitke”, tha Kurti.

“Ende pa filluar lëshimi ynë i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh. Atyre ju paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë. Aty u planifikuan dhe u nxitën këto veprime agresive që po ndodhin sot. Vuçiq dhe Petkoviq janë përgjegjësit kryesorë për trazirat. Qeveria e Republikës së Kosovës është demokratike e progresiste, që e don, respekton dhe zbaton ligjin dhe kushtetushmërinë, paqen dhe sigurinë, për të gjithë qytetarët pa dallim dhe për mbarë vendin tonë të përbashkët. Organet e rendit dhe të sigurisë së shtetit tonë po mbledhin informacion, po mbikëqyrin gjendjen dhe do të veprojnë, në mbrojtje të ligjit dhe të qytetarëve, të sovranitetit dhe integritetit tonë territorial. Përcjellni me vëmendje njoftimet nga qeveria jonë, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, dhe, mos lejoni të dezinformoheni nga mediet e Beogradit zyrtar apo edhe ndonjë medie në Kosovë që me vetëdije u shërben atyre apo pa vetëdije bie pre e tyre. Orët e ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike. Po përballemi me nacional-shovinizmin serbomadh që e njohim mirë. Do të punojmë ditë e natë, do të jemi në krye të detyrës, për juve si qytetarë dhe për Republikën tonë demokratike. Dhe, së bashku arrijmë të ngadhënjejë rendi e ligji duke i vendosur ato në çdo cep të vendit. Ju falemnderit për mbështetjen.”

Aktivizohen sërish sirenat e alarmit në veri të Mitrovicës

Në orën 22:00 janë lëshuar serish sirenat për alarm në veri të Mitrovicës në Kosovë.

Ato ishin ndalur rreth orës 20:45, pasi më herët ishin lëshuar në orën 17:45, kur serbët lokalë kishin nisur bllokimin e rrugëve në veri.

Zhvillimet në veri vijnë një ditë para hyrjes në fuqi të reciprocitetit për targat dhe letërnjoftimet e lëshuara nga shteti i Serbisë.

Ndërkohë janë mbyllur për qarkullim pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Protestat në veri të Kosovës për targat, raportohet për të shtëna me armë zjarri! Qytetarët shqiptarë keqtrajtohen në kufi

Të shtëna me armë janë regjistruar mbrëmjen e sotme në zonën e Zubin, Potok në Kosovë, aty ku janë vendosur barrikada nga serbët që po protestojnë.

Protestat e tyre lidhen me kundërshtimin e vendimit që do të hyjë nesër në fuqi për pajisjen me fletëdeklarim dhe zëvendësim të targave me ato të republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës ka siguruar informacione zyrtare se në disa vende janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, ku disa prej të shtënave kanë qenë në drejtim të njësiteve policore, por fatmirësisht nuk ka të plagosur.

Po ashtu janë siguruar informacione nga ana e qytetarëve se ka raste ku janë ndaluar dhe keqtrajtuar qytetarë shqiptarë, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve.

Qytetarët kanë bërë bllokimet e rrugëve në disa vendndodhje të ndryshme në Veri të Mitrovicës në drejtim të dy pikë kalimeve kufitare Jarinje dhe Bernjak, të cilat pika janë mbyllur për qarkullim.

Deri më tani nuk ka informacione zyrtare për ndonjë plagosje të qytetarëve apo të ndonjë zyrtari policor.

Policia e Kosovës ka mbyllur kufirin për qarkullim këmbësorësh dhe për automjete në pikë kalimet kufitare Bernjak dhe Jarinje, për shkak të bllokimit të rrugëve në drejtim të këtyre pikë kalimeve kufitare Jarinje dhe Bernjak.

Çfarë parashikon Asociacioni?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj. Flaka

Driton Zenku
Publikuar nga Driton Zenku 31 Korrik, 2022 23:07 Updated