Shkatërrohet grup terrorist në Strugë dhe Gostivar, arrestohen katër persona, donin ta destabilizonin vendin
Një aksion i madh policor është zhvilluar gjatë ditës në territorin e Strugës dhe Gostivarit. Me urdhër të prokurorit janë kryer bastisje në disa lokacione. Janë arrestuar katër persona, të cilët planifikonin aktivitete terroriste, gjegjësisht rrezikonin sigurinë e Maqedonisë, por edhe të vendeve të tjera.
“Kemi shumë prova në drejtim të dyshimit të bazuar se këta persona kanë vepruar me qëllim që në të ardhmen të organizojnë ngjarje të padëshiruara, të cilat mund të rrezikojnë sigurinë e Maqedonisë dhe të shteteve tjera. Qëllimi i tyre ishte të indoktrinonin, të rekrutojnë njerëz të tjerë nga Ballkani, të cilët mund të vepronin në përputhje me rrethanat në drejtim të realizimit të qëllimeve të tyre”, tha Pançe Toshkovski – ministër i Punëve të Brendshme.
Të arrestuarit, si dhe persona të tjerë që nuk ndodhen në territorin e Maqedonisë, janë monitoruar për një kohë të gjatë nga organet kompetente të sigurisë në Maqedoni, në bashkëpunim me organizatat partnere ndërkombëtare, me koordinim të të cilave kanë vepruar për këtë rast, thotë Toshkovski. Sipas informacioneve, personat ishin të lidhur me grupe të caktuara fetare dhe ekstremiste.
“Vepra penale për të cilën është bërë kallëzim penal është organizata terroriste, mendoj 394/1. Po, motivet e kësaj celule terroriste, le ta quajmë kështu, lidhen me grupe të caktuara. Ne kemi dyshime të arsyeshme se ata janë të lidhur me grupe të caktuara që janë në mbështetje të grupeve të caktuara ekstremiste dhe fetare”, shtoi ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski.
Më shumë informacione nuk zbulohen, për të mos dëmtuar procedurën. Prokuroria njoftoi se nesër do të ndajë me publikun më shumë detaje.