Manifestimi për 24-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, skenë e deklaratave të forta politike

Flaka
Botuar nga Flaka 13 Gusht, 2025 23:23

Manifestimi për 24-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, skenë e deklaratave të forta politike

Manifestimi për 24-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit u shndërrua në arenë deklaratash të forta politike nga liderë dhe figura të ndryshme shqiptare në Maqedoninë e Veriut, të cilët jo vetëm kujtuan rëndësinë historike të këtij dokumenti, por edhe adresuan kritika e mesazhe të drejtpërdrejta për aktualitetin politik dhe marrëdhëniet ndëretnike.

Në fjalimin e tij, Ali Ahmeti – kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim – theksoi se Marrëveshja e Ohrit ka qenë themel i paqes dhe stabilitetit të vendit. Ai bëri thirrje për një proces të vetingut në politikë dhe drejtësi, duke e cilësuar atë si të vetmen mënyrë për të garantuar institucione të pastra dhe politikanë me integritet. Ahmeti rikujtoi sakrificat e vitit 2001 dhe rëndësinë historike të kësaj marrëveshjeje si bazë për paqen dhe bashkëjetesën në vend.

“Para 24 viteve, populli ynë u gjend përballë një realiteti të vështirë. Ne vendosëm të ngrihemi për të drejtat tona dhe e arritëm qëllimin përmes një marrëveshjeje që solli barazi, përfaqësim dhe zhvillim të përbashkët. Marrëveshja e Ohrit nuk është vetëm një dokument politik, por është një testament i gjallë i vullnetit tonë për të jetuar së bashku në paqe e dinjitet”, theksoi Ahmeti.

Ai u ndal edhe tek sfidat aktuale, duke bërë thirrje për unitet mes partive shqiptare dhe respektim të plotë të frymës së Marrëveshjes së Ohrit.
“Ky dokument nuk duhet parë vetëm si histori. Ai duhet të jetë udhërrëfyes për çdo vendim politik që marrim sot. Paqja nuk fitohet një herë e përgjithmonë, ajo duhet të ruhet dhe të forcohet çdo ditë”, tha Ahmeti.

Kreu i BDI-së shprehu mirënjohje për të gjithë ata që dhanë jetën për liri dhe barazi, duke përmendur në mënyrë të veçantë nënat dhe familjarët e dëshmorëve.
“Dhimbja e tyre është ende e gjallë, por nga kjo dhimbje ne kemi nxjerrë forcën për të ecur përpara”, shtoi ai.

Në fund të fjalimit, Ali Ahmeti i dërgoi mesazh partnerëve ndërkombëtarë, duke i falënderuar për mbështetjen e dhënë gjatë dhe pas konfliktit të vitit 2001, si dhe duke ritheksuar se rruga e vetme për Maqedoninë e Veriut është integrimi i plotë në Bashkimin Europian dhe ruajtja e raporteve të mira ndëretnike.

60
SONDAZHI NË FLAKA

A keni besim te sistemi i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut?

Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët kujtoi sakrificat e bëra gjatë konfliktit të vitit 2001, duke theksuar se detyra e politikanëve është “të jenë në anën e duhur të historisë”. Ai i përkujtoi të pranishmit se pas çdo neni të Marrëveshjes së Ohrit fshihen histori reale njerëzore, dhimbja e familjeve që humbën të dashurit e tyre dhe sakrificat e një populli për të drejtat e tij.

Blerant Ramadani nga Aleanca për Shqiptarët u ndal te mesazhi themelor i Marrëveshjes së Ohrit: barazia dhe e drejta. “Këto dy parime duhet të vazhdojnë të udhëheqin politikanët shqiptarë në çdo vendim që marrin. Marrëveshja nuk është vetëm histori, por udhërrëfyes për të ardhmen tonë të përbashkët,” – theksoi Ramadani.

Në një ton më polemizues, Arjanit Hoxha – lider i Partisë Demokratike Europiane – iu përgjigj hapur kritikëve të tij, përfshirë Skender Rexhepin, Ziadin Selën dhe Arben Taravarin, të cilët së fundmi janë afruar me Ali Ahmetin. “Më mirë është t’ia zgjasim dorën Ali Ahmetit se sa Stoillkoviçit dhe ‘serbski svetit’,” – deklaroi Hoxha, duke e lidhur zgjedhjen politike me mbrojtjen e interesave kombëtare.

Skender Rexhepi – Zejdi nga Lëvizja Populli përdori fjalimin e tij për të reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski për Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (UÇK). “UÇK ishte formacion i drejtë, i njohur ndërkombëtarisht,” – tha Zejdi, duke theksuar se nuk duhet harruar “jonjerëzoria e shuarjes së një familjeje të tërë në Sllupçan dhe masakra e Lubetenit”, ku u vranë civilë shqiptarë gjatë konfliktit të 2001-shit.

Këto deklarata treguan se, edhe pas 24 vjetësh, Marrëveshja e Ohrit mbetet jo vetëm dokument juridik dhe politik, por edhe një pikë referimi për debatet e sotme mbi të drejtat, barazinë dhe drejtësinë në vend. Për disa, ajo është simbol i përbashkësisë dhe garanci e paqes; për të tjerë, ende një mision i papërfunduar. Flaka Media

Flaka
Botuar nga Flaka 13 Gusht, 2025 23:23

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
60
SONDAZHI NË FLAKA

A keni besim te sistemi i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut?