Policia identifikoi 26-vjeçarin që lajmëroi rrejshëm për bombë në Aeroportin e Shkupit
Departamenti për shtypjen e krimit të organizuar dhe serioz pranë MPB-së – Sektori për luftë kundër terrorizmit, ka ngritur kallëzim penal me procedurë të përshpejtuar kundër S.A. (26) nga Shkupi, për shkak të dyshimit të bazuar për veprën penale “terrorizëm” sipas nenit 394-b të Kodit Penal, transmeton Flaka Media
“Më 16 gusht 2025, në orën 02:41, i dyshuari lajmëroi rrejshëm se ishte vendosur një bombë në avionin që nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit duhej të nisej drejt Turqisë”, njoftojnë nga MPB.
Për pasojë, aeroporti u mbyll për disa orë, ndërsa fluturimet e planifikuara u shtynë deri në përfundimin e kontrolleve antiterroriste.
Nga MPB shtojnë se “më 20 gusht 2025, me urdhër gjykate, u krye kontroll në banesën e të dyshuarit në Kisella Vodë, ku u gjetën dhe u sekuestruan sende të lidhura me ngjarjen, ndërsa personi u privua nga liria”.
Në bisedë zyrtare në stacion policor, i dyshuari ka pranuar veprën.
Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka pranuar kallëzimin penal dhe do të vazhdojë procedurën ligjore ndaj të dyshuarit.


















