Komisioni i Venecias me mbështetje të kushtëzuar për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë

Flaka
Botuar nga Flaka 16 Dhjetor, 2025 18:11 Përditësuar

Komisioni i Venecias me mbështetje të kushtëzuar për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë

Komisioni i Venecias ka publikuar mendimin e tij për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, të dorëzuar nga Qeveria disa muaj më parë. Opinioni i shprehur është në masë të përgjithshme pozitiv, por i shoqëruar me kritika të qarta dhe rekomandime thelbësore për ndryshime substanciale në tekstin ligjor.

Në thelb, Komisioni e mirëpret qëllimin dhe frymën e propozim-ligjit, duke vlerësuar largimin nga sistemi i ngurtë i Balancuesit dhe kalimin drejt një modeli më fleksibël, i cili kombinon përfaqësimin adekuat me punësimet mbi bazën e meritës. Sipas Komisionit, ky drejtim është në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

Po ashtu, Komisioni vlerëson pozitivisht faktin që propozimi është dorëzuar herët për rishqyrtim dhe se ligji përfshin parime të rëndësishme si kompetenca profesionale, mosdiskriminimi, vetëdeklarimi vullnetar dhe përfaqësimi proporcional jo matematikisht i ngurtë.

Megjithatë, Komisioni i Venecias vlerëson se draft-ligji është tepër i përgjithshëm dhe i paplotë. Sipas opinionit, ligji duhet të përmbajë më shumë nene substanciale, ndërsa metodologjia dhe aktet nënligjore duhet të jenë më të kufizuara në rol. Kritika kryesore është se ligji nuk përcakton qartë mënyrën se si punësimi do të funksionojë në praktikë, duke lënë elemente kyçe për t’u rregulluar më vonë me akte nënligjore dhe legjislacion sektorial.

Komisioni thekson se, për arsye të sigurisë juridike, legjitimitetit demokratik dhe efektivitetit praktik, rregullat bazë të punësimit, garancitë për përzgjedhje mbi bazën e meritës dhe kufijtë e masave pozitive duhet të përcaktohen shprehimisht në vetë ligjin.

Si përfundim, Komisioni i Venecias nuk e refuzon ligjin, por jep një mbështetje të kushtëzuar, duke e konsideruar draftin si hap në drejtimin e duhur vetëm nëse ai pëson ndryshime thelbësore për të sqaruar mekanizmat e zbatimit, për të garantuar përparësinë e kualifikimeve, për të parandaluar abuzimet dhe për të siguruar proporcionalitet dhe transparencë.

Ndërkohë, nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar ashpër ndaj këtij propozim-ligji, duke e cilësuar atë si “shembull klasik të mashtrimit politik”.

“Shumë fjali të bukura, shumë vullnet i mirë, por asnjë garanci reale. Ligjet nuk bëhen për njerëz me qëllime të mira, por pikërisht për rastet kur vullneti i mirë mungon, për t’i mbrojtur qytetarët nga arbitrariteti i pushtetit,” deklaroi Osmani.

Sipas tij, dallimi thelbësor mes ligjit të ri dhe Balancuesit qëndron në faktin se Balancuesi ishte instrument konkret për zbatimin e Amendamentit 6 të Kushtetutës, ndërsa ligji i ri, sipas Osmanit, mbetet vetëm një deklaratë politike pa mekanizma detyrues.

“Balancuesi ka mbrojtur të gjitha komunitetet, në çdo nivel. Ai ka garantuar përfaqësim të drejtë për maqedonasit, shqiptarët, turqit, romët dhe vllehët, duke ua hequr drejtuesve të institucioneve mundësinë për përzgjedhje arbitrare etnike apo politike,” tha Osmani.

Ai theksoi se Balancuesi ka vepruar në mënyrë parandaluese, para punësimit, duke e kthyer barazinë nga vullnet në detyrim kushtetues, ndërsa ligji i ri, sipas tij, e zhvendos barazinë nga e drejtë në dëshirë politike.

357
SONDAZHI NË FLAKA

A mendoni nëse Maqedonia e Veriut po shkon rrugës së mbarë?

“Heqja e Balancuesit nuk është modernizim, por regres institucional. Ky ligj është paketim i një çmontimi – titull i bukur, përmbajtje bosh,” përfundoi Osmani.

Debati për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat pritet të intensifikohet në javët në vijim, ndërsa Qeveria do të duhet të vendosë nëse do t’i inkorporojë rekomandimet e Komisionit të Venecias para se ligji të procedohet më tej në Kuvend.

Por, VLEN pretendon se po e mbyll njëherë e përgjithmonë një nga kapitujt më të mëdhenj të mashtrimit politik ndaj shqiptarëve: çështjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Ligji i ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është dëshmia më e qartë se ajo që për dy dekada u përdor si sllogan, alibi dhe vegël shantazhi politik, sot po shndërrohet në standard ligjor, të matshëm dhe të zbatueshëm.

Për herë të parë, përfaqësimi i drejtë nuk mbetet peng i vullnetit politik të qeverive, i pazareve partiake apo i manipulimeve zgjedhore, por rregullohet me ligj të qartë, të detyrueshëm dhe të mbikëqyrshëm. Me këtë ligj, VLEN e mbyll hallkën kyçe të MO-së.

Faktet janë të pamohueshme: për të njëjtin ligj, mendim pozitiv ka dhënë edhe Komisioni i Venecias, autoriteti më i lartë evropian për çështje kushtetuese dhe juridike. Kjo e rrëzon përfundimisht propagandën e BDI-së, e cila për vite fliste për përfaqësim, por kurrë nuk pati guximin, vullnetin dhe ndershmërinë politike ta rregullojë atë me ligj.

VLEN e ka bërë atë që të tjerët vetëm e premtuan. Sot, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat po shndërrohet në mekanizëm ligjor që garanton barazi reale, transparencë dhe drejtësi për të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësie dhe pa ndërmjetës partiak.

Ligji pritet së shpejti të hyjë në procedurë parlamentare dhe VLEN u bën thirrje të gjithë deputetëve, pa përjashtim, që t’i kthehen arsyes, përgjegjësisë dhe interesit publik. Ky nuk është ligj partie, por ligj i barazisë, ligj i drejtësisë dhe ligj i së ardhmes evropiane të vendit.

Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë dhe njëri nga liderët e VLEN, Arben Fetai i është përgjigjur nënkryetarit të BDI-së, Bujar Osmani, pasi ky i fundit përmes një qëndrimi të tij tha sot se Ligji për përfaqësim të drejtë nuk mund ta zëvendësojë balancuesin.  
 
Sipas, Fetait, është vetë Osmani i cili në cilësinë e ministrit, ka dhënë mendim pozitiv për heqjen e balancuesit.
 
“Bujari qenka zgjuar pas flakareshës zgjedhore. Paska zbuluar se ligjet “nuk qenkan detyruese”. Sipas llogarisë së Bujarit, “vegla” (Balancuesi) qenka më e fuqishme se LIGJI.
Bujar, si duket ndejtja e gjatë me Doktorin të ka ndikuar keq. Tash s’po dihet a ke pasur ti më shumë ndikim te ai, apo ai te ti. Sidoqoftë, mirë është të dihet se sa për Balancuesin, ti vetë në cilësinë e ministrit ke dhënë mendim pozitiv për heqjen e tij”, ka thënë Fetai.
 
Ajo me këtë rast bën thirrje që emocionet të mos i paraprijnë logjikës, sepse në të kundërtën pësojnë shqiptarët.
 
“Prandaj, kur projekt- ligji të vijë në procedurë parlamentare, ta debatojmë dhe ta votojmë. Është kaq e thjeshtë”, përfundon postimi i Fetait në rrjetet sociale. Gazeta Flaka

Flaka
Botuar nga Flaka 16 Dhjetor, 2025 18:11 Përditësuar

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
357
SONDAZHI NË FLAKA

A mendoni nëse Maqedonia e Veriut po shkon rrugës së mbarë?