Limani flet për vizionin politik dhe zhvillimet e mundshme në vitin 2026
Në edicionin qendror të lajmeve në TV Alsat, kandidati për kryetar të Komunës së Gostivarit nga radhët e Aleancës Kombëtare për Integrim – BDI dhe ASH, Valbon Limani, foli për vizionin e tij politik dhe drejtimin që, sipas tij, do të marrë skena politike në të ardhmen.
“Gostivari është pasioni im dhe i ekipit që punon me shumë zell për Gostivarin. Gostivari është motivi i vetëm me të cilin unë kandidohem në këtë moment dhe ekipi që qëndron pas meje. Besoj që pas arritjes së fitores më 11 janar do të shihet e gjithë dinamika e zhvillimit në skenën politike këtu në Maqedoninë e Veriut”, tha Limani.
Në pyetjen shtesë të moderatorit nëse kjo nënkupton zhvillime apo lëvizje brenda Aleancës Kombëtare për Integrim, respektivisht ndonjë largim eventual nga koalicioni, Limani sqaroi se nuk bëhet fjalë për cënim të bashkëpunimit politik.
“Flas për ndodhitë që mund t’i parashikojmë për vitin 2026 dhe, ashtu siç e kanë thënë edhe shumë të tjerë, nuk përjashtohet mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Tani BDI e ka kongresin, edhe ne si ASH do të mbajmë kuvend qendror. Besoj që do të ketë zhvillime dhe, varësisht se nga cili krah do të zhvillohet politika dhe a do të ketë zgjedhje të parakohshme, ashtu do të ketë zhvillime edhe në Aleancën Kombëtare për Integrim”, u shpreh Limani.
Limani foli edhe për mundësinë e bashkimit të dy krahëve të ASH-së dhe iniciativën e deputetit Ilir Demiri, duke theksuar se çdo përpjekje në këtë drejtim është pozitive.
“Çdo iniciativë për forcimin dhe unifikimin e partive shqiptare është veprim që shkon në dobi të qytetarëve”, tha Limani.
Limani: ASH e Selës në Gostivar është krah për krah me ne për 11 janarin
Në edicionin qendror të lajmeve në TV Alsat, kandidati për kryetar të Komunës së Gostivarit nga radhët e Aleancës Kombëtare për Integrim – BDI dhe ASH, Valbon Limani, u pyet për ndikimin e mundshëm të trupit votues të AKI-së dhe kandidaturën e Nevzat Bejtës.
“Po, mund të ndikojë pozitivisht, sepse është një figurë e cila do të motivojë edhe më tepër qytetarë që të dalin dhe të votojnë dhe me këtë qartë do ta japin mesazhin edhe për zotëri Bejtën, por edhe për ata që e kanë kandiduar”, tha Limani.
Limani u pyet edhe për shkëputjen e ASH-së së Ziadin Selës nga koalicioni AKI dhe ndikimin e kësaj situate në zgjedhjet lokale në Gostivar.
“Shkëputja e ASH-së së Ziadin Selës ka ndodhur nga koalicioni AKI në nivel shtetëror, por edhe në Komunën e Vrapçishtit. Sa i përket Gostivarit, ne kemi komunikim të përditshëm me shumicën e anëtarëve të ASH-së të zotit Sela, të cilët janë krah për krah me ne në betejën e 11 janarit”, deklaroi Limani.
Duke folur për funksionimin e Këshillit Komunal dhe reflektimin e bashkëpunimit politik, Limani theksoi se puna vazhdon në kuadër të Aleancës Kombëtare për Integrim.
“Sa i përket punës në Këshillin Komunal, ne veprojmë si Aleancë Kombëtare për Integrim, pra së bashku edhe me këshilltarët e partisë së zotit Sela, të cilët janë aktivë edhe në këtë periudhë parazgjedhore për zgjedhjet e 11 janarit”, tha Limani.
Limani për Bejtën: Rikandidimi i tij, mesazh shumë i keq i VLEN
Në edicionin qendror të lajmeve në TV Alsat, kandidati për kryetar komune nga radhët e Aleancës Kombëtare për Integrim – BDI dhe ASH, Valbon Limani, u pyet për kandidaturën e Nevzat Bejtës nga koalicioni VLEN për Gostivarin në zgjedhjet e 11 janarit.
“Me gjithë respektin për Nevzat Bejtën, unë mendoj që po të mos ishte qesharake do të ishte tragjike rikandidimi i tij. Ai është një relikt politik, i cili kandidohet për të gjashtën herë, dhe kjo është një mesazh shumë i keq për qytetarët dhe veçmas për të rinjtë,” tha Limani.
Ai shtoi se koalicioni VLEN ka humbur mundësinë për të propozuar një kandidaturë serioze, duke përmendur edhe kandidatin e mëparshëm Sebajdin Dautin dhe të besuarin e qeverisë Fadil Xhelilin. “Por ja që i zhgënjyen ata dhe sërish kandiduan për të gjashtën herë zotri Bejtën. Besoj që qytetarët qartë do të flasin më 11 janar,” theksoi Limani.
Limani u pyet edhe për akuzat e Bejtës, lidhur me borxhet e trashëguara nga qeverisja e Arben Taravarit, si dhe për shtimin e borxhit gjatë mandatit të tij. “Nuk do të komentoj akuzat e Bejtës, sepse për atë flet vet ai, dhe gjithë këto 23 vjet të aktivitetit të tij politik, qytetarët e dinë shumë mirë se çka dhe sa vlejnë fjalët e tij,” tha Limani.
Limani: Projekti rajonal do të përmirësojë menaxhimin e qentë endacak në Gostivar, Tetovë dhe komunat rurale
Në edicionin qendror të lajmeve në TV Alsat, kandidati për kryetar komune nga radhët e Aleancës Kombëtare për Integrim – BDI dhe ASH, Valbon Limani, ka folur për menaxhimin e qentë endacak, një problematikë që preokupon thuajse të gjitha komunat e vendit.
Limani bëri me dije se zgjidhja e këtij problemi kërkon bashkëpunim rajonal ose nacional, pasi trajtimi vetëm lokal nuk është i mjaftueshëm. “Ne si rajon i Pollogut kemi një projekt për ndërtimin e një strhimorje rajonale, me të cilin besoj që ky problem do të përmirësohet dukshëm jo vetëm në rajonin e Gostivarit, por edhe në komunën e Tetovës dhe të gjitha komunat rurale të Pollogut,” tha Limani.
Ai theksoi se realizimi i këtij projekti do të sjellë një trajtim më efektiv dhe të koordinuar të situatës me qentë endacak, duke përmirësuar cilësinë e jetës për qytetarët në gjithë rajonin, transmeton Gazeta Flaka
Mbetjet urbane në fokus, Limani: Kamionë të rinj dhe kontinerë me kapacitete më të mëdha grumbulluese
Në edicionin qendror të lajmeve në TV Alsat, kandidati për kryetar komune nga radhët e Aleancës Kombëtare për Integrim – BDI dhe ASH, Valbon Limani, u pyet për menaxhimin e mbetjeve urbane.
Limani deklaroi se gjatë 18 muajve të fundit, qeverisja e tij ka pasur fokus tek kjo problematikë dhe ka arritur rezultate konkrete. “Parku vozitës i Ndërmarrjes Publike është furnizuar me dy kamionë të rinj për bartjen e mbeturinave. Gjithashtu, kemi një projekt të ri për kontinerët e mbeturinave me kapacitete më të mëdha grumbulluese, i cili pritet të realizohet gjatë vitit 2026,” tha Limani, transmeton Flaka
Ai shtoi: “Si u menaxhua me mbetjet gjatë kësaj periudhe, qytetarët e thanë fjalën e vet më 19 tetor.”
Limani: “Gostivari verën që vjen nuk do të ketë probleme me ujin e pijshëm”
Problemet me ujin e pijshëm në Komunën e Gostivarit, të cilat shpesh paraqiten gjatë muajve të verës për shkak të rritjes së numrit të banorëve, pritet të zgjidhen pas përfundimit të projekteve të ndërtimit të sistemit të ri të ujësjellësit, transmeton Flaka
“Problemi me ujin e pijshëm më së shpeshti paraqitet gjatë muajve të Verës, ku dukshëm rritet numri i banorëve, gati se dyfishohet numri i banorëve me ardhjen e mërgimtarëve në vendlindje. Është punuar në këtë drejtim dhe besoj që deri në Pranverë do të përfundojë i gjithë ndërtimi i sistemit të ri të ujësjellësit, dhe sipas vlerësimit të ekspertëve, Gostivari verën që vjen nuk do të ketë probleme me ujin e pijshëm. Ka pasur një projekt të madh dhe dy projekte me të vogla dhe me përfundimin e punimeve, që kanë ngelur vetëm dy segmente të vogla, kam besim që nuk do të ketë më problem me furnizimin e ujit të pijshëm”, tha Valbon Limani, sonte në Alsat.
Duke folur për shtratin e lumit Vardar dhe rrezikun nga përmbytjet e mundshme, Limani njoftoi se komuna ka realizuar një projekt me UNDP-në dhe është kryer pastrimi i shtratit të lumit.
“Gjithsesi, do të jemi në kontakt me institucionet kompetente siç është Ministria e Ekologjisë dhe Drejtoria e Ujërave, me qëllim që të intervenohet ende më tepër dhe të bëhet më e mira për qytetarët dhe pasojat nga përmbytjet eventuale të mos përsëriten në të ardhmen”, tha Limani.
Valbon Limani: “Besimi i 17 mijë qytetarëve është motivi më i madh për të garuar”
Valbon Limani, kandidat për kryetar të Komunës së Gostivarit, ka deklaruar se besimi i qytetarëve është motivi kryesor për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të janarit.
“Për herë të dytë do të garrojmë për kryetar komune të Komunës së Gostivarit dhe besimi më i madh është besimi i 17 mijë qytetarëve të cilët në zgjedhjet e 19 tetorit votuan për kandidaturën time. Nuk besoj se ka motiv më të mirë se kjo”, tha Limani, i ftuar sonte në lajmet qendrore në Alsat.
Ai shtoi se ka besim se qytetarët do të dinë të vlerësojnë dhe se në zgjedhjet e ardhshme do të “thonë fjalën e fundit”.
“Kam besim që qytetarët dijnë të vlerësojnë dhe sërish në zgjedhjet e janarit do ta thonë fjalën e fundit”, theksoi Limani.
Në pyetjen se cili do të jetë motivi i tij për të rritur numrin e votuesve në zgjedhjet e 11 janarit, mbase në zgjedhet e 19 tetorit nuk pati census, Limani tha që: censusi nuk u arrit për 21 vota dhe nuk është një numër aq i madh apo një mesazh i madh nga qytetarët dhe se pres që në zgjedhjet e 11 janarit qytetarët do ta bëjnë të vetën dhe do të zgjidhet kryetari komunës në mënyrë të rregullt. Gazeta Flaka


















