Sot tentuan ta arrestojnë, por para 1 muaj i dhanë vendim për heqje dorë nga nënshtetësia?!

Flaka
Botuar nga Flaka 10 Dhjetor, 2024 17:10 Përditësuar

Sot tentuan ta arrestojnë, por para 1 muaj i dhanë vendim për heqje dorë nga nënshtetësia?!

ANALIZË FLAKA: Sot gjatë gjithë ditës po zhvillohet një aksion i madh policor kundër 23 personave. Një pjesë e tyre janë nga ish drejtuesit e TEC Manastir dhe EMV, mes tyre edhe ish drejtori i institucionit, Vasko Kovaçevski, ndërsa në media përmendet edhe emri i ish-drejtorit komercial Adrijan Muça.

Për këtë qëllim, kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri i brendshëm Pançe Toshkovski dolën në opinion në një konferencë për media. Nga të gjithë personat për të cilët gjurmohet, kryeministri tha se vetëm Vasko Kovaçevski nuk është i qasshëm, ndërkohë që mediat raportojnë që ish-drejtori i EMV-së, Vasko Kovaçevski para një muaji ka hequr dorë nga shtetësia maqedonase dhe aktualisht ndodhet në një nga vendet fqinje.

Sipas disa burimeve nga mediat vendore, Kovaçevski ka kërkuar nënshtetësinë serbe dhe aktualisht ndodhet në Serbi. Disa nga mediat tjera raportuan se Kovaçevski ndodhet në Austri, teksa nga MPB nuk ka pasur ende ndonjë reagim zyrtar rreth vendndodhjes së tij.

Nëse informacioni në media rezulton i saktë dhe ish-drejtori i EMV-së, Vasko Kovaçevski para një muaji ka hequr dorë nga shtetësia maqedonase, lindin shumë dyshime për largimin e tij në heshtje kaq paqësor drejt vendit fqinj.

Çka parashikon ligji për shtetësinë dhe kush e jep nxjerrjen, heqjen ose përcaktimin e shtetësisë ?

Ligji për shtetësinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut rregullon mënyrën dhe kushtet për fitimin dhe heqjen dorë nga shtetësia e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përcaktimin e shtetësisë, organin kompetent shtetëror për zgjidhjen e këtyre rasteve, vërtetimin e shtetësisë dhe mbajtjen e evidencës së qytetarëve të Republika e Maqedonisë së Veriut.

Kërkesa për nxjerrjen, heqjen ose përcaktimin e shtetësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dorëzohet në Ministrinë e Punëve të Brendshme sipas vendbanimit të personit ose, nëse personi jeton jashtë vendit, në përfaqësinë diplomatike-konsullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut jashtë vendit.

Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, shtohet më tej, lirohen nga shtetësia e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të fituar shtetësinë e një shteti tjetër, i cili në përputhje me legjislacionin e tyre kombëtar ka siguruar posedimin e vetëm një shtetësie.

Çfarë kushtesh duhet plotësuar, ata që kanë hequr dorë?

Dokumentet e nevojshme për lënien e shtetësisë së Maqedonisë: Kërkesë e plotësuar për lënien e shtetësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dorëzohen në MPB. Në mesin e dokumenteve të patjetërsueshme janë edhe biografi e parashtruesit të kërkesës të nënshkruar personalisht, certifikatë nga Libri amë i të martuarve, nëse është në një martesë, garanci se do të pranohet në shtetësinë e huaj, pëlqim nga fëmija mbi moshën 15 vjeç, nëse kërkesa për lënie është për të; Pëlqim nga prindërit për fëmijën deri në moshën 18 vjeç.

Ligji kërkon që të paraqisni një kopje të dokumentit që konfirmon se keni një vendbanim të ligjshëm të regjistruar në një shtet tjetër, vërtetimin e shtetësisë së burrit/gruas tuaj, si dhe të gjitha dokumentet e tjera të listuara më sipër, përveç pyetësorit për njohjen e gjuhës maqedonase.

“Në interes të sigurisë së Republikës së Maqedonisë, kërkesa e parashtruar për lënien e shtetësisë së Maqedonisë mund të refuzohet”, precizohet në ligj.

MBP përgatiti aksionin policor por autorit kryesor para një muaj i kishte mundësuar që të heq dorë nga nënshtetësia, edhe pse, ligji thotë që ninteres të sigurisë së Republikës së Maqedonisë, kërkesa e parashtruar për lënien e shtetësisë së Maqedonisë mund të refuzohet.

Parashtrohet pyetja që sa kohë MPB e përgatiti aksionin policor? Nëse kishte njohuri për përfshirjen e Kovaçevskit që ai dhe 22 persona të tjerë kishin shpërdorur 6.5 milionë euro, para se ti jepte vendimin për heqje dorë nga shtetësia dhe largim nga vendi? A iu mundësua ish drejtorit të institucionit, Vasko Kovaçevski që të largohej nga shteti para se MPB të realizonte aksionin policor?

Këto dyshime ngriten në opinion dhe kërkojnë shpjegime nga drejtuesit e MPB-së si bartëse e aksionit policor dhe institucion që i aprovoi Vasko Kovaçevskit heqjen dorë nga shtetësia. Nëse këto dyshime verifikohen, atëherë do të vijë në shprehje teoria që peshku i madh shpëton, peshqit e vegjël e pësojnë.

Ndryshe,për ish drejtuesit e TEC Manastir dhe EMV, ekzistojnë dyshime se kanë shpërdorur 6.5 milionë euro. Arrestime pati në Shkup, Manastir, Negotinë, Veles, ndërsa një pjesë e personave janë pronarë të kompanive që kanë marrë tenderë në TEC.

Për informacionet e tilla nga MPB thanë se do të kumtojnë detaje sapo të mbarojë aksioni. Detaje nuk kanë as nga Prokuroria për luftë kundër korrupsionit. Flaka Media

Flaka
Botuar nga Flaka 10 Dhjetor, 2024 17:10 Përditësuar