Gjeneralet shqiptarë nga Kroacia, i vijnë në konak Ali Ahmetit në Reçicë të Vogël – kujtime nga luftrat çlirimtare
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, njoftoi sot se ka pritur në takim anëtarët e Shoqatës së Shqiptarëve Mbrojtës të Kroacisë në Luftën Atdhetare, të udhëhequr nga Gjenerali i nderuar Esad Çollaku – Kryetar i Unionit të Shqiptarëve të Kroacisë, dhe Tomë Kaqinari nga Bashkësia e Shoqatave të Vullnetarëve të Luftës në Kroaci.
“Sot pata kënaqësinë e veçantë të pres në takim anëtarët e Shoqatës së Shqiptarëve Mbrojtës të Kroacisë në Luftën Atdhetare, të udhëhequr nga Gjenerali i nderuar Esad Çollaku dhe Tomë Kaqinari. Të gjithë ata janë bashkëluftëtarë të heronjve tanë Fehmi e Xhevë Lladrovci, si dhe të Bekim Berishës – Abeja, emra që mbeten përgjithmonë të gdhendur në kujtesën e kombit,” tha Ahmeti.
Në një atmosferë vëllazërore dhe respekti të ndërsjellë, u ndanë kujtime dhe përvoja mbi rolin e shqiptarëve në mbrojtjen e Kroacisë dhe sakrificat e tyre, të cilat, sipas Ahmetit, janë dëshmi e pathyeshmërisë dhe qëndresës për liri e dinjitet.
Kreu i BDI-së shprehu gjithashtu mirënjohjen për rolin e Kroacisë në luftën çlirimtare të Kosovës:
“Gjaku i derdhur për liri na bashkon përgjithmonë dhe forcon lidhjen tonë historike si popuj që luftuan krah për krah për të drejtën dhe dinjitetin kombëtar.”


















