Zhvillimi i barabartë rajonal, akoma larg

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 21 Janar, 2022 19:51

Zhvillimi i barabartë rajonal, akoma larg

Prodhimi i Brendshëm Bruto për kokë banori në rajonin e Shkupit është gati tre herë më i madh se në rajonin e Pollogut. Gjithashtu gati gjysma apo 43 për qind e ekonomisë së Maqedonisë, në vitin 2020 i ka takuar rajonit të Shkupit, ndërsa vetëm pesë për qind i ka takuar rajonit Verilindor ku bëjnë pjesë Kumanova, Likova, Kriva Pallanka, Kratova, Nagoriçani i vjetër dhe Rankovce.

Shteti duhet të ndajë së paku një për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto apo afër 100 milionë euro në vit nga arka e saj për zhvillim e barabartë rajonal. Mirëpo hulumtimet dhe analizat e ndryshme tregojnë se në vend nuk respektohet ligji për vetëqeverisje lokale që përcakton këtë obligim, ndërsa qeveria ndan mjete edhe më shumë se 100 milionë euro për projektet e ndryshme nëpër komuna, mirëpo mbeten për debat mënyra dhe kriteret se si ndahen këto mjete. Edhe nga ana e auditit apo revizorëve shtetëror është konfirmuar se nuk ndahen mjete të mjaftueshme nga arka e shtetit për zhvillimin e barabartë rajonal, apo nuk shteti nuk respekton obligimin ligjor për ndarjen e një për qind të PBB-së, për këtë dedikim kanë konstatuar kontrollet e Entit shtetëror për Revizion lidhur me punën e Byrosë për zhvillim rajonal. “Për vitin 2018 për nxitjen e zhvillimit të barabartë rajonal nga buxheti janë ndarë 327 milionë denarë, prej të cilave 117 milionë nga Byroja për zhvillim rajonal dhe 210 milionë denarë nga Ministria e Pushtetit Lokal. Kjo mënyrë e ndarjes së mjeteve nuk është në përputhje me nenin 27, paragrafi 2 i Ligjit për zhvillim të barabartë rajonal, ku parashikohet të ndahet së paku një për qind nga PBB. Duke marrë parasysh se në vitin 2016 PBB ka 598,8 miliardë denarë, për vitin 2018 duhej të ndahen 5,9 miliardë denarë në vend 327 milionë denarë, apo 0,05 për qind e PBB që është nën limitin e përcaktuar ligjor”, theksojnë nga Enti i Revizionit.

Gjithashtu edhe qëllimi i strategjisë për zhvillim të barabartë rajonal që parashikojnë që në vitin 2019, Prodhimi i Brendshëm Bruto për kokë banori të jetë gjysma e mesatares evropiane është larg realizimit duke arritur 15 për qind të saj. Larg është edhe targeti ku rajoni më i pazhvilluar në vend duhet të ketë PBB prej 35 për qind të mesatares evropiane, ndërsa ka më pak se 6 për qind. Një disparitet tjetër mund të vërehet edhe strukturën e tokës bujqësore. Në rajonin e Pollogut, që në vitet 90-të të shekullit të kaluar ishte i njohur për bujqësinë, sot nga totali i tokës bujqësore, 76 për qind janë kullosa, dhe vetëm 24 për qind është tokë punuese bujqësore, që është nën mesataren prej 41 për qind të shtetit. Kjo është pasqyrë e shpërndarjes së përgjithshme jo të barabartë të investimeve vendore dhe të huaja direkte. Njëherësh këto shifra janë edhe tregues i nivelit të ulët të investimeve në bujqësi dhe programimit joadekuat të mjeteve IPARD, thuhet më tej në studimin “Zhvillimi i barabartë rajonal si shpëtim nga depopullimi i Maqedonisë së Veriut”. Nga ana tjetër edhe të dhënat e Entit të Statistikës tregojnë dallime të mëdha në zhvillimin ekonomik të tetë rajoneve në vend. Gati gjysma apo 43 për qind e ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, në vitin 2020 i ka takuar rajonit të Shkupit, ndërsa vetëm pesë për qind i ka taktuar rajonit Verilindor ku bëjnë pjesë Kumanova, Likova, Kriva Pallanka, Kratova, Nagoriçani i vjetër dhe Rankovçe. Gjithashtu Prodhimi i Brendshëm Bruto për kokë banori në rajonin e Shkupit është gati tre herë më i madh se në rajonin e Pollogut, ndërsa edhe Brenda rajonit të Shkupit ekzistojnë dallime të mëdha në zhvillimin ekonomik. Njëherësh pjesëmarrje të ulët në ekonominë nacionale kanë edhe rajonet e tjera që nuk kalojnë as 10 përqindëshin.

Studiuesit e kësaj çështje thonë se shteti së pari duhet të respektojë ligjin dhe ndarjen e 1 për qind të PBB-së për zhvillim të barabartë rajonal, si dhe të të ndërmarrë edhe më shumë masa konkrete në terren duke stimuluar bizneset lokale në rajonet e pazhvilluara, duke rritur cilësinë e jetesës.

Një nga problemet që prek zhvillimin e barabartë rajonal është edhe mos gjetja akoma e një konsensusi apo një vullneti politik që kjo çështje trajtohet në një nivel më të lartë shtetëror, thotë për gazetën KOHA Drilon Iseni, një nga autorët e studimit “Zhvillimi i barabartë rajonal si shpëtim nga depopullimi i Maqedonisë së Veriut”. “Akoma po debatojmë se a po ndahet apo jo një për qind nga PBB për zhvillimin e barabartë rajonal. Njëherësh shtrohet edhe pyetja se sa edhe strategjia e re e miratuar nga Kuvendi në vitin e kaluar do të mund të avancojë këtë çështje, duke marrë parasysh edhe mungesën e resurseve njerëzore apo kadrovike të shumicës së komunave që për shembull me pesë njerëz duhet të menaxhojnë projekte prej 20 milionë euro, e të mos flasim për shkruajtjen dhe aplikimin për projekte të ndryshme apo për procedurat e prokurorimit”, shton më tej Iseni. Ai thekson më tej se shteti duhet të ndihmojë në rajonet e pazhvilluara ndër të tjerash edhe në hapjen e start ap bizneseve nga ana e grave që do të gjenerojnë vende të reja pune, duhet të mbështesë sektorin e teknologjisë informatike dhe bizneset e tjera edhe me lehtësime të ndryshme tatimore ngjashëm për shembull me shtetin kroat ku për të zbutur migrimin ofrohen më shumë lehtësime si anulimi në total i tatimit në fitim, dhe tatimeve tjera , pranimit të harxhimeve për pronarët e bizneseve për qëndrimin e fëmijëve në kopshte e kështu me radhë. “Nuk duhet të harrojmë se kompanitë në këtë kohë që akoma nuk kemi lënë pas as pandeminë , duhet menduar edhe për rikuperimin e bizneseve si dhe ndihmën për ruajtjen e likuiditetit të tyre. Në fund por jo më pak e rëndësishme, duhet theksuar edhe procesin e regjistrimit ku shpresojmë se nuk do të ketë politikë dhe do të kemi të dhëna përkatëse demografike për strukturën e popullatës që do të ofrojnë edhe bazë për planifikim më të lehtë të zhvillimit ekonomik dhe biznesbërjen”, përfundon Iseni.

Në ndërkohë studimi për zhvillimin e barabartë rajonal thekson se në vend ekzistojnë dallime të mëdha në zhvillim midis komunave urbane dhe rurale. “Një numër i madh i komunave nuk mund të mbulojnë as harxhimet rrjedhëse si transportin e nxënësve apo ngrohjen e objekteve shkollore. Jeta në fshatra dhe komunat më të vogla është shumë e rëndë, andaj edhe mjaft të rinj ikin në qendrat urbane apo jashtë shtetit. Mungesa e një zhvillimit të balancuar të aspektit ekonomik, kulturor dhe social të vendbanimeve rurale dhe qyteteve më të vogla në raport me qytetet kryesore dhe më të mëdha, luan rol kryesor në procesin e depopullimit, që paralelisht e rrit krizën, duke shkaktuar edhe problem shtesë me mungesën e fuqisë punëtore”, thuhet në studim.

Njëherësh shtohet se shkaqet e migrimit janë ekonomike, ku me 48 për qind kanë ikur për shkak të të ardhurave të ulëta, 23 për qind për shkak të papunësisë dhe 15,6 për qind për shkak të vështirësive gjatë punësimit. Shkaqet e migrimit janë edhe sociale, ku për një mjedis më të mirë kanë ikur 48 për qind, për shërbime më të mira publike kanë ikur 39.6 për qind. Lidhur me shkaqet personale të ikjes, me afër 80 për qind kanë të bëjnë me një perspektivë më të mirë të jetesës, dhe me 15.6 për qind për avancim profesional. Sipas anketimeve, me shpërngulje udhëheq me 34.4 për qind rajoni i Pollogut me trefish më pak popullatë nga rajoni i Shkupit që ka migrim prej 32.3 për qind , pasuar nga rajoni Jugperëndimor me 25 për qind etj. Studimi rekomandon që politikat e zhvillimit të barabartë rajonal, në radhë të parë të jenë të parashikueshme dhe transparente, të drejta dhe efektive. Sugjerohet që pas çdo analize, të zbatohet qasje sektoriale, gjatë definimit të politikave për çdo rajon planor në bazë të karakteristikave demografike dhe natyrore.

Kohë më parë nga Ministria e Pushtetit Lokal, theksuan se me Ligjin e ri për vetëqeverisje lokale parashikohet që të gjitha ministritë të kenë programe për zhvillimin e barabartë rajonal. Me ligjin e ri parashikohet që çdo ministri të respektojë shkallën e zhvillimit të rajoneve, apo me fjalë të tjera nëse një ministri do të ndajë më shumë mjete për një rajon, atëherë ministria tjetër duhet të planifikojë më shumë mjete për rajonin tjetër planifikues, apo nëse një vit kemi disbalans në dëm të një rajoni, atëherë vitin e ardhshëm ai rajon duhet të fitojë më shumë mjete. Nga atje shtojnë se shteti harxhon mjete të mëdha për zhvillimin e barabartë rajonal, por jo sipas shkallës së zhvillimit. “Si shtet harxhojmë edhe mbi 100 milionë euro për zhvillimin e barabartë rajonal, ku po ndërtohen shkolla dhe çerdhe, rrugë lokale dhe rajonale nëpër komuna dhe kështu kemi mbi një për qind të harxhimit në rajonet planifikuese, por megjithatë kjo nuk realizohet sipas shkallës së zhvillimit të rajoneve”, thekson ministri i Pushtetit Lokal, Goran Milevski.

Nga ana tjetër, në vitin e kaluar u promovua edhe “Sirera”, sistemi elektronik për zhvillim të barabartë rajonal që implementohet me ndihmën e qeverisë zvicerane. Ai duhet të ndjekë politikat e zhvillimit të barabartë rajonal si dhe të ofrojë pasqyrë të saktë të të gjitha investimeve nga arka e shtetit që investohen në nivel të rajoneve. Ai pritet të rrisë edhe llogaridhënien, komunikimin e ndërsjellë dhe efikasitetin e programeve të ndryshme. (koha.mk)

Redaksia
Publikuar nga Redaksia 21 Janar, 2022 19:51