Çmenduria e një diktatori, njihuni me kampin e vdekjeve të ish presidentit Bashar al-Assad | VIDEO

Flaka
Botuar nga Flaka 11 Dhjetor, 2024 23:55

Çmenduria e një diktatori, njihuni me kampin e vdekjeve të ish presidentit Bashar al-Assad | VIDEO

Në orët e para pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad në Siri, qindra qytetarë kanë marshuar drejt vendit që për shumë prej tyre përfshinte sundimin e tij shtypës: burgun famëkeq “Saydnaya”.

Kompleksi famëkeq ushtarak është përdorur për të burgosur dhjetëra-mijëra njerëz që kanë kundërshtuar qeverinë siriane gjatë dekadave.

Në mesin e atyre që kërkonin njerëz që janë zhdukur brenda mureve të këtij burgu ishte edhe mjeku Sharvan Ibesh, shefi ekzekutiv i grupit të ndihmës Bahar.

Ai mbërriti atje në mesnatë për të ndihmuar një shoqe të kërkonte babanë e saj, i cili besohet se është mbajtur në këtë burg për 13 vite.

Doktor Ibesh në intervistë për BBC përshkroi skena “kaosi”, me qindra njerëz brenda burgut që përpiqeshin të gjenin të dashurit e tyre.

“Ishte shumë zhgënjyese. Ne nuk e gjetëm atë dhe nuk morëm asnjë informacion. Shoqja ime është shumë e mërzitur sepse për 13 vjet ajo ëndërronte të gjente babanë e saj. Na thanë se shumë të burgosur janë zhvendosur në një vend tjetër”, tha ai.

Sipas tij qindra njerëz kanë dalë nga ky burg. Grupi i mbrojtjes civile siriane, Helmetat e Bardha po kërkojnë ndërkohë për të burgosur në Saydnaya pas rrëfimeve të të dënuarve për hyrjet sekrete në qelitë e nëndheshme, megjithëse asnjë nuk është gjetur ende.

Një xhami 20 km larg po përdoret si vendtakim për të burgosurit e liruar dhe familjet e tyre. Kur Ibesh vizitoi Saydnaya të dielën, ai pa disa njerëz të sapo liruar në një gjendje të traumatizuar dhe rrëfen një nga historitë më prekëse, që është derivat i shtypjes nga regjimi i Asadit.

“Një grup njerëzish rrethuan dy burra që sapo ishin liruar, duke u përpjekur t’i ndihmonin. Ata ishin mbajtur në burg për disa vite dhe ishin të çorientuar. Ata nuk e dinin as sa ishte ora. Njerëzit rreth tyre pyesnin ‘si e ke emrin’ dhe ‘sa vjeç je?’, por ata as që mund t’ju përgjigjeshin atyre pyetjeve. Ishte e vështirë të thuash sa vjeç ishin duke i parë. Burrat ishin krejtësisht të humbur, ata thjesht shikonin përpara”, tha Ibesh.

Regjimi i Asadit burgosi qindra mijëra të burgosur politikë. Grupi i Shoqatës së të Burgosurve dhe të Zhdukurve në burgun Saydnaya me bazë në Turqi e përshkroi atë si një “kamp vdekjeje”.

Gjatë gjithë luftës civile, e cila filloi në vitin 2011, forcat qeveritare mbajtën qindra mijëra njerëz në kampet e paraburgimit, ku grupet e të drejtave të njeriut thonë se tortura ishte e zakonshme.

Ekipi i Agjencisë Anadolu në kryeqytetin Damask filmoi përpjekjet e ekipeve të Mbrojtjes Civile Siriane, të njohura si Helmetat e Bardha për të arritur në ndarjet sekrete të burgut Sednaya.

Në Siri po hetohen pretendimet për ndarje të fshehta në burgun Sednaya, i cili përshkruhet si qendra e torturës së regjimit të rrëzuar të Bashar Asadit.

Ekipi i Agjencisë Anadolu në kryeqytetin Damask filmoi përpjekjet e ekipeve të Mbrojtjes Civile Siriane, të njohura si Helmetat e Bardha për të arritur në ndarjet sekrete të Sednaya.

Vlerësohet se burgu i njohur si bazë torture në Siri, përbëhet nga më shumë se një kat nëntokë. Ekipet që punojnë pa pushim po përpiqen të kalojnë në katet e poshtme.

“Duhet të hapen dyert elektronike të kateve nëntokësore”

Mbrojtja Civile Siriane njoftoi se ka kaluar në veprim për të hetuar deklaratat e të mbijetuarve të burgut se ka njerëz që mbahen edhe në qelitë e nëndheshme të burgut Sednaya, i cili identifikohet me regjimin e rrëzuar të Asadit në Damask dhe që njihet për torturat e tij.

Kreu i Helmetave të Bardha, Raid Salih, në një deklaratë nga X theksoi se në Sednaya janë dërguar pesë ekipe ekspertësh të ndërhyrjes urgjente dhe se këto ekipe ndihmohen nga dy udhërrëfyes që kanë njohuri për burgun.

Bëhet e ditur se përpjekjet vazhdojnë për shpëtimin e të burgosurve të cilët pothuajse po mbyten për shkak të mungesës së ajrosjes dhe se duhet të hapen dyert elektronike të kateve nëntokësore për të liruar të burgosurit që mund të shihen në kamerat e sigurisë.

Autoritetet në rajon u bënë thirrje ish-ushtarëve të regjimit të rrëzuar dhe personelit të burgjeve që të japin fjalëkalimet e dyerve.

Në pritje për t’u ekzekutuar gjatë ditës

Në pamjet në mediat sociale dhe disa burime të lajmeve paraqiten protestuesit që bastisën burgun Sednaya dhe ata që shpëtuan nga burgu. Në mesin e atyre që u liruan, kishte edhe fëmijë të vegjël që u mbajtën me nënat e tyre.

Në disa prej pamjeve vërehet se ish-të burgosurit nuk mund të ecin për shkak të torturave dhe dolën jashtë burgut duke u “zvarritur”.

Në videon e shpërndarë nga Shoqata e të Burgosurve dhe të Zhdukurve të Burgut Sednaya (ADMSP), mund të shihen gratë e lira nga Sednaya. Në pamje grave u thuhet se janë të sigurt, “Asadi ka rënë, mos kini frikë!”.

Një tjetër imazh i shpërndarë në mediat sociale tregon njerëz që presin pranë burgut për të parë nëse të afërmit e tyre janë në mesin e të liruarve nga Sednaya.

Në një regjistrim tjetër që thuhet se është regjistruar në rrugët e Damaskut, shihen duke vrapuar në rrugë të liruarit. Në pamje një nga robërit e shpëtuar pyet një kalimtar se çfarë ka ndodhur dhe i thonë “Ne përmbysëm regjimin” ndërsa ai nuk mund ta fshehë lumturinë e tij kur dëgjon përgjigjen.

Gjithashtu, në një video tjetër që ka qarkulluar në median sociale, një i burgosur sirian që u lirua me rënien e regjimit Baath, disa orë para ekzekutimit të tij përcjell se “Ekzekutimi ynë ishte gjysmë ore më parë. 54 persona… Ekzekutimi ynë ishte sot”.

Sednaya, qendra e torturës e regjimit të Asadit

Sipas raporteve të publikuara nga organizatat ndërkombëtare, thuhet se Burgu Ushtarak Sednaya i vendosur 30 kilometra larg kryeqytetit Damask dhe i lidhur me Ministrinë e Mbrojtjes të regjimit të rrëzuar u kthye në një bazë ku mbaheshin demonstruesit paqësorë kundër regjimit dhe elementët ushtarakë anti-regjim, pas ngjarjeve të marsit 2011.

Në raporte thuhet se zyrtarët e regjimit të përmbysur, në burg organizuan në heshtje dhe sistematikisht vrasjen e mijëra njerëzve që ata kishin arrestuar.

Në raportet që zbulojnë se regjimi në burg ka kryer ekzekutime jashtëgjyqësore përmes “ekzekutimeve masive”, vihet në dukej se rreth 50 persona u varën çdo javë, ndonjëherë çdo dy javë, midis 2011 dhe 2015.

Gjithashtu, raportet tregojnë se regjimi i mbante qëllimisht të burgosurit e tij në Sednaya në kushte çnjerëzore, i torturonte në mënyrë të përsëritur dhe i privonte sistematikisht nga ushqimi, uji, ilaçet dhe kujdesi mjekësor.

Hetimi i Amnesty International në vitin 2017 zbuloi se vrasjet dhe torturat në Sednaya që nga viti 2011 janë kryer si pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik ndaj popullsisë civile të vendit dhe janë kryer si pjesë e politikës së regjimit.

Në raportin e saj, Amnesty International njofton se kanë arritur në përfundimin se shkeljet e zyrtarëve të regjimit të rrëzuar në Sednaya përbëjnë krime kundër njerëzimit.

“Fotografitë e Cezarit”

Fotografitë e bëra nga ushtari me emrin e koduar “Cezari” i cili ka shërbyer në ushtrinë e regjimit sirian dhe ka qenë përgjegjës për regjistrimin e kufomave të sjella në spitalet ushtarake gjatë luftës civile, mendohet se u përkasin rreth 11 mijë njerëzve të moshës 20 deri në 40 vjeç, të cilët u përcaktuan se ishin vrarë me tortura dhe metoda çnjerëzore nga regjimi.

Plagët mbi kufoma në fotografitë e bëra midis majit 2011 dhe gushtit 2013 kanë vlerë provuese pasi tregojnë se si torturoheshin dhe vriteshin personat që mbaheshin në objektet ushtarake të forcave të regjimit.

Rreth 55 mijë fotografi të realizuara nga ushtari i koduar “Cezari” u publikuan nga AA për herë të parë në vitin 2014. Fotografitë në fjalë patën një ndikim të madh si dëshmi e krimeve të luftës të kryera nga regjimi i Asadit, duke përfshirë torturën sistematike dhe urinë.

Pas 33 vitesh pas hekurave në burgun famëkeq Sednaya të Sirisë, që ndodhet në një zonë rurale jashtë kryeqytetit Damask, një libanez ka treguar se si ai “po frymonte çdo ditë mundime” dhe nuk kishte shpresë se do të kthehej ndonjëherë në vendin e tij në Liban.

Por sot, Souhail Hamwi më në fund e gjen veten në përqafimin e atdheut dhe familjes së tij, pas rënies së shpejtë të regjimit sirian të Bashar Asadit.

Hamwi, shtetasi i parë libanez që u kthye në vendin e tij pasi u lirua së bashku me të burgosur të tjerë libanezë nga burgjet e regjimit sirian, duke folur për Anadolu në një intervistë tha se ai nuk kishte asnjë shpresë të largohet nga burgu dhe të kthehet në atdheun dhe shtëpinë e tij.

Sipas raporteve ndërkombëtare, Burgu Ushtarak Sednaya, i përshkruar si një “thertore njerëzore”, ndodhet rreth 30 kilometra nga kryeqyteti Damask.

Pas marsit të vitit 2011, ky vend u bë një qendër për ndalimin e protestuesve paqësor dhe anëtarëve të opozitës së armatosur. Raportet tregojnë se mijëra u vranë sistematikisht dhe fshehurazi brenda burgut, ku regjimi kreu ekzekutime masive jashtëgjyqësore midis viteve 2011 dhe 2015, me një normë deri në 50 persona për çdo javë.

Këto raporte gjithashtu tregojnë se regjimi sirian i Asadit i mbante të burgosurit në kushte çnjerëzore, duke i nënshtruar në tortura sistematike dhe duke i privuar nga ushqimi, uji dhe kujdesi mjekësor.

Herët në mëngjesin e të dielës, fraksionet kundër regjimit hyrën në Damask dhe morën kontrollin pasi forcat e regjimit u tërhoqën nga institucionet publike dhe rrugët e kryeqytetit, duke i dhënë fund në këtë mënyrë 61 viteve të regjimit të përgjakshëm të Partisë Baath dhe 53 viteve të sundimit të familjes Asad.

Më 27 nëntor, filluan përplasjet midis forcave të regjimit sirian dhe fraksioneve të opozitës në provincat Alepo dhe Idlib, të cilat ranë nën kontrollin e fraksioneve dhe më pas u përhapën në qytetet Hama, Daraa, Sweida, Homs dhe në fund në kryeqytetin Damask.

– Vuajtje dhe dëshpërim

Hamwi u arrestua në vitin 1991 nga inteligjenca ushtarake siriane me akuzën se i përket partisë Forcat Libaneze, e njohur për kundërshtimin e saj ndaj pranisë siriane në Liban. Sipas grupeve libaneze të të drejtave të njeriut, ai është një prej qindra shtetasve libanezë që u zhdukën në burgjet siriane.

“Unë u dënova me burgim të përjetshëm në burgun Sednaya dhe sot ja ku jam përsëri në të njëjtën shtëpi nga e cila u arrestova, në qytetin Chekka (Libanin verior), nga inteligjenca siriane 33 vite më parë”, thotë Hamwi.

I burgosuri i liruar i përshkroi vuajtjet që kaloi mbi tre dekada gjatë burgimit të tij. Ai u zhvendos midis burgut Anjar në Libanin lindor, atëherë nën administratën siriane, në burgun Adra në Damask, më pas në burgun Latakia dhe në fund në burgun famëkeq Sednaya.

“Gjatë disa periudhave të burgimit, kam qenë në izolim për 15 vjet përpara se të transferohesha në burgun Sednaya, ku më vendosën në një qeli të përbashkët”, shpjegon Hamwi.

– “Nuk prisnim që kaq shpejtë të dalim nga burgu”

“Gjithçka që kam jetuar dhe frymuar që nga momenti i arrestimit ishte mundim, një ndjenjë e përzier me dëshpërim dhe privim. Nuk kisha fare shpresë se do të largohesha përsëri nga burgu”, shprehet Hamwi, duke shpjeguar kushtet gjatë burgimit të tij.

“Nuk ka pasur vizita, komunikim me familjen dhe të afërmit ishte krejtësisht i ndaluar. Unë besoj se ka pasur një mungesë në mbulimin mediatik të tragjedisë sonë”, shtoi ai.

Hamëi foli edhe për lirimin e tij dramatik gjatë fundjavës.

“E dinim se kishte ngjarje që po ndodhnin jashtë, por kurrë nuk prisnim të dalim kaq shpejt nga burgu. Dëgjova të shtëna, por nuk e di se kush më liroi. Kam ecur rreth 15 kilometra në këmbë përpara se dikush më çoi në Liban”, thotë Hamwi.

– Një fije shprese

Më herët, Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit raportoi se Hamwi është ndër të burgosurit e parë që u kthye në Liban, një hap që rriti shpresat për kthimin e të burgosurve të mbetur libanezë dhe të atyre që janë zhdukur.

Gjatë pranisë pothuajse 30-vjeçare të Sirisë në Liban (1976–2005), shumë libanezë u arrestuan dhe u transferuan në burgjet siriane për arsye të ndryshme, përfshirë për arsye se i përkisnin palëve që kundërshtonin praninë siriane në Liban ose nën dyshimin për bashkëpunim me grupe të konsideruara “armiqësore” ndaj regjimit sirian të asaj kohe.

Gjithashtu disa libanezë për arrestimin e tyre pa asnjë shpjegim real, iu nënshtruan zhdukjes me forcë, veçanërisht gjatë Luftës Civile Libaneze (1975–1990).

Në të kaluarën, regjimi i Asadit liroi të burgosurit libanezë në dy grupe, respektivisht grupi i parë në vitin 1998, i cili përfshinte 121 shtetas libanezë dhe i dyti në vitin 2000, i cili përfshinte 54 libanezë.

Megjithatë, organizatat libaneze pohojnë se qindra libanezë mbeten në burgjet siriane, një pretendim që regjimi i rrëzuar i Asadit e mohoi.

Sipas grupit joqeveritar Shoqata e të Burgosurve Politik Libanezë në Burgjet Siriane, rreth 622 shtetas libanezë mbeten të zhdukur me forcë në burgjet siriane.

Flaka
Botuar nga Flaka 11 Dhjetor, 2024 23:55