Kallëzim penal ndaj ish-ministrit Lupço Nikollovski për keqpërdorim të pozitës zyrtare
Është dorëzuar kallëzim penal ndaj ish-ministrit të Bujqësisë, Lupço Nikollovski, për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Kallëzimi është paraqitur nga ministri aktual i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, i cili pa dhënë detaje konkrete, deklaroi se kallëzimet do të zbardhin veprime kriminale të kryera si në Ministri, ashtu edhe në Agjencinë e Pagesave për Bujqësi, e cila së fundmi u përfshi në skandalin me fondet evropiane nga programi IPARD-3.
“Sa i përket asaj që po bëhet në kontrollin e agjencisë, besoj se do të dalin shumë veprime të paligjshme që janë kryer në Agjenci në kohën e tyre, por le të lëmë kohën të tregojë për çfarë saktësisht bëhet fjalë. Sa i përket punës së Nikollovskit, vetëm të theksoj se janë dorëzuar disa kallëzime penale për keqpërdorim të pozitës së tij, shkelje të ligjeve dhe dëmtim serioz të buxhetit të shtetit”, deklaroi Tripunovski.
Nga Prokuroria Themelore Publike për Alsat konfirmuan se kallëzimet janë pranuar dhe se tashmë po ndërmerren veprime hetimore.
“Këto kallëzime së fundmi u pranuan nga Prokuroria Themelore Publike dhe prokurori tashmë po vepron mbi to. Rasti ndodhet në fazë të hetimit paraprak dhe në këtë moment nuk mund të ndahen më shumë informacione me publikun”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Kallëzimet penale vijnë pas arrestimit të Ilija Stoilovit, ish-drejtor i Agjencisë së Pagesave për Bujqësi, i dyshuar për marrje ryshfeti lidhur me një projekt nga programi IPARD-3. Projekti përkatës është pezulluar dhe të gjitha kontratat janë vënë nën revizion.
LSDM-ja dhe ish-ministri Nikollovski më herët kishin reaguar duke akuzuar se këto veprime rrezikojnë realizimin e plotë të programit IPARD-3, përkatësisht se mijëra kontrata të fermerëve mund të dështojnë, duke kritikuar njëkohësisht punën e Ministrisë.
Nga ana tjetër, pushteti mohon se pagesat e subvencioneve janë vënë në pikëpyetje. Sot, ministri Tripunovski theksoi se nga gjithsej 453 kontrata të nënshkruara në kuadër të programit IPARD-3, në 289 raste tashmë janë realizuar pagesat ndaj fermerëve.


















