Krizë e re institucionale: Vendimi i KShZ-së për uljen e numrit të këshilltarëve ndez debat politik dhe juridik

Flaka
Botuar nga Flaka 22 Gusht, 2025 22:41

Krizë e re institucionale: Vendimi i KShZ-së për uljen e numrit të këshilltarëve ndez debat politik dhe juridik

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KShZ) ndezi polemika të ashpra pas vendimit për miratimin e udhëzimit mbi numrin e këshilltarëve në komunat e vendit dhe në qytetin e Shkupit. Me pesë vota “pro” dhe një “kundër”, KShZ vendosi të zbatojë një model të ri, i cili sjell zvogëlim të numrit të këshilltarëve në disa komuna me shumicë shqiptare, shkruan Flaka Media

Ky vendim shkaktoi reagime zinxhir tek përfaqësuesit shqiptarë, të cilët e cilësuan antikushtetues, të njëanshëm dhe të dëmshëm për demokracinë lokale.

Përplasja në KShZ: Konsensus apo shumicë votash?

Anëtarja shqiptare e KShZ-së, Ditmire Shehu, votoi kundër dhe paralajmëroi padi në Gjykatën Administrative:

“Nuk pajtohem me këtë qëndrim tuajin dhe mendoj se ky vendim është në mënyrë joligjore dhe në kundërshtim me Rregulloren dhe Kodin Zgjedhor. Neni 34E është i qartë: nëse brenda dy ditë pune nuk arrihet konsensus, atëherë konsiderohet se vendimi nuk është miratuar. Do t’i shfrytëzoj të gjitha mjetet juridike dhe do të dorëzoj padi në Gjykatën Administrative.”

Por kryetari i KShZ-së, Boris Kondarko, kundërshtoi këtë interpretim, duke theksuar se pas dështimit të konsensusit në mbledhjen e parë, vendimet merren me shumicë:

“Sipas Kodit Zgjedhor dhe Rregullores, KShZ-ja vendos me shumicë votash. Nga gjashtë anëtarët e pranishëm, pesë votuan ‘pro’ dhe një ‘kundër’. Prandaj vendimi është i vlefshëm. Nuk kemi më kushte ligjore për të kërkuar konsensus, por vetëm shumicë.”

Në këtë mbledhje mungoi nënkryetari i KShZ-së, Abdush Demiri (VLEN), gjë që e la zonjën Shehu të vetme përballë shumicës maqedonase.

Vendimi i KShZ-së kundër Kushtetutës?

Ky zhvillim vjen pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese më 27 qershor 2025, e cila përcaktoi që të gjithë qytetarët e regjistruar në vitin 2021 – përfshirë diasporën – të trajtohen si “rezidentë”. Ky vendim duhej të ndikonte drejtpërdrejt edhe në numrin e këshilltarëve, por qeveria dhe KShZ e kanë anashkaluar.

Reagimet politike flasin për një tentativë të koordinuar të VMRO-së, LSDM-së dhe VLEN-it për të zvogëluar përfaqësimin shqiptar.

Deputeti i BDI-së, Arbër Ademi, akuzoi:

“Sot, edhe një herë, u turpëruan publikisht. VMRO dhe LSDM mbivotuan përfaqësuesen shqiptare në KSHZ, duke ulur numrin e këshilltarëve në komunat tona dhe duke shkelur Kushtetutën e Ligjin për vetëqeverisje lokale. Sot, si në kohën e Millosheviçit dhe Rrahman Morinës, shqiptarët po majorizohen brutalisht.”

Goditja më e madhe në Gostivar

Në komunën e Gostivarit, ku shqiptarët përbëjnë shumicën dërrmuese, numri i këshilltarëve zvogëlohet nga 31 në 23. Ky reduktim u cilësua si një cenim direkt i të drejtës për përfaqësim.

60
SONDAZHI NË FLAKA

A keni besim te sistemi i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut?

Zëdhënësja e Aleancës për Shqiptarët, Njomza Shaqiri, reagoi: “Duke e ulur numrin e këshilltarëve nga 31 në 23, ulet ndjeshëm përfaqësimi i zërit qytetar shqiptar dhe forca e vendimmarrjes në nivel komunal. Shqiptarët më shumë se kurrë duhet të veprojnë BASHKË! Për komunat tona, për ardhmërinë tonë!”

Edhe Rina Ajdari nga BDI paralajmëroi për një rrëshqitje të rrezikshme:

“Majorizim edhe gjatë sjelljes së vendimeve në KSHZ. A mundet më keq se kaq?! Ky institucion po del jashtë kompetencave dhe po i heq qytetarëve të drejtën për përfaqësim. Ky është abuzim me shtetin, për të krijuar ‘shtet të pastër etnik’ dhe për të zhdukur Marrëveshjen e Ohrit.”

“Vendim antishqiptar dhe antikushtetues”

Deputetja e BDI-së, Dijana Toska, akuzoi qeverinë: “Fryma antishqiptare e qeverisë VMRO-SVLEN po reflektohet edhe në KSHZ. Me këtë vendim zvogëlohet numri i këshilltarëve në Gostivar, Kërçovë, Strugë dhe në 14 komuna të tjera. Këto zgjedhje nuk janë të rëndomta, por REFERENDUM për t’i thënë mjaft kësaj të keqe!”

Ndërsa nga krahu i Ziadin Selës në ASh, Ilire Dauti u shpreh:

“Ec pas ose numëro në vend, kaq ka mundur politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut të bëjë. Zvogëlimi i këshilltarëve në Strugë, Kërçovë, Gostivar, Vrapçisht, Zhelinë e Tearcë është dëm i drejtpërdrejtë për përfaqësimin tonë. Një ditë populli do të përgjigjet, pavarësisht se përpiqeni t’ia mjegulloni mendjen me varfëri.”

Besëlidhja – Aleanca Kombëtare për Integrim: KShZ po shkel Kushtetutën

Besëlidhja – Aleanca Kombëtare për Integrim rikujtoi se edhe përpjekja e qeverisë për të ndryshuar Ligjin për vetëqeverisje lokale dështoi në Kuvend, pasi u bllokua me shumicë të Badinterit. Për ta, KShZ ka tejkaluar kompetencat dhe ka përdorur si bazë një vendim të qeverisë që është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.

“Çdo tentim për të mbajtur zgjedhje sipas një vendimi antikushtetues të Qeverisë dhe tani edhe të KShZ-së, rrezikon procesin zgjedhor dhe do të ketë pasoja penale për anëtarët e KShZ-së dhe subjektet që shkelin Kushtetutën.”

Çështja e numrit të këshilltarëve nuk është vetëm një debat teknik për administratën lokale, por një përballje e madhe politike dhe juridike që prek barazinë etnike, Marrëveshjen e Ohrit dhe besimin në institucione.

Me padi të paralajmëruara në Gjykatën Administrative dhe me akuza për majorizim, antikushtetutshmëri dhe frymë antishqiptare, vendimi i KShZ-së ka gjasa të shndërrohet në një nga krizat më të nxehta institucionale dhe politike para zgjedhjeve të tetorit. Flaka Media

Flaka
Botuar nga Flaka 22 Gusht, 2025 22:41

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
60
SONDAZHI NË FLAKA

A keni besim te sistemi i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut?