Kur parullat bien poshtë: ‘Çairi foli’ apo ‘VLEN-i demaskoi veten’?

Flaka
Botuar nga Flaka 10 Shtator, 2025 09:28 Përditësuar

Kur parullat bien poshtë: ‘Çairi foli’ apo ‘VLEN-i demaskoi veten’?

Redaksia Flaka

Hapja e Shtabit Zgjedhor të VLEN-it në Çair, që ishte menduar të jetë një shfaqje force politike dhe demonstrim i mbështetjes së gjerë, në fakt rezultoi në një paradë kontradiktash dhe autogolash politikë. Nga njëra anë, organizatorët tentuan të krijojnë një atmosferë festive e masive, por në përpjekje për të mbushur hapësirën e vogël të një oborri në një nga ndërtresat e Çairit, ata u detyruan të sjellin aktivistë nga cep në cep i Maqedonisë së Veriut. Në vend që kjo të jepte përshtypjen e një lëvizjeje të fuqishme lokale, në fakt u ekspozua një dobësi themelore: mungesa e mbështetjes së sinqertë dhe të madhe brenda vetë Çairit.

Shumë prej pjesëmarrësve shpërndanë në rrjete sociale postime nga Likova, Struga, Tetova e qytete të tjera, duke zbuluar pa vetëdije se turma ishte e importuar. Kjo e ktheu sloganin “Çairi foli” në një bllof të madh, pasi ata që folën nuk ishin çairas, por militantë të transportuar për të krijuar iluzionin e masës. Në këtë mënyrë, vetë VLEN-i e demaskoi veten duke shfaqur jo vetëm dobësitë organizative, por edhe mungesën e kredibilitetit për të bindur opinionin publik.

Fjalimet e liderëve e thelluan edhe më tej kontradiktën. Bekim Fazliu rikujtoi me stilin e tij retorik epokën e PDSH-së, kur sheshet mbusheshin me transport të organizuar, por zgjedhjet humbeshin. Adnan Azizi tentoi të japë një kuptim të ri emrit “Izet”, por doli kontradiktor dhe madje u ironizua nga fakti se në fjalorin shqip nuk ekziston një interpretim i tillë, përkundrazi ekziston vetëm fjala “lezet”. Zeqirja Ibrahimi bëri lapsusin e radhës duke futur fenë dhe të dërguarin e Zotit në një fjalim për një figurë që vetë e kishte quajtur dikur “kriminel, hajn, mashtrues”. Ky kthim i beftë dhe pa shpjegim e minon seriozisht kredibilitetin e tij. Ndërkohë, Bilall Kasami mbeti në vargjet e zakonshme të mësuara përmendësh, pa sjellë diçka të re, ndërsa Arben Fetai u paraqit si një figurë kontradiktore që shpesh ushqehet nga shpifje e gjysmë të vërteta.

213
SONDAZHI NË FLAKA

A mendoni nëse Maqedonia e Veriut po shkon rrugës së mbarë?

Por autogoli më i madh erdhi nga vetë Izet Mexhiti. Ai foli për 20 vite keqqeverisje të BDI-së, duke harruar se vetë ka qenë pjesë kyçe e asaj periudhe, sidomos në Çair. Ky mesazh e dëmton rëndë, sepse publiku e di mirë rolin e tij dhe nuk mund të mashtrohet lehtë nga retorika. Në vend që të bindë për ndryshim, ai i rikujtoi votuesit të kaluarën e tij të gjatë në pushtet.

Moti stabil dhe pa reshje shiu nuk i ndihmoi aspak organizimit të VLEN-it. Në fakt, po të kishte rënë shi, çadrat e njerëzve do ta kishin mbuluar hapësirën e vogël dhe do ta bënin tubimin të dukej madhështor, me një panoramë masive që mungoi mbrëmë.

Në fund, hapja e shtabit nuk shërbeu për të ngritur moralin e strukturave, as për të tërhequr votuesit e pavendosur. Përkundrazi, u shndërrua në një shfaqje teatrale, ku në vend që të tregohej fuqi, u ekspozuan dobësi të thella strategjike dhe organizative. Çairasit e panë qartë se pas parullës “Çairi foli” fshihej një realitet tjetër: një grumbull militantësh të sjellë nga jashtë dhe një fjalor politik i vjetëruar, që nuk sjell frymë të re.

Ky aktivitet, që duhej të ishte kulm i entuziazmit për VLEN-in, përfundoi duke ofruar material ironik për kundërshtarët dhe zhgënjim për ata që prisnin diçka të re. Në vend të demonstrimit të vizionit, u dëshmua mungesa e tij.

Flaka
Botuar nga Flaka 10 Shtator, 2025 09:28 Përditësuar

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
213
SONDAZHI NË FLAKA

A mendoni nëse Maqedonia e Veriut po shkon rrugës së mbarë?