Incidentet që sollën urrejtje ndëretnike, nxitën edhe reagimin e politikës
Kryeministri Hristijan Mickoski bëri thirrje për unitet dhe qetësi. Sipas tij ka pasur përpjekje për të shkaktuar tensione ndëretnike, ndërsa ai ka paralajmëruar për skenarë të tilla. Mickoski thotë se përpjekje të tilla do të ketë edhe në të ardhmen.
“Ekziston një grup i izoluar politik që 5-6 muajt e fundit vështirë po adaptohet që të jetë në opozitë, pas më shumë se 2 dekadave në pushtet”, tha Hrisitjan Mickoski, kryeministër.
Zv. kryeministri i parë, Izet Mexhiti, apeloi që këtë periudhë të udhëhiqemi me “kokë të ftohtë” dhe foli për prapavijën e personave të arrestuar.
“Rastësisht apo jo, del që janë persona të afërt me BDI. Punojnë në ndërmarrjet e tyre publike, ku kanë drejtorë dhe janë fotografuar me to”, tha Izet Mexhiti, zv/kryeministër i parë.
Nga BDI vlerësojnë se deri te ngjarjet e tilla ka sjellë politika diskriminuese e pushtetit. Ata akuzuan se Qeveria inkurajon ndarje, urrejtje ndëretnike, nuk mund të jetë partner i besueshëm i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe se udhëheq koncept të pronësisë etnike të shtetit.
LSDM kërkon që të thirret, siç thonë, takim liderësh për stabilitet, ku do të marrin pjesë kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Parlament.
“Në këtë takim, të gjithë duhet të dërgojmë porosi se Maqedonia është dhe do të mbetet shtet i qytetarëve të saj. Shtet ku respektohen dallimet dhe që mbron simbolet shtetërore, rendi dhe paqja”, shtoi Metodija Illievski, nënkryetar i LSDM.
Për thirrjen e opozitës, kryeministri Mickoski u përgjigj se do të mendojë nëse do të mbajë takim liderësh, por siç tha, për momentin nuk sheh arsye.
Kryetari i ASH-së dhe njëri nga liderët e VLEN-it, Arben Taravari ka deklaruar se shteti nuk do të lejon destabilizim dhe se do të përgjigjet njësojë për të gjithë. Ai tha se për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut, arrestohen persona që e përdhosën flamurin kombëtar shqiptarë. Taravari iu bën apel gjithë qytetarëve që mos të bien pre e provokimeve të atyre që nuk ia dojnë të mirën shtetit.
“Situatë jo e këndshme nga të dyja palët. Ka një proverbë popullore shqiptare e cila thotë: Çdo fis e ka nga një pis. Kështu që djegia e flamur të një shteti apo të një etnie apo të një kombi nuk është në rregull, por edhe qeveria dërgoi porosi të qarta. Nga të dyja anët praktikisht kishte marrje në bisedë edhe të shqiptarëve edhe të maqedonasve. Në Prilep, e dëgjova ministrin e MPB-së, ku për herë të parë në historinë e Maqedonisë ndodh që dikush që e djeg flamurin shqiptarë që të burgoset dhe të merren masa. Gjithashtu, fatkeqësisht edhe nga ana e shqiptarëve të cilët e kanë djeg flamurin shtetërorë, janë privuar nga liria disa persona, dhe kjo është porosi e qartë se të gjithë duhet t’i respektojmë flamujt e njëri tjetrit, t’i respektojmë ligjet. Çdo kush që bie pre e provokimeve të atyre që janë në zor sepse janë para përgjegjësisë, shumë shpejtë i thirr drejtësia, nuk bën dhe nuk duhet të jenë pre e provokimeve të tyre. Kështu që, i lus të gjithë qytetarët pavarësisht përkatësisë etnike, le ta respektojmë njëri tjetrin dhe le të respektojmë ligjet sepse qeveria do iu përgjigjet njësojë të gjithë palëve”, ka deklaruar ministri, Arben Taravari.
Gjatë takimit në Haraçinë, kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, adresoi incidentet e fundit që ndodhën gjatë festës së flamurit, duke ofruar një qëndrim të prerë dhe të bazuar në fakte.
“Pati përpjekje për destabilizim, ku u përdhos flamuri shtetëror dhe u arrestuan ata që ranë pre e mashtrimeve të BDI-së. Por është po aq e vërtetë se u arrestuan edhe ata që përdhosën flamurin kombëtar,” theksoi Ibrahimi. Ai sfidoi drejtpërdrejt Ali Ahmetin, duke pyetur:“Le të tregojë Ali Ahmeti se kur në kohën e tij është arrestuar dikush për përdhosjen e flamurit kombëtar.”
Ibrahimi vlerësoi se kjo ndodh vetëm kur politika udhëhiqet me duar të pastra dhe pa hipoteka, duke nënvizuar se qytetarët nuk duhet të bien pre e provokimeve për destabilizim.