Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefja e UNMIK-ut Caroline Ziadeh po ndjek me shqetësim zhvillimet në veri të Kosovës.
Ajo përmes një deklarate për media ka bërë thirrje për qetësi, rivendosje të lirisë së lëvizjes dhe shmangie të përshkallëzimit të mëtejshëm.
“U bëj thirrje të gjithëve që t’i trajtojnë çështjet në mirëbesim përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, për të forcuar stabilitetin dhe sigurinë për të gjithë,” tha Ziadeh.
Informacion i rëndësishëm për të gjithë ata që janë duke udhëtuar drejt Kosovës
Për shkak të mbylljes për qarkullim të pikave kufitare Bërnjak dhe Jarinje si rezultat i bllokimit të rrugëve nga serbët, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kërkon nga të gjithë personat që janë duke udhëtuar drejt Kosovës të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar.
“Nëse keni hyrë tashmë në Serbi, atëherë ju lutemi merrni rrugën përmes Maqedonisë së Veriut (pikëkalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit. Duke marrë parasysh faktin që janë në qarkullim shumë lajme të gabuara, të cilat synojnë përhapjen e frikës, ju lutem ndiqni Policinë e Kosovës rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Qeveria: Barrikadat në veri hiqen sot, më 1 gusht
Qeveria e Kosovës ka shtyer për 1 muaj vendimin për vendosjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë për zëvendësimin e targave të automjeteve dhe dokumenteve të udhëtimit sipas kërkesës së qeverisë së SHBA-ve.
Ky vendim vjen pas një takimi që kryeministri i Kosovës Albin Kurti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zv.kryeministri Besnik Bislimi e kryediplomatja Donika Gërvalla Schwarz patën në këto orë të vona me ambasadorin amerikan Jeff Hovenier, shkruan lajmi.net.
Në njoftimin e qeverisë për shtyerjen e këtij vendimi thuhet se më datë 1 gusht, pra sot, do të hiqen barrikadat në veri.
Mbetet të shihet se cili do të jetë epilogu i gjithë kësaj.
Haradinaj: Mbështesim institucionet e vendit
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Hardinaj ka shkruar se ofron mbështetje të plotë për masat e ndërmarra për masat e reciprocitetit.
“Vendimi për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë është i drejtë dhe i ligjshëm edhe në bazë të ligjeve vendore, por edhe atyre ndërkombëtare. Mbështesim institucionet e vendit, organet e rendit dhe sigurisë, për zbatimin e këtij vendimi të drejtë e të ligjshëm. Bëjmë thirrje që qytetarët serb në veri të vendit, të përmbahen dhe të ruajnë qetësinë, rendin e ligjin” ka shkruar mes tjerash, ish kryeministri i vendit tonë dhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Hardinaj.
Kosova diskutimi numër 4 në SHBA në Twitter, pas tensioneve në veri!
Situata e fundit në veri të Kosovës ka bërë që kjo të jetë temë diskutimi nga shumë politikanë, gazetarë e persona në vend të ndryshme të botës.
Bazuar në diskutimet në Twitter në territorin e SHBA-së, emri ‘Kosova’ është numër 4, bashkë me Serbinë.
Kosova po ashtu për momentin është e 7-të në diskutimet në Twitter, në nivel global, me mbi 84 mijë përmendje.
Zhvillimet në veri: Ankaraja ka ndërhy për t’i qetësuar gjakrat në relacionet Prishtinë-Beograd
Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlut Çavusoglu ka ndërhyrë me një telefonatë pas ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës.
Cavusoglu ka biseduar në telefon me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikolla Selakoviq, raporton Gazeta Express.
“Fola me homologët e mi serb dhe kosovar në lidhje me tensionin e fundit. Paqja dhe stabiliteti në Ballkan kanë qenë gjithmonë prioritet për Turqinë”, shkroi Cavusoglu në Twitter
Kryediplomati turk tha se “tensionet e reja nuk do ta ndihmojnë askënd”.
“Turqia është e gatshme të bëjë gjithçka që është e nevojshme për ta ulur tensionin”, thuhet në reagimin e Cavusoglut.
Zbatimi i reciprocitetit shtyhet deri më 1 shtator
Qeveria e Kosovës ka shtyrë për 30 ditë zbatimin e masës së reciprocitetit.
Kryeministri, Albin Kurti Kurti së bashku me Presidenten, Vjosa Osmanin dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë.
Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të 29 qershoirt, deri me datën 1 shtator të këtij viti nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.
”Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër bllokimin e sotëm të rrugëve në veri të Kosovës dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje. Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sontme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë.
Vuçiq përfundoi takimin me Shtabin e Ushtrisë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur se e ka përfunduar mbledhjen që pati me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë.
Vuçiq ka thënë se Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë ka biseduar me KFOR-in për situatën në veri të Kosovës.
“Kemi kërkuar që përfaqësuesit ndërkombëtarë të merren me palën kosovare para dialogut në Bruksel, besoj se do të kemi lajme të mira”, tha Vuçiq.
LEXO EDHE:
©2016-2023 FLAKA Agjenci e lajmeve. Të gjitha të drejtat e rezervuara
Designed by FLAKA.MK