VLEN: Grubi nuk duhet të jetë pjesë e Universitetit të Tetovës

Flaka
Botuar nga Flaka 16 Dhjetor, 2024 13:21

VLEN: Grubi nuk duhet të jetë pjesë e Universitetit të Tetovës

Koalicioni VLEN në një konferencë për media kanë deklaruar se partia non grata BDI është në panik. Sipas tyre, ata me të gjitha forcat po përpiqen që përmes kapixhikut, të rehabilitojë hijen e Ali Ahmetit, banorin më të ri të listës së zezë amerikane, Artan Grubin.

“VLEN është këtu për t’i thënë popullit të vërtetën, futja e bedelit të Ahmetit, Artan Grubit në listën e zezë amerikane për korrupsion është ditë zie për shqiptarët, pasi zyrtarisht u konfirmua që BDI në emër të shërbimit të shqiptarëve i ka shërbyer krahut mafioz të kushërinjve Sasho Mijallkov e Nikolla Gruevski.
Nuk ka gjë që nuk ka fund, por fundi i tyre është i trishtë sikurse e gjithë veprimtaria e tyre. Pasi u fundos Artan Grubi dhe BDI duke kaluar në parti non grata, përpëlitjet e Grubit për të qëndruar në skenën publike janë në drejtim të Universitetin të Tetovës që u ndërtua me gjak dhe sakrificë. Universitet që ka histori dhe peshë të rëndësishme për shqiptarët e këtij vendi. Prezenca e Grubit në ato hapësira është njollosje e vlerave që bart ky Universitet.

Të nderuar, Artan Grubi nuk duhet të jetë pjesë e këtij universiteti për shumë arsye, përpos që është figurë e denigruar, me vulë amerikane është shpallur person i korruptuar, me vulë poashtu amerikane është vërtetuar që i ka shërbyer Sasho Mijallokvit që ndryshe njihet si gjakpirës i shqiptarëve, me këtë Grubi është lakuriq nga kredibiliteti i tij moral e etik përballë shqiptarëve. Prandaj është absurde që ky person të kërkojë strehim në tempullin e dijës të shqiptarëve që është ndërtuar përsërisim me shumë mund dhe sakrificë. Nuk është kjo e tëra, alarmojmë opinionin dhe kërkojmë nga udhëheqësit e Universitetit të Tetovës për vendimin që kanë marrë në shtator të këtij viti për formimin e një Komisioni recensues ta shfuqizojnë sa më parë sepse është në kundërshtim edhe me statutin e tyre. Informojmë opinionin e gjerë se nota mesatare e Grubit nga studimet deridiplomike është 7, me çka një student i këtij kalibri nuk mund të dalë para studentëve.

Universiteti i Tetovës në shpalljen e “rezervuar” për Grubin, dëshiron që të njëjtin ta avancojë. Prandaj, pyesim publikisht dhe kërkojmë përgjigje nga Universiteti i Tetovës mbi bazën e cilave parime e kritere dëshironi ta avanconi Grubin, edhe pas këtij momenti kur aleatët e vendit tonë, rajonit, e miqtë e shqiptarëve, SHBA-të alarmuan që Grubi duhet të qëndrojë larg institucioneve e sa më afër organeve të drejtësisë për të dhënë llogari. Pra nuk duhet të harrojmë, që qëndrojnë dy arsye të palëkundura që Grubi jo brenda por as përreth Universitetit të Tetovës nuk duhet të sillet, sepse i mungon edhe kredibiliteti moral edhe ai profesional. VLEN lufton fuqishëm korrupsionin dhe mashtruesit!”, kanë thënë nga VLEN.

Flaka
Botuar nga Flaka 16 Dhjetor, 2024 13:21