BDI akuzon VLEN-in: Premtime boshe, dështime të njëpasnjëshme dhe shërbim ndaj interesave të huaja
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj qeverisjes së VLEN-it, duke e cilësuar këtë pushtet si “simbol të dështimeve dhe mashtrimeve elektorale”, transmeton Flaka
Nga kjo parti theksojnë se VLEN ka ardhur në pushtet me premtime të mëdha për ndryshimet kushtetuese, por ka zhgënjyer qytetarët.
“Fillimisht u zotuan se ndryshimet kushtetuese do të bëheshin para formimit të Qeverisë. Më pas thanë brenda 100 ditëve. Pastaj brenda tre muajve. Në fund, brenda gjashtë muajve. Sot, pas një viti, shqiptarët dëgjojnë vetëm justifikime nga Izet Mexhiti dhe shokët e tij se ‘koha nuk ka mjaftuar’”, – theksojnë nga BDI.
Sipas tyre, në vend të vizionit dhe guximit politik, VLEN ka hapur derën për ndikime nga Beogradi dhe Moska, duke minuar Marrëveshjen e Ohrit dhe duke zbehur pozitën e shqiptarëve.
Në reagim listohen edhe disa prej, siç i cilëson BDI, premtimeve të parealizuara:
- “Premtuan 2500 vende pune – qytetarët morën zhgënjim.”
- “Premtuan mbështetje financiare për të rinjtë – qytetarët morën zero.”
- “Premtuan projekte kombëtare – sollën Ivan Stoillkoviqin si zëvendëskryeministër për implementin të Marrëveshjes së Ohrit.”
- “Premtuan ndryshime kushtetuese dhe rrugë drejt BE-së – sollën partneritete me politikanë që propagandojnë ‘Botën Serbe’.”
Duke cituar ish-ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani, nga BDI thonë se shmangia e debatit për BE-në dhe refuzimi i monitorimit ndërkombëtar janë strategji për të fshehur korrupsionin dhe dështimet qeveritare.
“VLEN është dëshmuar si mashtrim politik dhe turp kombëtar që po e izolon vendin dhe po i përjashton shqiptarët nga proceset vendimmarrëse,” – thuhet në reagim.
Në fund, BDI paralajmëron se tetori do të jetë momenti kur qytetarët do t’i japin fund “mashtrimeve dhe dështimeve të kësaj qeverie” përmes referendumit popullor.
“Qytetarët meritojnë përfaqësim dinjitoz dhe vizion të qartë europian, jo premtime boshe dhe arsyetime qesharake. Askush nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë politike dhe juridike,” – përfundon reagimi i BDI-së.


















