UT dhe Universiteti Sam Houston nënshkruan memorandum për bashkëpunim akademik dhe shkencor
Universiteti i Tetovës dhe Universiteti Shtetëror Sam Houston nga Teksasi i SHBA-së, më 18 dhjetor 2024, nënshkruan një memorandum i cili ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit akademik dhe shkencor midis dy institucioneve.
Ky memorandum synon nxitjen e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe zhvillimin në fushat e arsimit dhe kërkimit shkencor. Palët u dakorduan të angazhohen në një sërë aktivitetesh të përbashkëta, përfshirë: projekte kërkimore dhe projekte pilotë; shkëmbim të personelit kërkimor dhe mësimdhënës; shkëmbim të studentëve; organizimin e seminareve, konferencave dhe aktiviteteve të përbashkëta dhe shkëmbim të botimeve shkencore dhe materialeve për qëllime edukative dhe kërkimore. Ky memorandum ka paraparë në vete edhe forma tjera bashkëpunimi siç janë: vizita afatshkurtra të stafit akademik për konsultime, leksione dhe planifikim projektesh; vizita afatgjata të personelit kërkimor dhe teknik për trajnime dhe pjesëmarrje në projekte kërkimore; shkëmbim të studentëve për trajnime praktike dhe pjesëmarrje në programe ndërkombëtare; promovim të kontakteve me shkencëtarë të shquar nga qendra akademike ndërkombëtare.
Në takimin e sotëm të nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit nga Universiteti i Tetovës morën pjesë: Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli i shoqëruar nga përgjegjësja e Zyrës për marrëdhënie ndërkombëtare, Doc. Dr. Hatibe Deari Zeqiri, ndërsa Universiteti Shtetëror Sam Houston u përfaqësua nga: Dr. Sharmistha Self – dekane e Fakultetit të Administrimit të Biznesit, Dr. Natalie Hegwood – zëvendësdekane e Fakultetit të Administrimit të Biznesit, Gjeneral David Glaser, shef i Zyrës për strategji në Fakultetin e Administrimit të Biznesit.
Ky bashkëpunim pritet të sjellë përfitime të shumta për të dy universitetet dhe të nxisë zhvillimin e arsimit dhe kërkimit shkencor në nivel ndërkombëtar.